Kosova

Këto janë të gjitha vendimet që mori qeveria në mbledhjen e fundit

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e tretë me radhë në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin e Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2020 dhe tri vendime tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë.

Raporti prezanton vlerësimin e Komisionit të granteve mbi pajtueshmërinë e sistemit të financimit të nivelit komunal gjatë vitit 2020. Aty paraqiten rezultatet e vlerësimit dhe sfidat e identifikuara nga Komisioni, dhe ofrohen rekomandime për përmirësimin e mëtutjeshëm në sistemin e tanishëm të financimit komunal. Këto vlerësime janë të bazuara në parimet e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal dhe në pajtim me Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale.

Komisioni i granteve ka aprovuar grantet për financimin e komunave gjatë vitit 2020 si në vijim:

–          Granti i përgjithshëm në shumën prej 193.3 milionë euro;

–          Granti specifik për arsimin para universitar në shumën prej 205.5 milionë euro;

–          Granti specifik për shëndetësi primare në shumën prej 61.7 milionë euro;

–          Financimi për shëndetësi sekondare në shumën prej 2.6 milionë euro;

–          Financimin për shërbimet rezidenciale në shumën prej 2.04 milionë euro;

–          Financimin për qendrën historike të Prizrenit, Qendrën kulturore të fshatit Zym dhe Këshillin e Hoçës së Madhe në shumën prej 69,048 euro;

–          Granti shtesë për financimin e kryeqytetit në shumën prej 11.77 milionë euro;

–          Financimi për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit në shumën prej 4.2 milionë euro;

–          Projeksionin e të hyrave vetanake komunale në shumën prej 83.1 milionë euro.

Financimi i aprovuar nga Komisioni i granteve për nivelin komunal për vitin 2020 ishte në shumën prej 579.76 milionë euro. Vendimi për aprovimin e Raportit obligon Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe ministritë e linjës që të zbatojnë rekomandimet që dalin nga ky raport.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar me një vendim të veçantë edhe kërkesën për miratim të Buxhetit për Komunën e Mitrovicës pas aprovimit të Buxhetit për vitin 2021 nga ana e Kuvendit Komunal të Mitrovicës më datë 04.02.2021. Vendimi, bashkë me tabelat buxhetore do të procedohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në kuadër të përgjegjësive për zbatimin e strategjive sektoriale të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është emëruar Koordinator Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit. Në këtë detyrë, z.Sveçla do të kryej detyrat si më poshtë:

– koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve lidhur me çështjet  e luftimit të terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm;

– këshillimin e Kryeministrit lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit, dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin;

– koordinon aktivitetet e të gjitha institucioneve relevante në çështjet e luftimit të terrorizmit dhe masave kundër ekstremizmit të dhunshëm;

– koordinon, monitoron dhe mbikëqyrë zbatimin e dokumenteve strategjike të luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm;

– pranon raporte informuese nga institucionet relevante, me qëllim të përgatitjes së dokumenteve strategjike analitike lidhur me luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmin e dhunshëm;

– është përgjegjës dhe pikë kontakti ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, duke përfshirë koordinimin e organizimeve, donacioneve dhe projekteve vendore dhe ndërkombëtare;

– koordinon të gjitha raportimet rreth përgjegjësive dhe obligimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çështjen e luftimit të terrorizmit  dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Mandati i Koordinatorit Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit zgjatë deri në një vendim tjetër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, po ashtu ka emëruar Komitetin për Partneritet Publik-Privat në këtë përbërje:

1.       Hekuran Murati, Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kryesues;

2.       Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, anëtare;

3.       Liburn Aliu, Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, anëtar;

4.       Artane Rizvanolli, Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, anëtare;

5.       Elbert Krasniqi, Ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar.

Kabineti Qeveritar me një vendim të veçantë ka vendosur sanksione ndaj katër personave dhe një entiteti kinez, të përfshirë në abuzime dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në krahinën Xinjiang në Republikën Popullore të Kinës, bazuar në vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2021/481, të datës 22.03.2021.

Sanksionet konsistojnë në:

1. Ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës për individët dhe entitetin e sanksionuar;

2. Ndalim të udhëtimit për individët e sanksionuar; dhe

3. Ndalim për persona dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vejnë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte, për individët dhe entitetin e sanksionuar.

Me propozimin e Ministres së Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është miratuar vendimi për të lejuar përzgjedhjen e ekspertit financiar përmes procedurave të negocimit, për hartimin e ekspertizës për rastin e iniciuar në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga Kompania “Devolli”. Në arsyetimin e vendimit, Ministrja ka theksuar afatet e shkurtra të prezantimit para Arbitrazhit, dhe të cilat nuk mundësojnë ndjekjen e procedurave të rregullta të prokurimit në përzgjedhjen ekspertit financiar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button