Politika

DASH: Shqipëria me potencial për investime, por korrupsioni, pastrimi i parave, konkurrenca e pandershme mbeten pengesa

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se ekonomia e Shqipërisë u rrit në vitin 2022, megjithëse jo sa parashikimi fillestar për shkak të efekteve globale të agresionit rus ndaj Ukrainës. Në raportin e përvitshëm për klimën e investimeve, Departamenti i Shtetit vë në dukje se megjithëse përparimet, Shqipëria vazhdon të jetë vend i vështirë për të bërë biznes për investitorët e huaj.

“Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të shëndoshë dhe ka bërë përparim në kufizimin e korrupsionit në nivel të ulët, duke dixhitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Megjithatë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm, përfshirë në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri”, thuhet në raportin e bërë publik të mërkurën.

Rritja ekonomike për vitin 2022 ishte 3.7 për qind, më i ulët nga parashikimi fillestar prej 4.1 për qind, kryesisht për shkak të efekteve të përhapura nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

Shqipëri, turizmi dhe ndërtimi gjallërojnë ekonominë në tremujorin e tretë

“Përparimi gjatë vitit 2022 vazhdoi të ushqehet nga rritja e turizmit, shërbimeve dhe sektori i pasurive të patundshme”, thuhet në raport.

FMN vlerëson se rritja gjatë vitit 2023 do të ngadalësohet në rreth 2 për qind për shkak të goditjeve në ekonominë globale nga agresioni i Rusisë, përfshirë presionet nga inflacioni dhe një ngadalësim rritjeje në Evropë.

Inflacioni mesatar gjatë vitit 2022 ishte 6.73 për qind, duke arritur kulmin në tetor në 8.4 për qind.

Shqipëri, inflacioni i lartë, parashikohet rënie ekonomike dhe ulje e konsumit

Papunësia ra nga kulmi i saj prej 11.9 përqind gjatë vitit 2021 në 10.8 përqind në dhjetor 2022, por mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar për shkak të rritjes së emigrimit në vitet e fundit, është një shqetësim në rritje, vazhdon vlerësimi për klimën e investimeve.

“Emigrimi i fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar ka krijuar mungesa të fuqisë punëtore që ndikon në perspektivat e investimeve në shumë sektorë”, thuhet në raport.

Në raport përmendet fakti se për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, FMN i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të vazhdojë konsolidimin fiskal, të rrisë transparencën fiskale, të përmirësojë menaxhimin e financave publike, të forcojë monitorimin e rrezikut fiskal dhe të integrojë të gjitha kontratat e partneritetit publik privat në ciklin buxhetor.

“FMN dhe palët e tjera të interesuara kanë paralajmëruar gjithashtu kundër amnistisë së propozuar fiskale për shkak të rrezikut (që paraqet) ndaj qeverisjes dhe atij për pastrimin e parave”, thotë raporti.

Kuadri ligjor i Shqipërisë është në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen dhe inkurajimin e investimeve të huaja dhe nuk diskriminon investitorët e huaj. Megjithatë në raport vihet në dukje se Ligji për Investimet Strategjike i miratuar në vitin 2015, me objektiv promovimin e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr investime të huaja të konsiderueshme edhe pse afati i tij i dhjetorit 2018 është shtyrë disa herë. Ligji do të jetë në fuqi deri në dhjetor 2023. Shumica e rreth 50 projekteve të miratuara fokusohen në sektorin e turizmit dhe projektet dominohen nga investitorët vendas.

Mundësitë për tërheqjen e investimeve

Traktati i Investimeve Dypalëshe SHBA-Shqipëri, i cili hyri në fuqi në 1998, siguron që investitorët amerikanë të kenë trajtim të vendit më të favorizuar. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një Memorandum të Bashkëpunimit Ekonomik në tetor 2020 me qëllim rritjen e tregtisë dhe investimeve mes dy vendeve.

“Si një vend në zhvillim, Shqipëria ofron potencial të madh të pashfrytëzuar për investime të huaja në shumë sektorë duke përfshirë energjinë, turizmin, kujdesin shëndetësor, bujqësinë, naftën dhe minierat, dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit”, thuhet në raport.

Po ashtu vihet në dukje se në dekadën e fundit, Shqipëria ka tërhequr nivele më të mëdha investimesh të huaja direkte.

Sipas të dhënave të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), gjatë periudhës 2016-2021, fluksi i investimeve të huaja direkte ka qenë mesatarisht 1.19 miliardë dollarë dhe sasia e këtyre investimeve në fund të vitit 2021 arriti në 10 miliardë dollarë, dyfishi i shumës së vitit 2016. Sipas të dhënave paraprake të Bankës së Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja direkte në vitin 2022 ishte mbi 1.44 miliardë dollarë.

Investimet janë të përqendruara në industritë nxjerrëse dhe përpunuese, pasuri të patundshme, sektorin e energjisë, bankat dhe sigurimet, dhe teknologjine e informacionit dhe komunikimit.

Zvicra, Holanda, Kanadaja, Italia, Turqia, Austria, Bullgaria dhe Franca janë burimet më të mëdha të investimeve të huaja direkte.

Investimet e huaja direkte nga Shtetet e Bashkuara përbëjnë një pjesë të vogël por në rritje. Në fund të vitit 2022, shifra e investimeve të huaja direkte të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri sipas Bankës së Shqipërisë, arriti në 232 milionë dollarë, nga 100 milionë dollarë në fund të vitit 2020.

Korrupsioni, problem i vazhdueshëm që frenon investimet

Raporti vë në dukje se Shqipëria vazhdon të ketë rezultate të dobëta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës Transparency International.

Në vitin 2022, Shqipëria u rendit në vendin e 101 nga 180 vende, një përmirësim i lehtë nga viti 2021, por gjithsesi larg renditjes së saj më të mirë në vitin 2016, kur u rendit e 83-ta nga 176 ekonomi.

Shqipëria gjithashtu vazhdon të jetë në një nivel të ulët në Indeksin Global të Inovacionit, në vend të 84-ërt nga 132 vende në vitin 2022.

Raporti thotë se Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave.

Grupi i Punës i Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në këtë listë për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në marrjen e masave ndaj pastrimit të parave.

“Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Akuzat për korrupsion janë diçka e zakonshme dhe investitorët shpesh njoftojnë se janë bërë objektiv i shantazheve si nga administrata publike, ashtu edhe nga media dhe grupet kriminale. Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Investitorët raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar që vonon dhe parandalon investimet në Shqipëri”, thotë raporti.

DASH vë në dukje se “përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë”.

“Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Investitorët amerikanë hasin sfida për shkak të korrupsionit dhe vazhdimësisë së praktikave joformale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare me entitete publike dhe private, përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raport.

Në raport përmendet një rast kur përpjekja për investim e një kompanie në vitet 2019 dhe 2020, dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar.

Sipas raportit, të drejtat e pronësisë vazhdojnë të përbëjnë sfidë në Shqipëri, sepse është vështirë të merret një certifikatë pronësie e pakontestuar.

“Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë në mënyrë të paligjshme një titull për pronësinë e tokës. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i vështirë, joefikas dhe i pamjaftueshëm”, thotë raporti.

DASH përmend faktin që Shqipëria ndërmori reformën në drejtësi për të luftuar korrupsionin sistemik.

“Shqipëria ka organe funksionale, të pavarura ndaj korrupsionit, përfshirë Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, pjesë e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Zbatimi i reformës në drejtësi është në vazhdim dhe zbatimi i suksesshëm pritet të përmirësojë klimën e investimeve në vend”, thotë raporti.

Raporti i DASH-it për Klimën e Investimeve ofron informacion mbi klimën e biznesit të më shumë se 160 ekonomi dhe përgatitet nga zyrtarë ekonomikë të vendosur në ambasada dhe poste anembanë botës.

Deklaratat për Klimën e Investimeve përdoren gjithashtu si referenca për të punuar me qeveritë partnere për të krijuar mjedise biznesi të favorshme që jo vetëm janë ekonomikisht të shëndosha, por trajtojnë çështje të punës, të drejtave të njeriut, sjelljes së përgjegjshme të biznesit dhe hapave të ndërmarrë për të luftuar korrupsionin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button