Ekonomia

Rregulla të reja për shkarkimin e mbetjeve nga anijet që përdorin portet shqiptare

Anijet, të cilat përdorin portet shqiptare do të përballen me kërkesa të reja, që synojnë parandalimin e shkarkimit të mbetjeve. Kërkesat e reja janë parashikuar në një vendim të qeverisë shqiptare pak ditë më parë.

Përmes tij miratohen kërkesat për parandalimin e shkarkimit të mbetjeve, të krijuara nga anijet dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, në det, me synim mbrojtjen e mjedisit detar nga anijet, gjatë përdorimit të porteve shqiptare.
Rregullat e përcaktuara në këtë vendim do të zbatohen për të gjitha anijet, përfshirë mjetet e peshkimit dhe mjetet lundruese për argëtim, pavarësisht nga flamuri, shenja e thirrjes apo veprimtaria e tyre brenda një porti shqiptar dhe në të gjitha portet e Shqipërisë.

Drejtoria e Përgjithshme Detare duhet të sigurojë që anijet të dorëzojnë mbetjet e krijuara dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, në mënyrë të vazhdueshme, tek operatoret e licencuar për grumbullimin dhe trajtimin e tyre, referuar legjislacionit në fuqi.

Tepricat nga ngarkesat detare, përfshirë mbetjet e çdo lloji të ngarkesës në bord, nga mbajtëset e ngarkesave ose çisternat, të cilat teprojnë pas përfundimit të procedurave të shkarkimit dhe pastrimit. Ashtu si kundër
kapiteneritë e porteve duhet të sigurojnë kapacitetet e nevojshme për të mos u shkaktuar anijeve vonesa të pajustifikuara.

Për këtë gjë, kapiteneritë e porteve ngarkohen për verifikimin e kapaciteteve të instalimeve portuale marrëse dhe, në rastet e verifikimit të mos efikasitetit të tyre, detyrohen të njoftojnë Drejtorinë e Përgjithshme Detare për marrjen e masave.

Në vendim parashikohet edhe vendosja e një tarife, e quajtur “tarifë ekologjike e mbetjeve”, që është pagesë e detyrueshme që kryen çdo anije dhe mjet lundrues që prek portet e hapura dhe radat e tyre. Tarifa shërben për mbulimin e kostove të instalimeve marrëse portuale për mbetjet e krijuara nga anijet, përfshirë trajtimin dhe asgjësimin e tyre nga operatorët e licencuar, të kontraktuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare. Por sipas vendimit të qeverisë tarifa duhet të mos stimulojnë anijet dhe mjetet lundruese që të shkarkojnë mbetjet e tyre në det.

Tarifa ekologjike për anijet e peshkimit, anijet e shërbimit detar (rimorkiator, pilotina dhe bargat e ndryshme, që përdoren për punime në port), si dhe mjetet që përdoren për argëtim (jahtet, skafet sportive, mjetet e vogla për gjueti amatore si dhe mjetet e vogla detare me më pak se 12 pasagjerë) do të jetë e ndryshme.

Ajo do t’i nënshtrohet një regjimi tjetër, për vet llojin e aktivitetit që ato ushtrojnë, sipas modelit më të përshtatshëm që do të propozohet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, dhe do të miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrit përgjegjës për financat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button