Te ndryshme

Përplasja midis fesë dhe paganizmit

Përgjatë shekujve, është ngritur një mit mbi masonerinë si një institucion sekret që kontrollon fatet e botës, rrëzon dhe ngre qeveri, fiton apo humb zgjedhje (përfshirë edhe Shqipërinë), harton apo fshin kufij, kontrollon bankat dhe arin e botës, njeh të gjitha sekretet e historisë së njerëzimit, ndërkohë që i lë turmat dhe popujt të jetojnë si dele në injorancën e tyre. Ky mit është tërësisht i pavërtetë…

Washington D.C. dhe simbolet masonike amerikane 

Nga Dr. Bledar Kurti 

Është folur shumë për një numër prej katërmbëdhjetë presidentësh amerikanë, të cilët ishin masonë, si p.sh: George Washington, F. D. Roosevelt, Harry S. Truman, etj. Duke shtuar në këtë listë masonësh edhe figura të tjera të shquara të botës përgjatë shekujve, është ngritur një mit mbi masonerinë, si një institucion sekret që kontrollon fatet e botës, rrëzon dhe ngre qeveri, fiton apo humb zgjedhje (përfshirë edhe Shqipërinë), harton apo fshin kufij, kontrollon bankat dhe arin e botës, njeh të gjitha sekretet e historisë së njerëzimit, ndërkohë që i lë turmat dhe popujt të jetojnë si dele në injorancën e tyre. Ky mit është tërësisht i pavërtetë. Ngritja e tij ka të bëjë me tërheqjen që kanë njerëzit ndaj teorive konspirative, dhe sigurisht, alibia perfekte për të justifikuar dështimet që pësojnë njerëzit në jetë, kjo sepse shumë njerëz e konsiderojnë veten gjeni të lindur, por nuk bëhen dot të suksesshëm sepse, sipas tyre, nuk i lejon masoneria të ngjisin shkallët e karrierës.

Kjo e fundit mund t’ju duket e ekzagjeruar, por jo, ju siguroj, përgjatë viteve kam njohur shumë të rinj ambiciozë në kërkim të shoqërive sekrete me shpresën se një ditë mund të bëhen ministra apo kryeministra të vendit.

Për shkak se masoneria është ezoterike, me karakter të fshehtë, ka nxitur fantazinë e njerëzve. Njerëzit janë të prirë pas së fshehtës dhe intrigës. Për shembull, një krahasim në miniaturë me Shqipërinë, nuk do përbënte asnjë lajm nëse Rama takon Bashën ose Metën në një takim të BE, por, do mbusheshin gazetat me spekulime dhe do shthurej imagjinata e shqiptarëve nëse mësohet që janë takuar në fshehtësi.

Masoneria është një klub ekskluziv, ashtu sikurse janë edhe klubet e gazetarëve, klubet letrare, sportive dhe artistike, partitë politike, sektet fetare, klubet e biznesit, korporatat, etj., tek të cilat nuk mund të bëhesh lehtë pjesë e tyre nëse nuk ndan të njëjtat parime apo besime.

Miti rreth masonerisë nuk është real, por ata vetë janë realë, dhe pa asnjë dyshim kanë lënë gjurmët e tyre në Washington D.C. në urbanistikën e kryeqytetit të shtetit më të fuqishëm të botës, SHBA.

Arkitektura e Washington D.C. është ilustrim i dukshëm dhe i prekshëm i filozofisë së etërve të shtetit amerikan, por jo i etërve të kombit amerikan. Etërit e shtetit amerikan janë Washington, Jefferson, Adams, Franklin etj., të cilët ishin ose masonë ose deistë, ndërsa etërit e kombit amerikan ishin puritanët dhe pelegrinët e parë që ngritën një komb të krishterë. Ky kategorizim etërish, bazuar mbi atë që besonin, e bën Washington D.C. vendin ku përballen feja dhe paganizmi.

Shekujt e 18 dhe 19 ishin shekujt kur Iluminizmi i ngjizur nga Humanizmi nisi të luftojë fetë tradicionale duke luftuar aspektet e tyre të mbinatyrshme dhe të promovonte arsyen e njeriut. Thënë thjeshtë, por saktë, sipas tyre, drita nuk vinte më nga Zoti por nga brenda mendjes së disa njerëzve, të cilët kishin për detyrë të iluminonin mendjet e atyre që nuk ishin akoma të ndriçuar. Nën këtë filozofi lindi edhe Deizmi, një lëvizje fetare, e cila besonte se Perëndia krijoi botën, por më pas nuk përdori më kontrollin e tij mbi atë që ndodh në të, duke e lënë njeriun të ecte vetë sipas arsyes. Deizmi u përqafua nga etërit e shtetit amerikan, ndaj trashëgimia e lënë prej tyre konsiston në një besim deist me lidhje masonike, e cila manifestohet në simbolet kombëtare të SHBA. Deizmi, një produkt i iluminizmit, promovonte se çdo gjë mund të shpjegohej me anë të arsyes, dhe nuk i detyrohej asnjë gjë zbulesës hyjnore. Perëndia e deistit ishte ndërtuesi i orës së madhe që krijoi universin e më pas e la atë duke parë akrepat që lëviznin. Ai shihet edhe si Arkitekti i Madh, ndaj ishte e kuptueshme që shumë deistë e shihnin fenë dhe filozofinë masonike si të ngjashme.

Simbolizmi pamor dhe arkitektonik janë një gjuhë adhurimi apo shpallje. Për të kuptuar stilin më të veçantë të shpikjes njerëzore, një njeri duhet të pyesë veten se “Çfarë shikoj? Çfarë kuptimi ka?” Qytetërimet antike orientoheshin nga shenjat dhe simbolet dhe çdo gjë që ata ndërtonin kishte për qëllim adhurimin e diçkaje dhe shpalljen e një mesazhi. Edhe sot, të gjitha qytetet moderne ndërtohen bazuar mbi këtë parim, përtej funksionit ato adhurojnë diçka dhe japin një mesazh. Kjo është e vështirë për t’u kuptuar nga ne shqiptarët pasi jemi të skllavëruar nga kaosi i ndërtimeve pa qëllim, dhe betoni që shpall vetëm mesazhin e parasë. Jam i sigurt që shumica e kryebashkiakëve të Shqipërisë, fatkeqësisht, as nuk e kishin dhe as nuk do ta kenë idenë e rëndësisë së konceptit të simbolikës së urbanistikës së qytetit. Në këtë aspekt jemi më keq se shoqëritë primitive, pasi edhe ata ishin më të ftilluar se sa ne në këtë drejtim.

Duke ju kthyer kryeqytetit të SHBA, pavarësisht se George Washington ishte Presidenti i vetëm që nuk jetoi në Washington D.C dhe në Shtëpinë e Bardhë, ishte ai që zgjodhi tokën dhe mbikëqyri personalisht me fanatizëm planifikimin urban të kryeqytetit amerikan. Në të gjendet përzierja më mistike e mundshme e simboleve pagane, deiste, iluministe, masonike dhe të krishtera, të cilat nuk shpalosen si një buqetë e larmishme e harmonisë fetare, por si një konflikt.

Këto simbole flasin qartë që babai i këtij shteti duket se ishte pionier i riteve pagane dhe simbolikave universale, deiste dhe humaniste, të cilat fshihen në hijen e simbolit të kryqit të etërve të kombit amerikan.

Vetë ndërtesat dëshmojnë për frymën iluministe dhe masonike. Pothuajse çdo ndërtesë publike e kryeqytetit mori inspirimin nga arkitektura greke, romake, dhe ajo e Rilindjes. Arkitektët e parë të Washington D.C. ishin William Thornton dhe Benjamin Latrobe, të dy të zgjedhur nga Thomas Jefferson. Latrobe ishte mason, dhe ai i cili i dha natyrën joniane, dorike, dhe korintase elementeve të ndërtesave publike të Washington D.C., të cilat në ritualet masonike këta “urdhra arkitektonikë” përfaqësojnë mençuri, forcë, dhe bukuri, që përbëjnë dhe tre shtyllat e masonerisë.

Pentagrami (Ylli me pesë cepa) në rrugët e Pentagonit, linja stelare e ndërtesave qeveritare, monumenti i George Washington, etj., janë bërë prej kohësh objekt diskutimi mbi domethënien masonike, por shumë të tjerë mendojnë se urbanistika e Washington D.C. është thjesht gjeometri. Por, gjeometria konsiderohet si standardi më i lartë i së vërtetës. Aftësia për të konvertuar plane të skicuara nga letra në objekte reale betoni dhe tulle ndër shekuj është konsideruar një akt hyjnor në rregullin e universit. “G”-ja e famshme masonike qëndron si për “God” (Perëndi) ashtu edhe për “Gjeometri..” Në masoneri, Perëndia njihet si “Arkitekti i Madh i Universit.” Për këtë arsye vetë arkitektura dëshmon më së miri për besimin e arkitektit apo ideatorit, në këtë rast të George Washington, dhe llojit të simbolikës që ai propozoi për kryeqytetin amerikan.

Neni 1, Seksioni 8 i Kushtetutës së SHBA siguron të drejtën e një territori që nuk kalon dhjetë milje katrorë për të shërbyer si vendi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara. District of Columbia u emërua nga një komitet i ngritur nga Presidenti Washington në vitin 1791. “Columbia” është version femëror i mbiemrit të Cristopher Columbus, i idealizuar si një nga etërit hero nga amerikanët e shekullit të tetëmbëdhjetë. Më datë 12 tetor 1792, 300-vjetori i mbërritjes së Colombus në kontinentin e ri, u festua dita e parë e Ditës së Colombus. Një ditë më pas, më 13 tetor, u zhvillua ceremonia masonike e vënies së gurit të parë për Shtëpinë e Bardhë. Për koincidencë apo jo, kjo datë ishte 485-vjetori i arrestimit të Templarëve në Francë.

Kryeqyteti amerikan është një katror perfekt prej dhjetë miljesh. Guri i qoshes i Federal District u vendos më 15 prill, 1791, nga Lozha e Aleksandrisë, numër 22, pjesë e së cilës ishte George Washington. Në masoneri katrori simbolizon integritetin moral, barazinë, drejtësinë dhe ndershmërinë. Gjithashtu qëndron si simbol i ekzistencës fizike të katër elementëve: zjarri, ajri, toka, dhe uji.

Një nga karakteristikat e arkitekturës së kishave ndër shekuj është forma e kryqit. Për shembull, me një pamje nga lart të katedrales së Notre Damme në Paris apo Westminster Abbey në Londër shihet qartë forma e kryqit. Kjo zgjedhje arkitekturore qëndron si thirrje për sytë e Perëndisë të shohin se besimtarët e krishterë janë mbledhur për adhurim në emër të Krishtit. Me një pamje nga lart, asnjë simbol i krishterë nuk duket në arkitekturën e Washington D.C., përkundrazi, është i vetmi qytet në botë që ka rrugë me kthesa 108 gradë. Këndi 108 gradë është elementi që zbulon prezencën e pentagonëve dhe pentagrameve në një dizenjo të caktuar.

Ka spekulime mbi format gjeometrike që shihen nga lart Washington D.C., si simbole masonike dhe satanike, megjithatë, përtej këtyre spekulimeve, edhe pse ndoshta çdo formë është thjesht gjeometri, dëshmon shumë qartë se prezenca e krishterimit, si besimi mbi të cilin ky shtet u ndërtua, në urbanistikën e Washington D.C. është e papranishme dhe simbolika deiste, iluministe dhe masonike bazuar mbi kulturat, civilizimet dhe besimet antike të periudhës pagane të parakrishterimit është shumë e dukshme.

Gjatë jetës së tij në Mount Vernom, George Washington hartoi një tabelë të lëvizjeve të planetëve më të shndritshëm, në çdo faqe të ditarit të tij, bashkë me tabela të tjera astrologjike. Bazuar mbi këto njohuri ai shpenzoi shumë kohë të hidhte themelet e kryeqytetit të bazuar mbi lëvizjet e Venusit, gjë që është tejet e rëndësishme në mitin masonik.

Duke marrë parasysh nivelet e thella të simbolizmit, ne nuk mund të injorojmë ngjashmërinë e Washington D.C. dhe arkitekturës në qendrat më të hershme urbane të Mesopotamisë, luginën e Nilit, Indet, Lumin e Verdhë, Azia Juglindore, Amerika Qendrore dhe Afrika Perëndimore.

Këto vende të lashta zbulojnë shqetësimin e ndërtuesve të tyre me vendndodhjen e qytetit, orientimin në të katër drejtimet kardinale, elementet qendrore monumentale si tempujt, pallatet, piramidat, altarët dhe bulevardet e kortezhit të cilat i lidhnin këto vende me pushtetin. Projektimi i këtyre ansambleve tregojnë një dëshirë për të shpallur lidhjen midis perëndive dhe sunduesve të këtyre qyteteve, midis botës së mësipërme dhe qytetin mbretëror në tokë.

Por, trashëgimia vizuale deiste dhe masonike që kanë lënë figurat e shquara të historisë së ShBA është edhe përtej urbanistikës së Washington D.C., si për shembull, Emblema e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si fillim dizenjoja u propozua të krijohej nga Franklin, Jefferson dhe Adams. Sugjerimi i tyre përfshinte elemente heraldike, perëndesha binjake dhe syrin e iluminatit në një trekëndësh. Këto sugjerime u refuzuan dhe dy grupe të tjera do caktoheshin përpara se Emblema e Madhe e SHBA të pranohej nga të gjithë.

Ndonëse dizenjot e propozuara nga Jefferson, Franklin dhe Adams u refuzuan, edhe emblema përfundimtare kishte më shumë elemente deiste, masonike dhe humaniste, se sa të krishterë. Shqiponja pa flokë përfaqëson Akrepin, që shoqërohet me vdekjen dhe rilindjen. Shqiponja mban një dorëshkrim të mbledhur rrotull me shkrimin E pluribus unum, që do të thotë Një nga shumë. Disa besojnë që kjo ka kuptimin e një kombi dalë nga trembëdhjetë kolonitë, por ka debate që hedhin tezën se ndoshta do të thotë një Zot përmbi shumë zotë, një dogmë masonike.

Në anën e pasme është një piramidë pa majë, një simbol tjetër masonik. Piramida ka trembëdhjetë shkallë, një për çdo koloni. Ky simbol u shfaq për herë të parë në monedhën koloniale. Vula gjithashtu shpalos edhe syrin që sheh gjithçka, i cili është një simbol kulti që i ka gjurmët në Egjiptin antik. Ka aludime se syri përfaqëson perëndeshën Isis, e cila konsiderohet si personifikim i dijes.

Një moto me trembëdhjetë fjalë, Annuit Coeptis, është marrë nga vepra Eneida e Virgjilit, poetit romak, në librin IX, rreshti 625, ku shkruhet: Jupiter omnipotens, audacibus annue coeptis. Kjo është një lutje e Eskanit, biri i heroit të historisë, Eneas, e cila përkthehet“Jupiter i Gjithëpushtetshëm, mbështet nismat e (mia) (të) guximshme”. Një moto tjetër e emblemës është Novus Ordo Seclorum, që përkthehet Rregulli i Ri i Epokave. Edhe kjo moto është marrë nga Virgjili, në vargjet 5-8:

Ultima Cumaei venit iam carminis aetas;

Magnus ab integro saeclorum nascitur ordo iam redit et Virgo, redeunt Saturnia regna, iam nova progenies caelo demittitur alto.

Tani vjen epoka e fundit e këngës së Sibilit;

Urdhri i madh i epokave ka rilindur. Dhe tani drejtësia rikthehet, sundimtarët e ndershëm kthehen; tani një racë e re po zbret nga qielli.

Kjo moto u propozua nga Charles Thomson, eksperti i gjuhës latine që mori pjesë në dizenjimin e Emblemës Amerikane, me domethënien “e fillimit të një Epoke Amerikane”. Por, sado simbolike të duket kjo moto, ajo shkakton një skepticizëm jo të pakët. Ndonëse ka debate se kjo poemë e Virgjilit u lexua nga të krishterët e Mesjetës si profeci për Krishtin, simbolikisht dhe biblikisht nuk ka asnjë lidhje me krishterimin, përkundrazi është shumë e lidhur me filozofinë dhe simbolikën masonike.

Lidhja me masonerinë duket më qartë edhe te monedha e parë e lëshuar nga qeveria federale. E njohur si monedha me emër Dollari me Flokë që Valëviten, lëshuar në vitin 1794, kjo monedhë në anën ballore ka portretin në profil të një femre me flokët që valëviten, e cila simbolizon “Lirinë”. Por nëse në kohën e Krishtit, monedhat kishin portretin e perandorit të Romës, në Europë dhe gjetkë, portretin e mbretit apo mbretëreshës, shteti i sapoformuar amerikan nuk zgjedh as portretin e një prej figurave patriotike më të shquara në vend, siç do bënte më vonë, as një simbol të krishterë mbi të cilën u ndërtua ky komb, por vendos si simbol të kombit, në monedhën e parë zyrtare, portretin e perëndeshës pagane romake Libertas.

Për më tepër, jo vetëm që elita qeverisëse e kohës po legjitimonte perëndeshën pagane, si edhe po promovonte filozofinë deiste të Locke mbi lirinë si një kontratë sociale, por ky simbol po shërbente edhe si një urë lidhëse me Revolucionin Francez që lirinë e kishte të parën në sloganin e famshëm Liri, Barazi, Vëllazëri. Por, këtu nuk bëhet fjalë për të drejtën e të qenët i lirë, por për ngjarjen e 10 nëntorit 1793 në Francë, një vit përpara se të dilte në qarkullim dollari i parë amerikan, kur revolucionarët francezë e shkatërruan altarin e krishterë në Notre Dame në Paris, dhe në vend të tij vendosën altarin e perëndeshës pagane “Liberta”.

Por, siç u përzje humanizmi dhe helenizmi në veprat me tematikë biblike të periudhës së Rilindjes, ashtu depërtoi edhe masoneria në simbolikën e krishterë të kombit amerikan. Për shembull, Libraria e Kongresit është një nga ndërtesat me simbolikë humaniste, megjithatë, në të ndërthuren shumë organikisht simbole humaniste me ato të krishtera. Te njëri afresk, në katin e dytë të murit verior të librarisë është shkruar një varg biblik, marrë nga Proverbat 4:7, “Dituria është gjëja më kryesore në jetë. Ndaj merre diturinë dhe t’i kuptosh të gjitha”. Në po të njëjtin kat gjendet një afresk tjetër, por marrë nga William Shakespeare, Vepra Henri IV, Pjesa II, Akti IV, Skena 7, “Injoranca është mallkimi i Perëndisë, ndërsa dituria na jep krahët që na çojnë për në parajsë”.

Paganizmi dhe masoneria manifestohen edhe në Ndërtesën e Gjykatës Supreme, në të cilën në një nga relievet është gdhendur Moisiu, Confucius, filozofi kinez (551-479 para Krishtit) dhe Soloni, ligjvënësi grek (638-558 para Krishtit). Kjo përzierje filozofish është deiste dhe masonike. Në po këtë relief janë të gdhendur edhe një lepur dhe një breshkë, të cilët nuk janë thjesht për dekorim, por si ilustrim i një nga fabulave të Esopit, Lepuri dhe Breshka, e cila si moral ka që ligjet nuk duhen bërë me shpejtësi, por me durim.

Perceptimi më vizual mbi figurën e Presidentit të parë amerikan dhe ilustrimi më i mirë i masonerisë së tij është afresku Apoteza e George Washington (1865), i cili është pikturuar në kupolën e Capitol Hill.

Edhe pse Presidenti kishte disa dekada që kishte vdekur, perceptimi mbi të, sipas këtij afresku, përputhej me besimin masonik. Në këtë afresk Washington shfaqet si zot.Apotezë vjen nga greqishtja e lashtë, dhe do të thotë hyjni. Apoteza është term pagan dhe përdorej për heronj të cilët ktheheshin në zotër. Në këtë afresk, Washington është i rrethuar nga figura mitologjike. Ai ka një mantel ngjyrë vjollcë që simbolizon status mbretëror, me një hark ylberi në këmbët e tij, shoqëruar në krahun e majtë nga perëndesha Viktoria, dhe në të djathtë nga perëndesha Liberta e cila mban në kokë kapelen e Frigianit, që simbolizon emancipim, huazuar nga tradita romake sipas së cilës kjo kepele u jepej skllevërve për t’u emancipuar. Kjo kapele do bëhej edhe simbol i Revolucionit Francez.

Në afresk ka gjashtë skena të cilat simbolizojnë aspekte të rëndësishme të shtetit amerikan, si lufta, shkenca, marina, tregtia, mekanika, dhe agrokultura. Në këto skena paraqiten figurat e perëndive antike si Ceres, perëndesha e agrikulturës, Vullkani, perëndia i zjarrit dhe farkëtimit, Merkuri, perëndia romake e tregtisë, si edhe Neptuni dhe Venusi, perëndi të detit, dhe Minevra, perëndia e artit dhe diturisë. Në këtë afresk Washinton nuk paraqitet më si President apo Baba i Shtetit amerikan por si hyjni, e cila shpjegon shumë qartë nuancat masonike në të.

Pasi marrim në konsideratë të gjitha këto argumente për rolin e masonerisë në SHBA me të drejtë mund të shtrohen dy pyetje; e para, pra miti i masonerisë si kontrolluese e së gjithë botës qenka i vërtetë? Dhe, e dyta, përderisa masoneria paska sjellë kaq progres, përse quhet armike e besimeve dhe feve të mëdha tradicionale?

Më 5 Janar 2007, Kongresi Amerikan, miratoi një rezolutë, e njohur si Rezoluta 33, e cila, pranon kontributin e masonerisë në krijimin e shtetit amerikan. Kjo rezolutë, e miratuar në ditët e para të vitit, por 230 më vonë pas krijimit të SHBA, dëshmon se ajo nuk ka qenë kurrë në qendër të meritave historike dhe për më shumë se dy shekuj ka qenë e humbur në betejën me Krishterimin dhe patriotizmin amerikan në tërësi.

Në Rezolutën 33 shkruhet: Kjo rezolutë njeh me mijëra Masonë në çdo shtet të këtij Kombi dhe i nderon ata për kontributet e tyre të shumta që kanë dhënë për kombin gjatë gjithë historisë sonë. Vëllazëria Masonike meriton një njohje formale të historisë së saj të gjatë në përkujdesjen që kanë dhënë për qytetarinë dhe shembullin e tyre të standardeve të larta morale; dhe Freemason-ët kanë respektuar dhe festuar gjithmonë Ditën e Shën Gjonit, 24 qershorin, si dedikim për shenjtorin e tyre mbrojtës.

Ky tekst i dëshpëruar për t’u bërë pjesë e historisë nuk i shkon për shtat një miti që sundon botën. Masoneria dhe Deizmi, të rrethuara me frymën patriotike amerikane të kohës, dhanë impaktin e tyre gjatë luftës për pavarësi ashtu siç e dhanë edhe shumë grupime të tjera politike, fetare dhe patriotike, dhe asgjë më shumë. Ato ishin tranzitore, pa devijuar aspak identitetin amerikan dhe mbi të gjitha për të mos pasur asnjë ndikim kontrolli as mbi popullin e SHBA dhe as të popujve të tjerë të botës.

Së fundmi, ajo është padyshim armike e besimeve tradicionale. Të krishterët, si katolikë, ashtu edhe protestantë, e konsiderojnë masonerinë një sekt demoniak. Kur lexojmë për ritet masonike, ato flasin për një fuqi të fshehur në qendrën e mendjes njerëzore. Sipas tyre, kjo e vërtetë i shpaloset vetëm atij që është i përgatitur. Sistemi masonik përdor alegorinë dhe simbolizmin për të kryer magjinë e vet në mendjen njerëzore, duke i treguar njeriut se si motivet e tij ashtu edhe “rrezet e mira” të të shndritshmit Yll i Mëngjesit, influencojnë në atë që mund të bëhet njeriu. Por ka një problem themeltar fetar, Ylli i Mëngjesit, njihet në Bibël si Satan, dhe Baali, një nga zotërit që besojnë masonët, është gjithashtu Djalli ose Satani. Për këtë arsye Vatikani nxori dekretin e parë në vitin 1738 kundër Masonerisë. Dhe që nga ajo kohë ka nxjerrë edhe 20 dekrete të tjera kundër masonëve. Për shkak se konsiderohet sekt demoniak, edhe protestantët si në Amerikë ashtu edhe në mbarë botën, e demaskojnë për natyrën e errët që mbart në vetvete.

Historia nuk gjykon ajo vetëm kërkon të vërtetën ndër të gjitha hapat që ka ndërmarrë njerëzimi, zgjedhja e njeriut është nëse e kërkon të vërtetën në dritë apo në kthinat e fshehta të errësirës ku nën bukurinë dhe misticizmin e aparencës, nuk mund ta dish se çfarë do të gjesh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button