Opinion

Kur të ndodhë diçka “speciale”

Nga Fadil Lepaja

Më në fund, pra pas një kohe aq të gjatë, pas më shumë se 15 vitesh nga ndërhyrja globale në Kosovë, edhe neve, po na ndodhë diçka speciale. Na ndodhi Gjykata Speciale! Ose “dhomat e specializuara”! Me rëndësi që janë speciale! Na kishte kapluar monotonia kolektive dhe po e “gërryenim” njëri-tjetrin. Çka të bësh tjetër, o Zot, në këtë ujdhesë të izoluar, të quajtur Kosovë! Gjithsesi, se do të hash kokën tënde. Ose njëri-tjetrin.

Çka fiton Kosova, me këtë gjykatë, po më pyeste një mik i imi virtual, i cili krejt marrëdhëniet në mes të njerëzve i sheh kështu. Ose humb, ose fiton, ose bën kompromis. Asgjë, i thashë. Asgjë të matshme.

E dini atë ndjenjën kur e ke një dhëmbë të prishur, të sëmurë në fakt, dhe tërë kohën, pikërisht aty e dëgjon zemrën! E dëgjon se si rreh pulsi, i përzier me një dhimbje të topitur, të cilën sado përpiqesh me e harruar nuk arrin! Me kot mundohesh me u marrë me diçka tjetër, por nuk ia del! Kështu pulsonte mbrëmë edhe Parlamenti! Përshkohej nga një dhimbje e mbytur, e cila përpiqej të mbulohej me akuza të ndërsjella se kush kishte kontribuar më tepër që ky ligj të na “ndodhte” dhe aspak, apo më mirë të thuhet askush nuk debatoi për viktimat e paragjykuara, për ato për të cilat edhe është kërkuar në mënyrë ultimative të themelohet kjo gjykatë. E vërteta objektive nuk ekzistonte mbrëmë, dhe të gjithë, kundërshtarë dhe përkrahës të gjykatës, veç sa nuk i hidheshin në qafë njëri-tjetrit dhe të shpërthenin në vaj! Edhe opozita e kundërshtonte gjykatën për shkak të atyre që po e aprovonin! E rëndë të pranosh faktin se në rrogat e tua të bardha, paska njolla të zeza, njolla që quhen viktima!

Askush pra nuk foli për dhimbjen qytetare, apo institucionale për viktimat, sepse ato supozohet të jenë të “atyre”, të komunitetit tjetër, apo së paku nga tonët, por që nuk ishin rreshtuar me ne, në luftën e fundit. Krejt kjo qysh u tha, po bëhej sepse “s’po kem qare”!

U fol për konspiracione ndërkombëtare apo vendore, për me kontestuar një luftë. Askush nuk po fliste për viktimat, madje as deputetët serbë dhe këtu ishte krejt defekti i debatit i cili tash një kohë po e mbante nën tension këtë vend, se aty po flitej veçse për “kriminelët”! Askush nuk përmendi një emër të viktimës, gjithçka është e mbështjellun me mister dhe me fonde!

Në fakt, nëse nuk ka viktimë, nuk ka as kriminel, edhe pse kjo edhe mund të ndodhë në këtë kaos të quajtur koniunkturë “globale” të stacionuar në Kosovë! Një vend kaq i vogël dhe i brishtë, i hutuar, përshkuar me interesa aq të mëdha, të cilat veçse parakalojnë këndej dhe lënë gjurmë të thella kjo është Kosova e kërrusur nën peshën e oligarkëve të rinj dhe burokratëve ndërkombëtarë! Prandaj qytetari i rëndomtë, më së shpeshti pyet: a u bë mirë, apo keq?

Pastaj, çka ka aty të flitet! Debatet tona janë grindje të zakonshme. Ndodhë që ne e dimë se i kemi kriminelët, por nuk e dimë se çfarë krimi kanë bërë! Punë e madhe, të gjithë e dimë se kanë bërë diçka. Përndryshe, si u bënë milionerë! E ndiqni dot logjikën? As, unë! S’ka logjikë. Është një luftë totale për pushtetin i cili nuk ekziston, për me dalë nga bataku. Ka buxhet, të vogël me të cilin supozohet të zgjidhen hallet e qytetarëve dhe të mbahet struktura e brishtë e shtetit, por ai është veç një litar për grupet (para)politike që duan të dalin nga varfëria.

Nejse, çfarëdo teme, që do të figuronte sot, si titull në krye të këtij shkrimi, domosdo se do të fillonte dhe do të mbyllej me fjalën “speciale”! Jo se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë la ndonjë nam, bëri ndonjë punë të madhe që do të mbahet mend gjatë, apo se dha shembull se si gjykatat duhet të jenë efektive, të pakorruptuara dhe pa ndikime politike! Nuk arritën të lënë këtë përshtypje, por debati ndërkombëtar zhvillohej për ndërtimin e marrëdhënieve të reja, të cilat vështirë se mund të ndërtohen përmes roleve historikisht të ndara sipas skemës së xhelatit dhe viktimës. Në parim, xhelati ka sëpatën e viktima qafën e gjatë… Viktima, natyrisht se duhet të shtrijë qafën. Por, ambalazhi kolektiv, për viktimat doli të jetë jo mjaft përmbledhës. Kështu, për kosovarët doli të jetë i dhimbshëm ballafaqimi me faktin se çlirimtarët mund të kenë kryer krime dhe se bota e (pas)luftës nuk paska qenë krejt bardhezi. Pra ne bardhë, ata zi.

Prapë, derisa po meditoja për kuptimin e krejt kësaj, lajmërohet në dritaren e vet virtuale, miku i vjetër! E çka humb Kosova, me këtë gjykatë – Po insistonte, ai, në të veten?! Asgjë, ia ktheva sërish si nëpër tym! Asgjë nuk humb…! Kështu, ai po hynte dhe dilte nga dritarja virtuale, derisa po përpiqesha të përmblidhja qasjen time, për këtë temë “speciale”!

Kështu, “Gjykata speciale” hapi edhe një herë plagët e pambyllura të luftës së fundit, jo vetëm ato që kanë të bëjnë me serbët dhe shqiptarët, por edhe me patriotët dhe tradhtarët, jo vetëm të kësaj gjenerate që tash ulet nëpër karriget e Parlamentit, por edhe prindërit dhe paraardhësit e tjerë të tyre…deri tek Iliria e lashtë. Krejt janë përmend! Edhe shitësit e patateve janë bërë historianë. Origjina e politikanëve është e paqartë.

“As humb, e as fiton? Përse pra gjithë ky pasion, gjithë ky zjarr, ky vrer, këta lot të politikës…? Përse?

“Për këndellje, miku im! Për me e pa botën me ngjyra! Për me kuptuar se bota nuk përbëhet veç nga luftëtarët, veç nga çlirimtarët dhe pushtuesit! Në mes është populli! Të numërueshëm, një nga një! Secili me të drejtë vote, apo të drejtën për liri! Secili me ëndrrat dhe kërkesat e veta. Kush ka vrarë një njeri, ka vrarë njerëzimin, është thënë! Pra bota përbëhet nga njerëzit, dhe jo vetëm nga komunitetet. Në emër të asnjë kolektivi apo ideje nuk bën të preket njeriu. Ai është i gjithkujt dhe nuk është i askujt! Është i vetvetes!

Duhet me e pre kërthizën, prej kolektivit, mik. Duhet të përballemi edhe ne me …vetveten!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button