Ekonomia

Durrës – Nëntor 2015, shifra të larta udhëtarësh dhe automjetesh në lëvizjen me tragete

Gjatë muajit nëntor të këtij viti tragetet janë shfrytëzuar nga 36.432 udhëtarë dhe 6.728 autovetura, përkatësisht 5 dhe 11 për qind më shumë se sa në muajin nëntor të vitit 2014.

Shifrat e muajit nëntor, duke përfshirë numrin e lundrimeve, si dhe hyrje – daljet e udhëtarëve dhe automjeteve të çdo lloji, janë më të larta se sa në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa bie në sy numri 6 për qind më i lartë i udhëtarëve shqiptarë që kanë preferuar tragetet.

Sipas statistikave të nëntorit 2015, numri i shqiptarëve që kanë mbërritur në Durrës është 1.519 udhëtarë më i lartë se sa i atyre që janë larguar me tragete nga porti më i madh i vendit, duke shënuar një ndryshim të tendencës së fillimvitit.

Nga statistikat mësohet se që nga 1 janari 2015, numri i udhëtarëve me tragete ka arritur në 706.893 me 138.743 autovetura, thuajse saktësisht të njejtat shifra të 11-mujorit të vitit të kaluar.

Tragetet e linjave, që nga Durrësi lundrojnë drejt Barit, Ankonës dhe Triestes dhe anasjelltas, kanë transportuar gjithashtu 682.606 ton mallra të ndryshme, ose 7807 ton më shumë se në periudhën janar-nëntor të vitit 2014.

Megjithëse kanë kryer 49 lundrime më pak se në të njejtën periudhë të vitit të kaluar, tragetet kanë transportuar 53.322 kamionë, duke kaluar me 2 për qind shifrat e 11-mujorit të vitit paraardhës, ndërsa numri i trajlerave është 20 për qind më i vogël.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button