Politika

Bushati mesazh ngushëllimi për ish-Presidentin turk Demirel: La gjurmë të thella në historinë e Turqisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka shkruar një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Presidentit të IX-të të Turqisë, të ndjerin Sulejman Demirel

“Lajmi i dhimbshëm për ndarjen nga jeta të një prej figurave që ka lënë gjurmë të thella për disa dekada në zhvillimet në vend dhe në historinë e afërt politike të Turqisë mike, Presidentit të IX-të të saj, Sulejman Demirel, më ka hidhëruar së tepërmi”, shkruan Bushati.

“Ky politikan babaxhan e burrë shteti, i cili për mbi një gjysmë shekulli ka luftuar e qëndruar krah konsolidimit të demokracisë dhe zhvillimit e përparimit të vendit të tij, do të kujtohet nga ne shqiptarët edhe për ndjenjat më të afërta e miqësore që ka bartur e përçuar për mbarë shqiptarët, për rolin e rëndësishëm e kontributin e veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve tanë në momente tejet të vështira”, thekson ministri Bushati.

“Ngushëllimet më të ndjera për familjen, autoritetet e mbarë popullin turk! U prehsh në paqe i dashur President Demirel!”, përfundon mesazhi i ngushëllimit të minstrit Bushati.

Ish-presidenti dhe kryeministri turk, Sulejman Demirel, një prej gjigandëve të jetës politike turke përgjatë më shumë se një gjysmë shekulli, vdiq në moshën 90-vjeçare, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve Anatolie.

Duke nisur nga viti 1965, Sulejman Demirel ka qeverisur Turqinë përgjatë më shumë se 11 viteve në krye të shtatë qeverive, i dyti për karrierën më të gjatë si kryeministër pas presidentit aktual dhe ish-kryeministrit, Recep Tayyip Erdogan. Ai ushtroi funksionet si president nga viti 1993 deri në vitin 2000.

”Ai vdiq pas një infeksioni të rëndë respiator në një spital të Ankarasë”, theksoi agjencia zyrtare turke e lajmeve duke cituar burime spitalore.

Lindur në vitin 1924, ky konservator pragmatik, i gatshëm për të gjitha koalicionet, e filloi karrierën e tij politike në vitin 1960, pas grushtit të parë të shtetit. Dy prej mandateve të tij në krye të qeverisë u ndërprenë menjëherë nga dy grushte shteti në vend nga ushtria, fillimisht në vitin 1971 dhe më pas në vitin 1980.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button