Kronika

Arrestimet në “zemër” të krimit, dosjet që kanë në duar prokurorët e SPAK, kartela e detajuar e akuzave për 6 të prangosurit

Të dhënat e ofruara nga SPAK dhe Policia e Shtetit, për 15 urdhër arreste, 6 prej të cilave janë ekzekutuar, nxjerrin në pah faktin se kemi të bëjmë me një nga grupet me të rrezikshme të strukturuara në fushën e kriminalitetit, ku përfshihen jo vetëm vrasës me pagesë, biznesmenë, por edhe zyrtarë të lartë në Polici dhe Drejtësi.

Mbi grupin rëndojnë një sërë akuzash duke filluar që nga vrasjet me paramendim, vrasje të mbetura në tentativë, sigurimi i bazave dhe i mjeteve për kryerjen e vrasjeve, zbulim i të dhënave sekrete të policisë, korrupsion në 2 raste në drejtësi, mbajtje pa leje armësh dhe municionesh luftarake etj.

Dosja “e zezë” e krimeve për të cilat dyshohen 15 persona, gjendet tashmë mbi tavolinat e drejtuesve më të lartë të SPAK dhe të Policisë së Shtetit, dosje e cila pritet të zbardhë një seri vrasjesh e tentativash për vrasje, të cilat deri dje kanë qenë pa autor.

Kanë qenë përgjimet që duket se kanë bërë të mundur vënien nën pranga të ish-shefin e Forcave Operacionale, Oltion Bistri, drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, ish- drejtuesin e lartë të policisë, Ardit Hasanbega, si dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka, që mendohet se janë edhe kupola drejtuese e këtij grupi kriminal, duke filluar që nga dekonsipirimi i planeve sekrete të policisë, mbyllja e dosjeve në prokurori, deri tek ideatori dhe financuesi i dyshuar i disa ngjarejeve të rënda kriminale, kryesisht në fushën e vrasjeve.

Pëllumb Gjoka, Edmond Preka, Ardit Hasanbega, Astmer Bilali, Oltion Bistri, Xhevahir Lita, tashmë janë arrestuar nga Policia e Shtetit dhe forcat RENEA dy ditë më parë, pas një megaoperacioni ku u përfshinë edhe  FNSH, Forca e Posaçme Operacionale, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kirminale, drejtoritë vendore të Policisë Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Tiranë, në drejtimin e SPAK-ut.

Ndërsa në kërkim janë shpallur Behar Bajri Brahoviç, Ervis Martinaj, Denis Bajri Brahoviç, Klaudio Haka, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj, Elion Hato.

Kartela e akuzave për atë arrestuarit

Pëllumb Gjoka

Gjoka është i moshës 49 vjeç, banues në Tiranë. Ai dyshohet për veprat penale:
-“Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Më datë 09.08.2020, në qytetin e Shkodrës, është vrarë shtetasi Gj. N. (B.);
-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasit K. M.);
-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasve D. D. dhe I. L.);

-“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim;
-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Edmond Preka

Preka është 46 vjeç, banues në Velipojë. Ai dyshohet për veprat penale:
-“Vrasje me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Më datë 09.08.2020, në qytetin e Shkodrës, është vrarë shtetasi Gj. N. (B.);

-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasit K. M.);

-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Astmer Bilali

Bilali është 34 vjeç, banues në Shkodër. Ai dyshohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasve D. D., I. L. dhe G. T.).

Ardit Hasanbega

Hasanbega është 41 vjeç dhe banon në Tiranë. Ai dyshohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë te bashkepunimit, ate të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasve D. D. dhe I. L.).

Oltion Bistri

Bistri, një ish- zyrtarë i lartë i Policisë së Shtetit, i moshës 41 vjeç, me banim në Tiranë, është i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Zbulimi i akteve ose te dhenave sekrete”.

Xhevahir Lita

Lita është i moshës 50 vjeç, ish- prokuror në Kukës. Ai dyshohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organëve të drejtësise”, kryer dy herë dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu, në kuadër të veprimeve për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është bërë edhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

T., 21 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

F., 24 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjatë operacionit u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i provave materiale të mëposhtme: 8 armë zjarri (6 pistoleta, 1 automatik, 1pushkë), municion luftarak, 19 karikatorë për mbajtje municionesh, 2 baza për vendosje snajperi, 3 armë gjahu, 2 baza karikues radiosh policie, 2 armë të ftohta, 3 maska, 1 paruke, 8 automjete (4 prej tyre të blinduara), 1 kamera kurth, 2 targa automjetesh, 3 ora dore të markave të shtrenjta, 3 409 000 lekë, 31 205 euro, 4 400 dollarë, 3 USB, 7 DVR, 28 celularë dhe 1 laptop.

Hetimet e B.K.H

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e B.K.H.-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale të ndodhura si më poshtë:

Identifikimi i autorëve të dyshuar të vrasjes së shtetasit Gj. B., ndodhur në Shkodër në muajin gusht të vitit 2020.

Identifikimi i autorëve të dyshuar të vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit T. P., ndodhur në Shkodër në muajin shkurt 2021.

Identifikimi i autorëve të dyshuar në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasit K.M., ndodhur në Tiranë gjatë vitit 2020.

Identifikimi i autorëve të dyshuar në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasve D. D., I. L. dhe G. T., ndodhur gjatë vitit 2020.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button