Ekonomia

Kulla e radhës në qendër të kryeqytetit, pagëzohet “Eyes of Tirana”

Vitin që vjen do të nisë ndërtimi i kullave shumëkatëshe që do të dominojnë qendrën e Tiranës. Përveç hotelit 35-katesh që do të jetë një zgjerim i hotel Tiranës (sot 15- katëshit) dhe kullës “Al Habtoor Investment LLC (kulla Ikonike) në bulevardin e ri, kullës me 40 kate (DownTown Albania) në zonën e parkut të lodrave në Rrugën e Elbasanit, tashmë është gati të nisë ndërtimi i një tjetër kulle shumëkatëshe në qendër të Tiranës (atje ku ndodhet sot Dhoma e Tregtisë Tiranë) e cilësuar “Eyes of Tirana”.

“Eyes of Tirana” është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë dhe do të zhvillohet nga kompania Edil-Al. Të dhënat nga projekti bëjnë me dije se propozimi përbëhet nga tre pjesë të godinës që do të përmbajnë apartamente, zyra dhe dyqane që arrijnë në total në 55.444 m². Punimet për ndërtimin e kullës do të nisin vitin tjetër sipas planifikimit që ka bërë zhvilluesi i projektit, Edil-Al.

“Eyes of Tirana” është planifikuar të ndërtohet në qendër të kryeqytetit, ndërmjet Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, aty ku sot ndodhet selia e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Kulla është pjesë e Masterplanit për Tiranën. Projekti është vepër e studios daneze Henning Larsen. Maja e kullës, që hapet si lule, dhe atriumet kanë pamjen e një syri, nga ku objekti ka marrë edhe emrin.

Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.

Së fundmi, qeveria ka miratuar një projektligj i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor investment LLC”, kurse projekti “Kulla ikonike e Tiranës”.

Në pak vite, Tirana do të ketë shumë hapësira të lira për t’u ofruar blerësve, në një vend që ende renditet ndër të fundit në Europë për sa u përket të ardhurave për frymë dhe i 106-i në botë, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën.

“Oferta e re në planifikim e sipër është shumë e lartë dhe vështirë për t’u thithur nga tregu. Duhet theksuar se Tirana aktualisht mbetet një nga tregjet ku stoku i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë”, ka pohuar më herët Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers international.

Të dhënat e projektit

Fillimi i punimeve: 2018

Vendndodhja: Tirana

Sipërfaqe totale: 55.444 m²

Zonë Hotelerie: 2.421 m² (në 4 nivele)

Zonë restorantesh: 600 m²

Hapësirë zyrash për qira: 13.354 m² (4 kate)

Zonë për apartamente: 6.836 m² (4 kate)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button