KosovaRajoni

Darka e punës Kosovë-Serbi, Daçiç: Takim i vështirë

Pas mëse dy orë e gjysmë, delegacioni i Kosovës u largua nga  “darka e punës” në Komisionin Europian, pa dhënë asnjë deklaratë publike. Ndërkohë që pak minuta më pas, tryeza e thirrur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së me synimin për të zbutur mardhëniet mes palëve, u përshkrua si një ” takim jashtëzakonisht i vështirë” prej ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç.

Ai tregoi për mediat vendase se biseda u përqëndrua tek çështjet e pazgjidhura, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe sidomos mbi kapitullin 35 për negociatat e Serbisë me BE-në, ku Beogradi e konsideron “kundër interesave kombëtare” platformën e përgatitur nga Komisioni Europian, meqënëse në shumë paragrafe të dokumentit “paragjykohet statusi i Kosovës”, sipas tij,  duke u imponuar autoriteteve serbe “qëndrimin e Prishtinës”.

Për të, “i vetmi lajm i mirë” qëndronte tek zotimi i të dy delegacioneve për të zbatuar plotësisht marrëveshjet e deritanishme, çfarë u konfirmua dhe në njoftimin e shkurtër për shtyp të Përfaqësueses së Lartë të BE-së pas darkës informale.

“Të dy kryeministrat patën një diskutim të hapur mbi gjendjen aktuale në dialog, veçanërisht përsa i takon zbatimit të marrëveshjeve të 25 Gushtit. Të dy palët përsëritën angazhimin për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e së shkuarës,” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e Mogherinit.
Në Gusht u arritën 4 marrëveshje për energjinë, telekomunikacionin, bashkësinë e komunave serbe dhe urën mbi lumin Ibër. Kryeministri i Kosovës, Mustafa, dhe ai i Serbisë, Vuçiç, pritet të takohen sërish në Bruksel muajin e ardhshëm për raundin e zakonshëm të Dialogut të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga BE.

Përgatiti: Arta Tozaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button