Ekonomia

Haxhinasto, takim me donatorët për çertifikimin e punonjësve të ujësjellësave

Ministri Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto zhvilloi të enjten një takim me donatorët e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, me fokus trajnimin e punonjësve të ujësjellësave dhe çertifikimin e tyre.

Ky takim i organizuar në bashkëpunim me USAID dhe me shoqatën e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe SHUKALB, i hap rrugën fillimit të trajnimit dhe më pas çertifikimit të gjithë punonjësve të Ujësjellës-Kanalizimeve. Grupi i parë i të punësuarve do të trajnohet dhe çertifikohet brenda vitit 2017.

Ministri Haxhinasto tha se faktori njerëzor është shumë i rëndësishëm në reformën e ujësjellës-kanalizimeve, dhe për këtë arsye trajnimi dhe me pas çertifikimi i punonjësve, është domosdoshmëri për një menaxhim sa më efikas të sektorit.

Sipas tij, në fillim të kësaj reforme ishte e nevojshme një analizë e plotë e gjendjes aktuale të kapaciteteve njerëzore, pasi rezulton se rreth 40 % e humbjeve vijnë pikërisht nga burimet njerëzore të pakualifikuara që ndikojnë në keqmenaxhimin e ndërmarrjeve. “Trajnimi dhe çertifikimi synon që të rrisë kapacitetet aktuale njerëzore”, nënvizoi Haxhinasto.

Kreu i MTI-së, Haxhinasto tha se situata është shumë problematike, ku numri më i madh i të punësuarve janë roje dhe jo hidraulikë e menaxherë, si dhe tërhoqi vëmendjen për numrin e ulët të grave të punësuara në këtë sektor.

Haxhinasto vuri në dukje se në saj të bashkëpunimit me donatorët si Banka Botërore, Bashkimi Europian, GIZ, USAID dhe ADA synohet institucionalizimi i procesit dhe hartimi i bazës ligjore përkatëse, që do të bëjë të mundur që çdo i punësuar aktual të trajnohet dhe çertifikohet për pozicionin që mban.

Gjithashtu, çdo kandidat që do të donte të punonte në sektor, duhet të kalojë nëpërmjet një procesi kualifikimi dhe çertifikimi në mënyrë që të sigurohet profesionalizëm dhe cilësi në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe mirëmenaxhim të aseteve. Ministri Haxhinasto falënderoi të gjithë donatorët që po japin kontribut në këtë proces

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button