Te ndryshme

Njëmbëdhjetë gjëra që ju nuk i dinit mbi Letoninë

Këtë vit ajo sapo ka marrë kryesimin e BE-së. Shumë shqiptarë e lidhin emrin e saj me një imazh simpatik, por posedojnë informacione shumë të vakëta. Në Europë, për të thuhet se qarkullojnë shumë “mite”.

letoniaShumëkush vazhdon ta ngatërrojë me Lituaninë, por artikulli i mëposhtëm do ju bëjë të mësoni në një kohë shumë të shkurtër, gjëra që do t’i mbani mend mirë për të

  1. Në Letoni ka arinj dhe ujqër

Kush shkon në Letoni mund të rastisë të takojë rëndom edhe arinj jo vetëm në pyll, por edhe në afërsi të fshatrave apo qyteteve. Para një viti, një ari kaf u pa të ecte madje jo shumë larg kryeqytetit Riga. Pyjet zënë afërsisht 42 për qind të sipërfaqes së këtij vendi dhe natyra në Letoni është shumë e pasur. Popullsia e arinjve nuk është aq e madhe, sepse në fakt në mbarë vendin jetojnë vetëm një duzinë prej tyre. Ujqërit janë shumë më të përhapur, pasi prej tyre ka me qindra. Ariu më i famshëm baltik u zhvendos në vitin 2006 nga brigjet letoneze prej stuhisë dhe u hodh në ishullin e vogël estonez Rohnu. Ai nuk mundi dot të kapej më dhe e bëri kësisoj ishullin me 70 banorë tashmë, të famshëm. Pasi ai e lëshoi sërish ishullin, Letonia u dërgoi banorëve të atij ishulli fqinj për kujtim, një ari prej çokollate që peshonte 40 kg.

  1. Rusët janë minoriteti më i madh

Nga të gjitha shtetet baltike, Letonia ka popullsinë më të madhe ruse brenda territorit të vet. Me një total prej 27 përqindësh të popullsisë së Letonisë, ajo përbën sigurisht grupimin pakicë më të madh në vend. Në qytetet e mëdha, popullsia e tyre është edhe më e madhe, si pasojë e politikave demografike ish-sovjetike. Në Riga, përqindja e tyre kap madje edhe shifrën 40, dhe vetë kryebashkiaku Nils Ushakovs, është një rus etnik. Para Luftës së Dytë Botërore, përqindja e rusëve në Letoni ishte shumë më e vogël. Por pasi republika në fjalë u pushtua nga ish-Bashkimi Sovjetik, dhjetëra mijë letonezë etnikë u dërguan nëpër kampe pune të detyrueshme, ndërsa rusët e rinj, pasi mbaronin studimet, përkundrazi, dërgoheshin në Letoni. Në shoqëri, rusët dhe letonezët ndjekin rrugë të ndara në përgjithësi, shohin programe të ndryshme televizive dhe fëmijët e tyre shkojnë në shkolla të ndryshme. Shumica e rusëve mbështesin Partinë Socialdemokratike Saskana, partnere e Partisë Rusia e Bashkuar e Presidentit Putin në Rusi.

  1. Rreth 300 000 vetë nuk kanë të drejtë vote

Nga rreth dy milionë banorët e Letonisë, thuajse 300 000 vetë nuk e gëzojnë akoma pasaportën e “qytetarisë”. Ata mund të qëndrojnë në vend dhe të përfitojnë shërbime sociale nga shteti letonez, por nuk kanë të drejtë të zgjedhin. Por ata nuk është se shihen si “të zhveshur nga nënshtetësia”. Këto janë në shumicën e tyre ish-qytetarë sovjetikë rusishtfolës, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore, u zhvendosën drejt Letonisë – ose janë pra pasardhës të tyre. “Joqytetarët” mund të bëhen edhe nënshtetas “me të drejta të plota”, nëse ata kalojnë një provim për njohuri të gjuhës letoneze.

  1. Letonezët “i fshehën” këngët e tyre

Mitet letoneze janë përcjellë në formë gojore në sagat e quajtura Dainas. Këto janë këngë epike të shkurtra popullore, zakonisht me katër rreshta, pa rimë. Kërkuesi më i madh dhe koleksionisti më i famshëm i tyre, ishte intelektuali letonez, Krisjānis Barons. Nga letrat në të cilat ai shkruante me dorë vargjet që mblidhte, në fund të shekullit të 19, ai arriti të krijonte një arkiv special, që tashmë quhet dollapi Daina dhe që nga letonezët shihet si trashëgimi kulturore kombëtare.

  1. Letonezët grinden me estonezët mbi pemën e Vitit të Ri

Pema e parë e Krishtlindjeve në botë është vendosur në Riga, siç pretendojnë letonezët. Në vitin 2010, kryeqyteti letonez festoi madje me shumë aktivitete 500-vjetorin e pemës së Krishtlindjeve. Në vitin 1510, në Bashkinë e Rigës u vendos një piramidë druri, e cila u zbukurua me fruta, lule dhe lodra fëmijësh. Ky zakon i marrë nga tregtarët në qytetet e tjera në Baltik, u trajtua edhe si ditëlindja e pemës së Vitit të Ri, thonë letonezët. Mirëpo ky pretendim hidhet poshtë nga fqinjët e tyre estonezë. Të parët pretendojnë se pema e Vitit të Ri u vendos qysh në vitin 1441 në Talin.

  1. Gratë në pushtet janë të mirëpërfaqësuara

Letonia, me një kuotë prej 31,4 përqindësh, zë dhe vlerën më të lartë të përfaqësimit të grave në administratën e lartë shtetërore dhe këshillat mbikëqyrës ndër vendet e BE-së. Vendi baltik, qysh prej vitit të shkuar, tashmë qeveriset madje nga një femër. 63-vjeçarja Kryeministre, Laimdota Straujuma, ndonjëherë cilësohet edhe si Merkeli i Letonisë. Ajo ka studiuar matematikë dhe i përket Partisë së Qendrës Bashkimi. Edhe Kryetarja e Parlamentit është një grua, Ināra Mūrniece.

  1. Riga u themelua nga një gjerman

Kryeqyteti i Letonisë, Riga, në vitin 1282 iu bashkua Lidhjes Tregtare Hanzatike. Qysh në shekullin e 12, atje shkuan tregtarë gjermanë në grykëderdhjen e lumit Daugava në detin Baltik. Si themelues i qytetit vlerësohet të jetë peshkopi i ardhur nga Bremeni i Gjermanisë, Albert von Buxthoeven. Ai shkoi atje bashkë me disa tregtarë dhe misionarë dhe ia nisi në vitin 1201 me ndërtimin e qytetit, i cili u bë edhe seli episkopale dhe nyje portuale shumë e rëndësishme tregtare e detare. Nga koha e Lidhjes Hanzatike, sot në Riga kanë mbetur akoma shtëpitë karakteristike të tregtarëve dhe kampet e tyre të prodhimit e shitjes, sikurse në qytete të tjera të Europës Veriore. Qyteti i përkiste mbretërisë së Livlandit, e më pas asaj të Polonisë dhe Suedisë, në shekujt 18 dhe 19. Pastaj kaloi nën dominimin e Perandorisë Ruse.

  1. Letonezët pëlqejnë shumë hokejin mbi akull

Ndër sportet më të preferuara për letonezët është edhe hokeji mbi akull dhe basketbolli. Letonezët janë krenarë për lojtarët e tyre në ligën NHL të Amerikës Veriore. Më i suksesshmi mes tyre momentalisht është Zemgus Girgensons, i cili para dy vjetëve zuri dhe vendin e 14 në renditjen e NHL. Edhe shumë ish–yje të hokejit mbi akull, si Helmuts Balderis, Artūrs Irbe apo dhe Sandis Ozolins, vijnë nga Letonia. Në vitin 2006, kampionati botëror i hokejit mbi akull, u mbajt pikërisht në Letoni.

  1. Letonia u ripavarësua më 1991

Pas revolucionit të tetorit 1917, Letonia u bë shtet i pavarur. Ndërsa pas paktit Hitler-Stalin, ose Molotov-Ribentrop në vitin 1939, ajo u fut me dhunë nën kontrollin sovjetik. Në të njëjtin vit, republika u detyrua të nënshkruante një traktat me Moskën dhe kështu që në territorin e saj u instaluan trupa sovjetike. Në vitin 1940, ajo u shpall Republikë Sovjetike. Nga viti 1941 deri në vitin 1944, Letonia u vu nën kontrollin gjerman, e më pas atje sërish erdhën sovjetikët. Historia e letonezëve që u dërguan në kampet e punës në Siberi, tregohet tashmë gjerësisht në ambientet e muzeut të pushtimit në Riga. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, pas 1990, SHBA nuk e njohu kurrë aneksimin sovjetik të Letonisë. Në vitin 1989, banorët e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë formuan një zinxhir njerëzor afro 600 kilometra të gjatë për pavarësinë e republikave të tyre – të ashtuquajturin “marshimin baltik”. Dy vjet më vonë, Letonia u bë e pavarur.

  1. Letonia është një “tigër baltik”

Ekonomia e shteteve baltike deri në shpërthimin e krizës së vitit 2008, eci me ritme të shpejta. Letonia dhe Estonia nisën të quheshin për këtë arsye edhe si “tigrat baltikë”. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Letonisë nga viti 2005 deri në 2007, u rrit me më shumë se dhjetë për qind. Por me nisjen e krizës, ia nisi një recesion i thellë, prej të cilit Letonia vetëm tashmë duket se po del. Ekonomia e saj po shënon sërish rritje, sigurisht jo më me ritmet e “tigrit të Baltikut”, por me një plus prej rreth pesë përqindësh në vit. Në vitin 2014, Letonia futi në përdorim zyrtar edhe Euron.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button