Kronika

Bllokohet autobusi me cigare kontrabandë në Portin e Durrësit

Policia Kufitare ka bllokuar në Portin e Durrësit një autobus me cigare kontrabandë, që vinte nga Maqedonia.

Nga kontrolli kufitar, policia ka zbuluar në total 309 steka cigaresh të markave të ndryshme, si Malboro, Woliston, BOS. Autobusi kishte ardhur nga Maqedonia ditën e djeshme dhe do të kalonte në Itali përmes Portit të Durrësit. Gjithashtu, policia ka vënë në pranga dhe një 32-vjeçar nga Gostivari, i cili akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallrat që paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë “.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare godet një tentativë të kontrabandës së mallrave që paguhet akcizë. Sekuestrohen 309 steka me paketa cigare dhe arrestohet në flagrancë 1 shtetas.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave shtesë për parandalimin , evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjatë kontrollit në vijën e dytë të autobusëve dhe kamionëve, në autobusin e linjës Maqedoni-Durrës-Bari, me drejtues shtetasin Q.S., kanë konstatuar të fshehura në brendësi të autobusit steka me paketa cigare të llojeve të ndryshme të pa deklaruara nga ana e drejtuesit të autobusit. Menjëherë është njoftuar Grupi Hetimor, ku gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar , Policisë Kufitare dhe shërbimeve doganore, rezultoi se brenda autobusit ishin të fshehura 309 steka me paketa cigare të markave të ndryshme (3090 paketa), kontrabandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: Q.S.,32 vjeç, banues në Gostivar, për veprat penale “Kontrabanda me mallrat që paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë “.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button