Ekonomia

Normat e ulëta funksionojnë të kombinuara me reforma

Intervistë me z. Wim Mijs, shef ekzekutiv i Federatës Europiane të Bankave: Normat e ulëta funksionojnë të kombinuara me reforma. Në rast të kundërt, mjedisi me interesa të ulëta mund të bëhej i rrezikshëm

“Mjedisi me norma të ulëta interesi, me qëllim që të stimulohet ekonomia, funksionon por, në të njëjtën kohë, politikëbërësit duhet të ndërmarrin reforma strukturuese për ekonominë”. I këtij mendimi është z. Wim Mijs, shef ekzekutiv i Federatës Europiane të Bankave, në një intervistë të posaçme për Revistën Monitor. Nëse nuk do të kishte një kombinim të tyre, atëherë mjedisi me interesa të ulëta mund të bëhet i rrezikshëm.

Z. Mijs ishte pak ditë më parë në Tiranë, në kuadër të takimit të 42-të të anëtarëve të asociuar të Federatës Europiane të Bankave (EBF), që u zhvillua në kryeqytetin shqiptar. Takimi shërbeu si një mundësi për të diskutuar mbi zhvillimet politike dhe rregullatore në BE; eksperiencat e anëtarëve në lidhje me sigurinë kibernetike, si dhe nismat e ndërmarra në kuadër të Edukimit Financiar (Javës Europiane të Parasë), ku Shqipëria kishte një program të larmishëm aktivitetesh këtë vit.

Cilat janë sfidat me të cilat po përballet sot sistemi bankar në Europë?

Ekzistojnë mjaft sfida për sektorin bankar, pasi pas krizës ajo çka ndodhi si fillim ishte stabilizimi. Mendoj që kuadri i ri për mjaftueshmërinë e kapitalit i zbatuar në Europë nëpërmjet direktivave të Bazel III dhe CRD 4 funksionon shumë mirë dhe gjithashtu krijon për bankat një realitet të ri, pasi ato kanë nevojë të mbajnë një nivel më të lartë kapitali dhe kjo e kombinuar me një situatë të normave të ulëta të interesit, e bën më të vështirë për bankat të shikojnë nga vjen fitimi i radhës. Kreditë janë gjithashtu një sfidë. Bankat janë ende duke tkurrur bilancet dhe kjo është e dukshme në mjaft vende dhe gjithashtu e dallueshme dhe në Greqi, Itali, Portugali.
Mund të shihet që edhe transformimi dixhital po ndodh shumë shpejt. Banka ose grupe bankare po shkojnë drejt platformave të reja. Problemi qëndron te kuadri rregullativ në Europë, i cili nuk është gati t’i favorizojë bankat të konkurrojnë. Ajo që dua të them është që duhet të shohim në një mënyrë tjetër se si të trajtohen të dhënat në një mjedis dixhital. Dhe ky problem do zgjidhje sa më shpejt.

Banka të mëdha si Raiffesen Bank ose Intesa Sanpaolo që nga 2008-2010 kanë ndjekur si politikë reduktimin e ekspozimeve në vendet lindore. Cili është mendimi juaj për këtë?

E kam hasur këtë edhe në vende të tjera. Unë jam nga Holanda dhe kam parë dhe aty banka nga Franca të cilat u tërhoqën. Mendoj që efekti i përgjithshëm i krizës ishte që çdokush u tërhoq në tregun e tij. Shpeshherë kjo e nxitur nga mbikëqyrësi dhe efekti i përgjithshëm ishte tërheqja. Bankat duhet të kishin parasysh bilancet dhe gjithashtu ekspozimet, si dhe kërkesat e mbikëqyrësit për të mbajtur likuiditetet në vend. Tashmë i shohim që rivijnë në dy mënyra. E para në formën e sipërmarrjeve të përbashkëta dhe filialeve, pasi është e qartë që degët janë dekurajuar nga mbikëqyrësi në Europë, dhe e dyta nëpërmjet dixhitalizimit, pra bankat shihen të hyjnë më tepër në një platformë dixhitale se sa në platformë fizike. Kështu që po rikthehen, por ngadalë.

Ekziston një shqetësim sot në Europë, por edhe në Shqipëri në lidhje me situatën e normave të ulëta të interesit. Si e shikoni ju këtë?

Është e qartë që në një situatë normash të ulëta interesi është e vështirë për bankat të përmbushin funksionin transformues në ekonomi. E kuptoj atë që BQE po mundohet të arrijë, por në këndvështrimin tim, krijimi i situatave me norma të ulëta interesi, me qëllim që të stimulohet ekonomia, do të funksionojë por në të njëjtën kohë politikanët duhet të ndërmarrin reforma strukturuese për ekonominë, p.sh., nevojitet reformimi i tregut të punës. Natyrisht, problemi qëndrim se kjo situatë në kombinim me çmimin e ulët të energjisë nuk shkakton nxitje për liderët tanë të politikës për të reformuar ekonominë. Unë mendoj që kjo është e rrezikshme, pasi situata e normave të ulëta të interesit nuk mund të zgjasë pa limit. Do të duhet të dalësh nga kjo situatë. Duke iu referuar Francës dhe SHBA, të cilat janë munduar për të dalë në mënyrë të lehtë nga kjo situatë, do të duhet gjithashtu për të gjetur “daljen” dhe në Europë. Unë e kuptoj pse krijohet kjo situatë nga BQE, por mendoj që realisht duhen dhe reforma ekonomike nga shteti.

Pra duhet të bashkëpunojnë institucionet monetare me politikëbërësit?

Duhet të punojnë, secila sipas rolit të saj. Nëse përdoret si një mjet për të stimuluar ekonominë është në rregull, por duhet marrë dhe masa strukturore në tregun e punës dhe ekonomi, dhe kjo nuk është në dorë të bankës qendrore, por të qeverisë.

Vendi ynë është nisur në rrugën drejt Bashkimit Europian. Sa të mundur dhe të shtrirë në kohë e shikoni shansin që Shqipëria t’i bashkohet euros dhe çfarë efektesh do të kishte kjo?

Unë do të thoja ndikim pozitiv, nëse merrni hapin e parë. Unë mendoj ashtu siç dhe shumë vende të asociuara janë duke bërë, i rëndësishëm është optimizimi i ekonomisë, optimizimi i sistemit ligjor ose ribalancimi në përputhje me standardet europiane. Në term afatgjatë mendoj që bashkimi europian ka kuptim si bllok tregtar. Ju duhet të jeni pjesë e tij. Unë kam udhëtuar në mjaft vende dhe p.sh. nëse je në SHBA ose Azi, nuk dëgjon të flitet për Francë apo Holandë, por aty i referohen gjithmonë si Europë. Kështu që në këndvështrimin tim, do të jetë e dobishme që hapi tjetër të jetë euro. Mendoj që është një rrjedhim logjik i një tregu të vetëm dhe një çështje bashkimi. Gjithashtu dhe leksionet bazë ekonomike tregojnë se nëse ka një bashkim monetar nevojitet dhe një bashkim bankar dhe si element i tretë një bashkim fiskal. Kjo natyrisht është tepër e vështirë, pasi kërkon unanimitet dhe është kundër mendimeve politike të momentit. Pra përpjekja për të qenë pjesë e euros është interesante, por kërkon pak më tepër kohë.

Kreditë e pakthyera në afat janë problem në Shqipëri, si dhe Serbi, Mal të Zi të cilat kanë nivel të lartë. Cilat janë rekomandimet tuaja për situatën?

Unë mendoj që kreditë me probleme janë shqetësuese, por po t’i referohem të dhënave në vende të tjera të Europës, normat e kredive me probleme janë mjaft më të larta. Mendoj që është reflektim i ekonomisë. E rëndësishme është që sektori bankar dhe qeveria duhet të punojnë së bashku në ristrukturimin e kredive me probleme. Nëse qeveria pengon bankat të përdorin kolateralet për të restauruar kreditë me probleme ose të vështirësohet procesi i falimentimit, do të preken bizneset e shëndosha. Ekzistojnë biznese që nuk kanë performancë dhe që funksionojnë në kosto dhe që konkurrojnë me biznese të shëndosha, të cilat kanë aftësi paguese. NPL kanë nevojë për një Plan Veprimi (Action Plan), ku sektori bankar të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë, për të përdorur kuadrin ligjor për të reduktuar kreditë me probleme.

Ekzistojnë shqetësime në lidhje me situatën bankare në Itali, e cila është një nga vendet fqinjë. Si e shikon situatën aty dhe çfarë ndikimi mund të ketë në rajon?

Duke iu referuar përqindjes së Kredive me Probleme, situata në Itali është shqetësuese. Duke i referuar vëllimit ekonomik të Italisë, natyrisht nëse nuk shkojnë gjërat mirë, aty do të ketë ndikim dhe në rajon. Duke thënë këtë, mendoj që ristrukturimi është i nevojshëm aty, e vetmja gjë është mjedisi i vështirë politik dhe kjo ngadalëson procesin. Pra nuk duhen pasur parasysh vetëm kreditë më probleme, por vetë sistemi bankar, i cili është tepër i segmentuar. Ndoshta duhen bërë disa optimizime, disa bashkime/shkrirje të bankave më të vogla për të racionalizuar sistemin bankar. Ju i shihni hapat që po ndërmerren, por duhet pasur parasysh që nuk është e lehtë. Gjithashtu edhe në Francë dhe Gjermani, ku sektori është i segmentuar dhe nuk është një proces i lehtë optimizimi dhe racionalizimi. Duke iu rikthyer asaj çka thashë më sipër, ju nevojitet një Plan Veprimi i cili të përfshijë reduktimin e kredive me probleme, si dhe sistemin bankar dhe ligjor, pasi duke iu referuar Italisë, nëse në disa vende në veri të Europës u deshën 3 muaj për t’u rënë dakord, me falimentimin në Itali u deshën 7 vite. Pra, nëse nuk ekziston një kuadër ligjor për falimentin, ritmi do të ngadalësohet.

Si e shikoni situatën në Greqinë? Është drejt përmirësimit?

Ata janë duke negociuar marrëveshjen e ardhshme dhe mendoj që do të arrihet një marrëveshje. Niveli i kredive me probleme i raportuar ishte 43% në vitin 2015. Racionalizimi që përshkrova më sipër është në proces, por kombinimi i borxhit të lartë qeveritar (NPL) me situatën e normave të ulëta të interesit e bën të vështirë biznesin. Mendoj që shqetësuese është presioni i klasës së mesme, e cila ka vuajtur situatën e krizës për shumë vite. Mendoj që situata në Greqi është ende shqetësuese.

Bazuar në atë çfarë ka ndodhur në Europë, cila do të ishte këshilla juaj për autoritetet për nxitjen e ekonomisë?

Mund të them që situata e sektorit është e vështirë si këtu, edhe në vendet e tjera të Europës, për shkak të normave të ulëta, si dhe kredive me probleme. Sërish do të përsëris atë çka thashë që ju nevojitet një plan veprimi për të reduktuar kreditë me probleme dhe duke iu referuar shifrave të fundit, kjo po ndodh. Gjithashtu tepër i rëndësishëm është kuadri rregullativ për falimentin. Do të thoja që duhet qëndruar pranë Europës, pasi kjo do të tërheqë mundësi alternative investimi. Mundësitë në Shqipëri janë shumë të mëdha. Dhe e fundit, e cila është më e rëndësishmja, është që ekziston një mundësi dixhitale. Dixhtalizimi do t’i tërheqë bankat të ofrojnë produkte të bankare dhe të krijohet një treg edhe nëse nuk shkohet fizikisht në banka.

Po për qeverinë, në lidhje me reformat strukturore, çfarë rekomandoni?

Për mua duhen reforma strukturore dhe një plan veprimi tepër i shpejtë në kreditë me probleme. Nëse nuk bëhet tani, por në një situatë me çmime të larta energji dhe norma të larta interesi, do të jetë më e vështirë. Duhet të krijohet dhe kuadri i duhur rregullativ për dixhitalizimin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button