Ekonomia

Lame: Politizimi dhe pronësia frenuan legalizimin e ndërtimeve pa leje në Shqipëri

Shqipëria ka numrin më të madh të ndërtimeve pa leje, rreth 427 mijë, nga mbi 1 milion që numërohen gjithsej në rajonin tonë, ndërsa problemi i pronës dhe politizimi i çështjes frenoi legalizmin e tyre. Kjo u evidentua në konferencën rajonale të mbajtur përgjatë dy ditëve në Tiranë, “Informaliteti në territor, sfida dhe zgjidhje”, organizuar nga Agjencia e Legalizmit me pjesmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

 ALUIZMI-KONFERENCE1“Përveç numrit më të madh të ndërtimeve pa leje, veçanti tjetër, në raport me rajonin, është problemi i pronësisë dhe politizimi i çështjes. Shqipëria e ka formatin e pronësisë të ndryshëm nga vendet e rajonit dhe për fat të keq e ka shumë të dobët respektin ndaj pronës. Politizimi i problemit e shkatërron zgjidhjen. Për fat të mirë të tre vendet e tjera ende e kanë problematikën e legalizimeve jashtë politikës, gjë që i bën teknicienët që me qetësi të menaxhojnë situatën dhe të japin zgjidhje teknike, të cilat përmirësojnë dhe e formatojnë më mirë zgjidhjen. Për fat të keq, në Shqipëri për shkak të zgjatjes në kohë dhe futjes së politikës në mes, legalizimi u kthye në një element elektoral veçanërisht e djatha që e quajti si domen të saj zgjidhjen e çështjes së legalizimeve, pa e zgjidhur asnjëherë duke rënduar problemin. Fitorja më e madhe e qeverisë aktuale është se duke e rikthyer në çështje teknike, t’ia heqë politikës nga duart dhe unë besoj se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jetë më çështje e legalizimeve. Kjo çështje do të hyjë në rrugë teknike me formatimin që i është bërë sot legjislacionit do t’a kenë të pamundur partitë ta përdorin këtë çeshtje veçanërisht Partia Demokratike, ta përdorë si element elektoral”, deklaroi drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, gjatë konferencës për shtyp në mbyllje të këtij aktiviteti.

Në rajon, shpjegoi ai, probemi i ndërtimeve pa leje kufizohet brenda pronave personale, duke mos prekur pronën e shtetit apo të të tretëve. “Ndryshe nga këto vende, për arsye politike, problemi i madh në Shqipëri mbetet mungesa e respektit për pronën, që ngadalëson e frenon legalizimin dhe urbanizimin”, vijoi më tej Lame. Ai gjithsesi theksoi vullnetin e qeverisë për të zgjidhur çështjen e legalizimit dhe urbanizimit të rreth 200 zonave informale të evidentuara tashmë në Shqipëri.

Informaliteti, si dukuri e viteve ’90, me impakt të thellë demografik dhe urban, preku, në një rrafsh të tërthortë, të gjithë sektorët jetikë të rajonit Evropë Juglindore – Ballkan, duke spikatur pikërisht në ato vende me ndryshime të befta politike dhe ekonomike. Sot e kësaj dite, dukuria e vendbanimeve informale, që vijon me ritme të ngadalta, me numrin e lartë të godinave dhe shtesave informale të kondensuara në kohë, pavarësisht masave të shumta të ndërmarra, është ende larg futjes brenda hullisë formale a qënies me status ligjor.

Shqipëria, si një nga vendet e para postkomuniste, të përfshira nga kjo dukuri, numëron sot rreth 427.000 ndërtime pa leje (vetëdeklarime) të ndërtuara në Shqipëri në këta 22 vitet e fundit dhe pavarësisht dhënies së amnistisë përmes ngritjes së ngrehinës ligjore në vitin 2004 dhe institucionit përgjegjës shtetëror, ALUIZNI, sot janë të legalizuara vetëm disa dhjetra mijëra duke e lënë problematikën të hapur.

Mali i Zi, me individualitetin e vet turistiko-bregdetar dhe trashëgiminë kulturore, shënon një numër të lartë vendbanimesh dhe ndërtimesh informale (rreth 100.000), dhe për këtë arsye ka përgatitur një projektligj në korrik 2012 dhe ka miratuar një raport mbi censusin paraprak dhe plan-veprimin për legalizim të vendbanimeve informale.

Kosova, si shteti më i ri evropian, përveç konstituimit të aparatit shtetëror, me problemet e luftës e të paraluftës, ka miratuar Ligjin për Trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe ka nisur tashmë fushatën e pranimit të deklarimeve, duke synuar bashkërendimin e procedurave ndërmjet pushtetit qendror e atij lokal.

Maqedonia, që e sheh veten pararojë në arritjen e rezultateve mëse të kënaqshme, me lejen e legalizimit të njëqindmijtë, kur numëron rreth 350.000 të tilla, e ka nisur procesin me ndryshimet në Ligjin e Kadastrës dhe të Ligjit Për legalizimin e Ndërtimeve pa leje dhe po përparon nëpërmjet pushtetit vendor dhe Agjensisë Shtetërore të Kadastrës për Pasurinë e Paluajtshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button