Politika

Bushati në Bullgari: Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit në Fushën e Integrimit Evropian

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë në Bullgari ku u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë Daniel Mitov, dhe Kryetaren e Kuvendit Tsecka Tsacheva.

Në takimin e zhvilluar me Ministrin Mitov, dy Ministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si dhe shprehën vullnetin e përbashkët për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një nivel më të lartë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit veçanërisht në fushat e transportit dhe energjisë, por edhe në ato të kulturës dhe turizmit. Ata vlerësuan lidhjet e ngushta dhe dialogun politik intensiv si tepër të rëndësishëm jo vetëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona por për vetë rajonin. Një vend të rëndësishëm gjatë diskutimeve zunë edhe zhvillimet në rajon, sfidat e sigurisë, bashkëpunimi në kuadër të nismave rajonale, si dhe avancimi në proceset integruese euro-atlantike. Në këtë kuadër, Ministri Bushati i shprehu homologut bullgar mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë në procesin e integrimit të vendit në BE.

Më tej, duke u ndalur në bashkëpunimin në fushën e energjisë, dy Ministrat theksuan se është me rëndësi ndërlidhja energjetike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, nëpërmjet Maqedonisë, duke mundësuar në të ardhmen integrimin e rrjetit elektrik të rajonit me atë të BE-së.

Referuar zhvillimeve më të fundit në Maqedoni, Ministri Bushati u shpreh se: “Shqipëria dhe Bullgaria, ndajnë të njëjtin vlerësim mbi krizën e shtetit të së drejtës në Maqedoni. Jemi të shqetësuar nga përpjekjet e fundit për të reduktuar dhe degraduar stabilitetin demokratik të vendit. Jemi të interesuar për një Maqedoni të paqtë, multietnike, të qëndrueshme e demokratike e cila mund të ecë përpara në proceset integruese euro-atlantike.

Për këtë arsye, mbështesim plotësisht qasjen e BE-së, SHBA-së e Gjermanisë dhe përpjekjet e tyre për të lehtësuar dialogun e nevojshëm politik, i domosdoshëm për të dalë nga kjo krizë”.

Në përfundim të takimit, Ministrat Bushati dhe Mitov nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në Fushën e Integrimit Evropian mes dy vendeve.

Në takimin me Kryetaren e Kuvendit Tsecka Tsacheva, bashkëbiseduesit u ndalën në bashkëpunimin dypalësh, rrugëtimin evropian të Shqipërisë, zhvillimet rajonale, sfidat e përbashkëta te sigurisë dhe rrugët e përballimit të tyre. Palët çmuan rëndësinë e dimensionit të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve parlamentare në funksion të intensifikimit të raporteve dypalëshe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button