Rajoni

Serbi, 5 vite burgim manjatit për evazion fiskal. 3 vite e gjysmë të birit

Një prej biznesmenëve më të pasur të Serbisë dhe jo vetëm, por edhe në Ballkan, është dënuar me 5 vite heqje lirie nga një gjykatë serbe i akuzuar për “evazion fiskal”. Vendimi ndaj tij është dhënë këtë të hënë, pas një gjyqi që qeveria e Vuçiç e konsideron si një prej përpjekjeve madhore për të luftuar korrupsionin dhe për t’i hapur kështu dyert anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian.

Miroslav Miskoviç ka qenë ndër njerëzit më influencues në Serbi dhe me lidhje shumë të ngushta me politikën. Megjithatë, tashmë ai rezulton fajtor nga një gjykatë antiryshfet, pasi ka ndihmuar djalin e tij Marko të fshehë pagimin e rreth 3 milionë eurove taksa nga biznesi i tij i konstruksionit të rrugëve. Gjykata e dënoi gjithashtu Miskoviçin me 65 mijë euro gjobë. Edhe Marko Miskoviç është dënuar me 3 vite e gjysmë heqje lirie, për të njëjtën akuzë.

Miskoviç, 70 vjeç, krijoi një perandori biznesi nën regjimin e Slobodan Milosheviçit në vitet ’90, ndërsa e zgjeroi atë pas rrëzimit të tij në vitin 2000. Konkretisht, në vitin 2007 pasuria e tij përllogaritej në 2 miliardë dollarë, por që prej atëherë është rritur jashtëzakonisht shumë.

Miskovic, një prej njerëzve më të pasur në Serbinë “e varfër”, është pronar i “Delta Holding”, një prej kompanive më të mëdha në rajon. Kompania në fjalë ka rrjete të shitjes me pakicë, të pasurive të patundshme, të sigurimeve dhe të fushës së agrikulturës në Serbi dhe në të gjithë Ballkanin.

Kur Miskoviç u arrestua në në dhjetor të vitit 2012, kryeministri populist Aleksandar Vuçiç tha se ai veprim demonstronte se askush nuk ishte i paprekshëm në përpjekjet e tij për të luftuar korrupsionin. Ndërkohë që tashmë, Serbia e ka kusht luftën antikorrupsion, në mënyrë që të përafrohet edhe më tej drejt anëtarësimit në BE.

Miskoviç u la i lirë me kusht vetëm pak muaj më vonë, pasi pagoi një shumë rekord prej 12 milionë eurosh si garanci. Biznesmeni i mohon akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa avokati Zdenko Tomanoviç tha se gjyqi ishte zhvilluar nën një presion të jashtëzakonshëm politik.

“Vendimi tregon edhe njëherë se Serbia nuk ka një sistem drejtësie të pavarur”, tha Tomanoviç pas verdiktit të gjykatës, duke shtuar se është absurde që Miskoviç ka marrë një dënim më të madh sesa i biri i tij, edhe pse sipas akuzës ai mendohet vetëm ta ketë ndihmuar djalin në fshehjen e të ardhurave e rrjedhimisht edhe mospagimin e taksave.

“Verdikti nuk është rezultat i provave, por i mungesës së kurajos nga gjykatësit”, tha Tomanoviç. Ai tha gjithashtu se vendimi do të apelohet, ndërkohë që vet Miskoviç nuk ka qenë i pranishëm në gjyq.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button