Ekonomia

Pesë kushtet për ndarjen e pensioneve familjare

Pesë janë kategoritë që kanë të drejtë të trajtohen me pensione familjare në rastet e humbjes së personit që i mbante në ngarkim. Sipas përcaktimeve të bëra në ligjin e sigurimeve shoqërore, ndryshimet e të cilit kanë hyrë në fuqi që gjatë vitit të shkuar, personat që janë në ngarkim të personit që vdes, i cili kishte kushte për përfitimin e njërit nga llojet e pensioneve, kanë të drejtë të marrin pension familjar, duke dorëzuar kërkesën përkatëse dhe dosjen e dokumenteve të kërkuara. sipas kushteve të vendosura, pension familjar përfiton e veja, kur provohet se ajo është mbajtëse e një fëmije deri në moshën 8 vjeç, që ishte në ngarkim të të vdekurit, ndërkohë që është e paaftë për pune, si dhe të ketë mbushur moshën e kërkuar. Në ndryshim nga kushtet e përcaktuara në ligjin e mëparshëm, mosha e kërkuar në këtë rast është shtuar me 5 vite, kështu femrat që mbeten te veja, krahas dy kushteve të përmendura duhet të plotësojnë edhe kriterin e moshës që është 55 vjeç. Ndërsa në rastet kur i ve është burri, krahas paaftësisë për punë dhe mbajtjes së një të mitur në ngarkim, për marrjen e pensionit familjar duhet të ketë mbushur edhe moshën 60 vjeç. Që të dyja gjinitë e humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen. Pensionet familjare jepen edhe për fëmijët jetimë. Në mënyrë të detajuar në ligj, përcaktohet se jetimi ka të drejtë që të marrë pagesën familjare vetëm kur provohet me anë të dokumentacioneve të posaçme, që ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka moshë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç (kur studion, ose kur është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme). Një tjetër kategori që trajtohen me pensione familjare janë edhe prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç dhe janë të paaftë për punë, teksa trajtohen edhe prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t`i mbajnë. Por, në këto raste duhet të provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes, ndërkohë që duhet të kenë arritur moshën 65 vjeç. Gjithashtu kanë të drejtë që të marrin pagesa familjare edhe nipërit e mbesat, kur provohet se ishin në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në një rast të tillë nipërit dhe mbesat trajtohen si jetimë.

Si llogaritet masa e pensionit

Pensioni familjar është pjesë e pensionit që merrte i ndjeri, ku llogaritja bëhet sipas rregullave për caktimin e pensioneve të invaliditetit. Referuar këtyre dy përcaktimeve, pensioni familjar jepet në masën 50 për qind për personin e ve, si dhe në masën 25 për qind për çdo jetim, ose persona të tjerë që përfitojnë sipas kushteve të përmendura me lart. Kur nuk merret pension i parashikuar në masën 50 për qind, përfitimi mujor për jetimin bëhet 50 për qind, kur ai është, ose mbetet pjesëtar i vetëm në pension. Kur pjesëtarë në pension janë më shumë se një jetim, masa e përfitimit familjar për secilin prej tyre do të jetë 25 për qind e shumës së pensionit që kishte i ndjeri. Ndërkohë që në të gjitha rastet, duhet të zbatohet edhe kushtëzimi që shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte personi që ka humbur jetën. Për jetimët bëhet me dije se do të gëzojnë të drejtën e marrjes së një pensioni familjar edhe në rastet kur prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv, ose merr një pension si të drejtë të tij. Por, në këtë rast, masa e pensionit për çdo jetim, ose person tjetër që do të trajtohet me këtë pagesë, do të jetë sa 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij. Ndërsa jetimi që humbet të dy prindërit, do të marrë një pension jetimi për secilin prej tyre.

Kërkesa për marrjen e këtij pensioni

Për t’u bërë pjesë e skemës së pensioneve familjare, përfituesi duhet të dorëzojë pranë agjencisë rajonale të sigurimeve shoqërore që ndodhet në vendbanimin e tij kërkesën, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës nëpërmjet të cilës do të verifikohen të gjitha kushtet e përfitimit të përmendura më lart për secilën shtresë. Kërkesën për vazhdimin e pensionit familjar, kur mbaron afati i pagesës, përfituesi duhet ta paraqesë sërish pranë agjencisë rajonale të sigurimeve shoqërore, sipas gjendjes civile, duke i bashkangjitur edhe dokumentacionin e kërkuar. Dokumentet që shoqërojnë kërkesën për pension familjar grupohen në 5 kategori.

Dokumentet që duhen për të gjitha kategoritë

Konkretisht në grupin e dokumenteve që vërtetojnë moshën dhe identitetin duhet të përfshihen: certifikatë e gjendjes familjare, certifikatë vdekjeje e personit që ka ndërruar jetë, ku të jetë shënuar edhe shkaku pse ka ndodhur, si dhe fotokopje e letrës së njoftimit elektronik për kërkuesin dhe përfituesit e tjerë. Më tej në grupin e dokumenteve që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës duhet të përfshihen: “Libreza e punës, vërtetimi për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj, vërtetimi për periudhën e sigurimit, vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë, vërtetimi i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore para vitit 1992, vërtetim i degës ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak vetëm për kërkuesit meshkuj, vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët, fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna)”. Për personat që përfitojnë nga ligji i amnistisë, duhen vërtetim i gjendjes gjyqësore, vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik, vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, si dhe çdo dokument tjetër justifikues që konfirmon qenien në punë. Në grupin e dokumenteve që vërtetojnë të ardhurat e realizuara duhet të dorëzohet vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 1 janari i 1994-ës, deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip të përcaktuar, nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas kësaj date, si dhe vërtetim i pagës mesatare neto për vitin e fundit të punës. Ndërsa në grupin e dokumenteve që vërtetojnë të qenit në ngarkim të të ndierit, krahas dokumenteve të përcaktuara më lart, duhet të dorëzohen edhe: Vërtetimi i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar, vendim i KMCAP-it për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur kur ata janë në moshë pune, vërtetim i organeve të pushtetit lokal që në ngarkim të të vdekurit ishte një fëmijë deri në moshën 8 vjeç, vërtetim për personin e ve që është kërkues për punë, proces-verbal që provon faktin e vdekjes nga aksidenti në punë, si dhe vendimi i komisioni mjekësor të caktimit të aftësisë për punë kur vdekja është shkaktuar nga sëmundje profesionale. Gjithashtu kërkohet edhe vërtetim i organeve të pushtetit lokal që prindërit, prindërit e prindërve nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë dhe jetonin në të njëjtën familje me atë që ka vdekur, jo më pak se një vit para vdekjes, si dhe një vërtetim nga organet e prokurorisë, ose gjykatës për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti nr. 758, datë 01.04.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”. Pjesë e dosjes në këto raste duhet të jetë edhe vërtetimi nga ministria përkatëse për humbjen e jetës së pilotit në përmbushje të detyrës gjatë fluturimit. Për të marrë këtë përfitim, personi duhet të bëjë kërkesë me shkrim organeve përgjegjëse të sigurimeve shoqërore, ku të deklarojë se nuk është ekonomikisht aktiv. Jetimi që ka moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar, kur nuk vazhdon shkollën dhe është nën 18 vjeç dhe banon në qytet, si dhe nën 16 vjeç kur banon në fshat, në kërkesën për pension deklaron se nuk është i punësuar ose i vetëpunësuar, si dhe paraqet vërtetim nga Zyra e Punës.

• Personi i ve, merr 50 për qind të pensionit kur është i vetëm, dhe për çdo pjesëtar tjetër merr 25 për qind, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100 për qind të masës së tij.
• Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri.
• Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues janë dy, ose më shumë persona, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit me të cilin trajtohej i ndjeri.
• Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë në asnjë rast masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes.
• Jetimi merr pension familjar edhe nëse prindi që jeton dhe është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim, ose person tjetër që përfiton është 25 për qind, por jo më tepër se 50 për qind e tij.
• Jetimi që humbet të dy prindërit merr një pension jetimi për secilin prej tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button