Bota

Reuters dhe AFP: Ushtria izraelite përgjegjëse për sulmin që vrau një gazetar e plagosi 6 të tjerë

Agjencitë e lajmeve ‘Reuters’ dhe ‘AFP’ kanë publikuar rezultatet e hetimeve të veçanta, lidhur me një sulm të muajit tetor në pjesën jugore të Libanit, ku u vra një gazetar dhe u plagosën gjashtë të tjerë. Gjetjet e tyre tregojnë se gazetarët u goditën nga predhat e tankeve izraelite.

Secila prej agjencive të lajmeve punoi me ekspertë të jashtëm për të shqyrtuar pamjet filmike, imazhet satelitore, dëshmitë nga të pranishmit dhe copëza të municioneve. Hetimet e tyre arritën në përfundimin se gazetarët u qëlluan nga predha tankesh prej 120 mm, që përdoren vetëm nga ushtria izraelite.

Sulmi ndodhi më 13 tetor, kur gazetarët shkuan pranë fshatit kufitar libanez Alma al-Chaab për të filmuar zonat ku kishte patur përleshje ndërkufitare mes ushtrisë izraelite dhe luftëtarëve palestinezë.
Agjencitë e lajmeve thanë se gazetarët ishin identifikuar qartë si përfaqësues të shtypit, e kishin veshur xhaketa dhe helmeta me shenja dalluese.

Grupi i gazetarëve u godit nga dy predha të njëpasnjëshme, thanë agjencitë e lajmeve. Gazetari i agjencisë së lajmeve ‘Reuters’, Issam Abdallah humbi jetën, ndërsa dy nga kolegët e tij nga e njëjta agjenci, si dhe një gazetar i AFP-së, mbetën të plagosur.

“Ne e dënojmë vrasjen e Issam-it”, tha përmes një deklarate kryeredaktorja e agjencisë së lajmeve Reuters, Alessandra Galloni. “I bëjmë thirrje Izraelit që të sqarojë se si mund të ketë ndodhur një gjë e tillë dhe të mbajë përgjegjës autorët e sulmit për vrasjen e tij dhe plagosjen e Christina Assi-t të AFP-së, kolegët tanë Thaier Al-Sudani dhe Maher Nazeh dhe tre gazetarët e tjerë. Issam ishte një gazetar i shquar dhe pasionant, i cili gëzonte respekt të veçantë në Reuters”.

Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ citoi nënkolonelin Richard Hecht, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, të ketë thënë se: “Ne nuk vëmë në shënjestër gazetarët”.

Drejtori i AFP për lajmet ndërkombëtare, Phil Chetwynd, i bëri thirrje Izraelit që të japë një shpjegim të qartë të asaj që ndodhi.

“Goditja e një grupi gazetarësh që u identifikuan qartë si pjesëtarë të medias është i pashpjegueshëm dhe i papranueshëm”, tha zoti Chetwynd.
Organizata “Human Rights Watch” zhvilloi hetimin e vet për sulmin dhe tha të enjten se gjetjet e saj “tregojnë se gazetarët ishin larg nga zonat e luftimeve, qartësisht të identifikueshëm si anëtarë të medias dhe kishin qëndruar të palëvizshëm për të paktën 75 minuta përpara se të goditeshin nga dy predha të njëpasnjëshme”.
Organizata HRW tha se nuk kishte prova për një objektiv ushtarak pranë vendit ku po punonin gazetarët. Grupi tha se sulmet “me sa duket ishin të qëllimshme ndaj civilëve, çka është krim lufte”.
Amnesty International gjithashtu bëri hetime për sulmin, duke arritur në përfundimin se ishte “një sulm i drejtpërdrejtë ndaj civilëve që duhet të hetohet si një krim lufte”.
“Ata që janë përgjegjës për vrasjen e paligjshme të Issam Abdallah-ut dhe plagosjen e gjashtë gazetarëve të tjerë duhet të mbajnë përgjegjësi”,tha në një deklaratë zëvendësdrejtoresha rajonale e organizatës Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Aya Majzoub.
“Asnjë gazetar nuk duhet të vihet në shënjestër apo të vritet thjesht se po bën detyrën. Izraeli nuk duhet të lejohet të vrasë dhe sulmojë gazetarë pa u ndëshkuar. Duhet të zhvillohet një hetim i pavarur dhe i paanshëm për këtë sulm vdekjeprurës”.

Për këtë lajm u përdorën të dhëna nga AFP dhe Reuters.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button