Ekonomia

Veliaj: Bashkia e Tiranës investon 190 milionë lekë për riparimin e trotuareve të rrugës “Don Bosko”

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, realizuan sot zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë, e cila prej vitesh ndodhej në mes të rrugës “Don Bosko” dhe pengonte kalimin normal të qytetarëve dhe makinave.

Në këtë aksion të përbashkët, ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela, të cilët vlerësuan ndërhyrjen për lirimin e kësaj hapësire, e cila do të sjellë një investim për rehabilitimin e plotë të trotuareve në këtë rrugë.

Veliaj u shpreh se “Bashkia e Tiranës do të vazhdojë një investim prej 190 milione lekë në rrugën ‘Don Bosko’, me të njëjtin standard me të cilin ka investuar në rrugën paralel, që është rruga ‘Dritan Hoxha”. Do të sigurohemi që të ndërhyjmë edhe në kanalizime, për t’u siguruar që ka një lidhje të kolektorëve të ujit. Kjo frymë bashkëpunimi me OSHEE-në i hap rrugë një investimi të ri, jo vetëm në këtë rrugë, por edhe në zona të tjera të Tiranës”.

Veliaj-ne-Don-Bosko-(2)“Ne do të vijojmë me investimet në zonën pas hotel “Tirana”, që njihet si Unaza e Vogël. Për ta kompletuar atë, do të bëjmë sërish zhvendosje të nënstacionit të energjisë elektrike”, tha Veliaj. Gjithashtu, ai shtoi se në bashkëpunim me OSHEE është bërë e mundur që të hiqen kabllot ajrore për t’u vendosur nën tokë. “Në një pjesë të arterieve kryesore të Tiranës, të gjitha kabllot ajrorë janë vendosur nën tokë, për t’u siguruar që më në fund sjellim një erë të re civilizimi në qytetin tonë, duke u shkëputur nga skenat e telave si rrjeta merimangash”, u shpreh Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku i Tiranës foli edhe për protestën e paralajmëruar këtë javë nga Partia Demokratike, duke kërkuar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit që të mos e vandalizojnë sërish qytetin. “Kjo është një javë kur qyteti mirëpret protestën e radhës. I lus organizatorët e protestës që të mos jetë sërish një protestë vandale. Ne nuk do të hezitojmë që të penalizojmë sërish cilindo që shkul një pllakë, që vjedh një pusetë, cilindo që pret një pemë ose që dëmton dekorimet në qytetin tonë”, tha Veliaj.

Ndërkohë, drejtori i OSHEE, Adrian Çela, tha se “Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, gjatë muajit të kaluar, kemi spostuar 6 shtylla të tilla që ishin kthyer në “gangrenë” në akset rrugore të qytetit, kanë mbetur edhe dy shtylla të tjera në zonën e Freskut, të cilat do i spostojmë këto ditë”, tha Çela. Pas bashkëpunimit për lirimin e kabllove ajrore, drejtori i OSHEE deklaroi se do të bashkëpunohet me Bashkinë e Tiranës për çlirimin e hapësirës së nënstacionit që ndodhet pas hotel “Tirana”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button