Kronika

Sali Berisha: Edi Ramën nuk e mundim dot me zgjedhje, por as armët nuk i rrëmbejmë dot

Sali Berisha ka thënë para disa grave se Edi Ramën nuk e mund dot me zgjedhje.

Ai tha se as armët nuk i rrëmbejnë.

Sipas Berishës, Ramën do e mundin me mosbindje civile.

“Beteja që është bërë këto dy muaj, ka qenë një betejë shumë e suksesshme. Parlamenti, siç e shihni, është katandisur në 4 minuta. Është katandisur në klandestinitet. Është katandisur në sallë anekënd me gardistë. De facto ai nuk ekziston më dhe kjo është meritë e jashtëzakonshme e deputetëve të parlamentit.

Së dyti, beteja e tyre kundër meje. Në fakt kjo ka qenë beteja ime kundër tyre. Në fakt ka qenë beteja e Sali Berishës kundër tyre.

Sepse unë i detyrova ata të ndjekin çdo hap në rrugë antikushtetuese, antiligjore.

Pse i detyrova? Sepse janë të tmerruar. Ata janë të trembur nga opozita që nuk e kontrollojnë më.

Edi Rama e ka të qartë si drita e diellit se në pushtet nuk mund të qëndrojë më.

Duhet të jemi të vërtetë. A bëhen zgjedhje në Rusinë e Putinit? Bëhen, tani ka shpallur kandidaturën. A bëhen zgjedhje në Bjellorusi? Bëhen. A bëhen zgjedhje në Mianmar?

Bëhen. Në Venezuelë bëhen.

Por opozita nuk fiton. Askush nuk mendon se Putini mundet me zgjedhje. Askush nuk beson se junta ushtarake mundet me zgjedhje.

Do të ishte një vetëmashtrim i madh në qoftë se mendojmë se e mundim me zgjedhje Edi Ramën. Jo! Kurrë.

Do të ishte absurde nëse mendojmë se ditën e votimit do rrëmbejmë armët për të vrarë, për të asgjësuar kriminelët që nuk lejojnë votimin.

Do të ishte jorealiste nëse mendojmë se ditën e votimit do të bllokojmë thasët e parave që përdoren për të blerë votat.

Këto nuk mund t’i bëjmë ne, por ajo që mund të bëjmë ne është rrëzimi i Edi Ramës.

Ne do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Edi Ramën.

Pra, thashë një kohë kthese reale, një kohë kthese në vendimin e çdo njeriu, të vendosësh të luftosh një diktaturë është një vendim hyjnor për nga rëndësia e tij.

Por të vendosësh të luftosh një diktaturë do të thotë të mbrosh të vërtetën, i gatshëm për sakrifica, duke bërë gjithcka në funksion të saj.

Kjo është ajo pra çfarë kërkon kjo kohë e dytë për ne, për përmbysjen e diktaturës së dytë.

Kjo kërkon që secila nga ju, të bëjë gjithçka me të gjithë rrethin e saj, me të gjithë njohjet e saj, se armën më të fuqishme e kemi ne. Arma më e fuqishme e jona janë qytetarët, janë e drejta, e vërteta.

Duhet të bëjmë gjithçka, por duhet të prijmë vetë me shembullin tonë.

A mundet diktaturat të na rezistojnë ne? Absolutisht kurrë.

Ata organizuan një proces, në fakt procesin e vërtetë ua kam bërë unë atyre. I detyrova të veprojnë si mercenarë, i detyrova të shkelin çdo ligj dhe parim, i detyrova të veprojnë me superurgjencë.

Pra, mosbindja civile, beteja pa kthim me moton o sot o kurrë, ka dhënë rezultatet e para të shkëlqyera. Por këto janë rezultatet e para.

Është në dorën tonë, në dorën e secilit prej jush që të vendosni tulla të tjera në këtë godinë të re, në këtë epokë të re që duhet të çelim, duke e ndarë Shqipërinë nga diktatura e bandave dhe krimit të Edi Ramës.

Ne duhet të mobilizojmë çdo potencial tonin për të larguar këtë armik, që në aspektin e qenies faktohet armik më i egër se çdo diktator që kemi njohur gjer më sot.

Ju falënderoj dhe unë kam shumë besim te ju, se në kontributin tuaj, ju sot jeni shumicë. Dhe nuk jemi vetëm shumicë numerike, por edhe shumicë cilësore.

Pra, realisht askush nuk ka më në dorë fatin e këtij vendi, e këtij kombi, e shpresës dhe të ardhmes së tij më shumë se ju”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button