Te ndryshme

Çudia: Përse është Vladimir Putin gjithnjë me vonesë në takime?

Vonesa e Presidentit rus është legjendare, duke e lënë Papa Françeskun përsëri në pritje, John Kerry-n të pasigurt për mbërritjen e tij dhe ish-gruan në lot në stacione metroje, Putin ka habitur miliona njerëz me sjelljen që nuk dihet çfarë emri t’i vihet …

Durimi është një virtyt, por pak njerëz do ta linin Papën të priste. Vladimir Putin është një përjashtim, megjithatë Presidenti rus është shfaqur me një orë vonesë në takimin e tij të së mërkurës në Vatikan.

Vonesa e Putinit është shumë e njohur. Gazetarët që punojnë me çështjet politike në Kremlin presin rregullisht disa orë përpara takimeve, pasi ato rrallë fillojnë në kohë.

Vonesa e tij varion nga lideri në lider dhe sipas kuptimit të Putinit, një orë pritje është një shenjë respekti. Ai ishte 50 minuta me vonesë në takimin e tij të parë me Papa Françeskun në vitin 2013.

Presidenti i larguar i Ukrainës, Viktor Yanukovych, dikur u la në pritje për katër orë, ndërsa liderët europianë zakonisht raportojnë të kenë pritur një ose më shumë orë.

Kjo moskorrektesë e Presidentit rus daton që nga fillimi i presidencës së tij. Ai ishte 14 minuta vonë për mbretëreshën Elizabet në vitin 2003 dhe një vit më herët i mbajti prindërit e fëmijëve të vrarë në një përplasje avioni të prisnin për dy orë në varreza.

Në vitin 2012, Putini ishte tre orë me vonesë për një takim me John Kerry-n në Moskë, duke e lënë sekretarin amerikan të Shtetit të shëtiste në Sheshin e Kuq, duke u vërtitur më kot përpara se t’i jepej drita jeshile nga Kremlini.

Nuk ka raste për liderë që thjeshtë kanë hequr dorë në vend që të presin.

Duke qenë se Putini ia del të shkojë në kohë në konferenca televizive dhe në ngjarje të caktuara, prezumimi i përgjithshëm është që vonesa e tij kur takohet me politikanë të tjerë vendas dhe ndërkombëtarë është një çështje psikologjike dhe politike.

Por të qenët vonë është diçka që Putini e ka bërë për një kohë të gjatë. Ish-gruaja e tij, Lyudmila Putina, dikur tregoi për vonesën e tij në takimet e tyre të para, gjë që i kishte shkaktuar asaj lot.

“Unë nuk isha kurrë vonë, por Vladimir Vladimirovich ishte gjithnjë. Një orë e gjysmë ishte normale. Më kujtohet që sorollatesha në metro. Pesëmbëdhjetë minutat e para të vonesës janë në rregull. Edhe gjysmë ore nuk është ndonjë problem i madh. Por kur kalon ora dhe ai nuk ka ardhur akoma, fillon të qash”, tregoi ajo.

Në një shenjë të mundshme që edhe Putini nuk u ndie mirë që e la Papën të priste, Kremlini ndërmori hapin e pazakontë për të shpjeguar vonesën e së mërkurës.

“Është e vërtetë se takimi me Papën ndodhi pak më vonë se koha e planifikuar”, tha për gazetarët rusë zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.

“Kjo ndodhi për shkak se bisedimet në Milano zgjatën pak më shumë nga sa pritej dhe autokolona jonë lëvizi me ngadalë përmes rrugëve të Milanos dhe Romës. Sigurisht, gjatë gjithë kohës ne e mbajtëm në kontakt Vatikanin dhe i shpjeguam vonesën tonë.”

Peskov tha se Françesku dhe Putini patën një diskutim të thellë për rreth një orë, duke prekur çështje ndërkombëtare dhe Ukrainën, si dhe vlerat universale njerëzore që bashkojnë botët katolike dhe ortodokse.

Vatikani tha se diskutimi u bë kryesisht mbi çështjen e Ukrainës dhe se Papa bëri thirrje për paqe në vend. Putinit gjithashtu iu dha një medalje “engjëll i paqes”.

Zëdhënësi i Putinit kritikoi Kenneth Hackett, ambasadorin amerikan në Selinë e Shenjtë, i cili tha përpara takimit se ai shpresonte që Papa “do të thoshte më shumë për shqetësimet mbi integritetin territorial” në Ukrainë.

“Të mendosh se ke të drejtën t’i japësh mendje Papës, kjo është ç’është”, tha Peskov. “Ta themi me seriozitet, është një përpjekje fyese për të prekur sovranitetin e një shteti tjetër.”

Vonesa sipas psikologjisë është një fenomen që u ndodh njerëzve që nuk duan të jenë herët. Ajo mund të bëhet me qëllim ose jo. Shumë persona mendojnë se të jesh herët është humbje kohe, pasi të duhet të presësh për bashkëbiseduesin. Të tjerë mund të vonohen, pasi duan të përcjellin mesazhin se janë të zënë dhe se koha e tyre është tepër e çmuar.

*Burimi: “The Guardian”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button