Kronika

Faturat e papaguara të OSHEE, shtyhet afati për mësuesit

Fundi i janarit, mundësia e fundit për arsimtarët. Ndëshkimet nisin në shkurt 

31 janari është afati i fundit që MAS ka vendosur në dispozicion të mësuesve për të shlyer borxhin që i kanë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për faturat e papaguara

Nga Shpresa Mezini

Radha-te-OSSHEMësuesit do të kenë edhe 25 ditë kohë më shumë për të paguar faturat e prapambetura të energjisë elektrike. 31 janari është afati i fundit që Ministria e Arsimit ka vendosur në dispozicion të mësuesve për të shlyer borxhin që i kanë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, si pasojë e mospagesës së faturave të energjisë elektrike në shtëpitë e tyre. “Qëllimi i MAS është që mësuesit të paguajnë debitin ose të lidhin kontrata me zyrat e OSHEE-së për të paguar borxhin me këste, për të mos i rënduar ata që nuk arrijnë t’i paguajnë të gjitha paratë njëherësh”, sqarojnë burime në Ministrinë e Arsimit, të cilët theksojnë se marrja e masave drastike do të fillojë me përfundimin e muajit janar, që praktikisht është alternativa e tretë që MAS ofron pas dy afateve të tjera për shlyerjen e faturave të prapambetura. Burime në MAS shpjegojnë për gazetën “Shqip” se fillimisht mësuesve iu la si afat përfundimtar për shlyerjen e detyrimeve data 27 dhjetor, afat që u shty sërish deri më datë 5 dhjetor, ndërsa dje është vendosur që data e fundit për të kryer pagesat dhe dorëzuar vërtetimet, që provojnë se borxhi është shlyer është data 31 janar, mundësia e vetme dhe e fundit. Deri më tani mësohet se Ministria e Arsimit nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj arsimtarëve që nuk i kanë paguar faturat e prapambetura deri më datë 5 janar të këtij viti, por nuk do të ngurrojë nëse në sistemin e OSHEE-së do të gjenden sërish arsimtarë që nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre, që më këtë veprim do të rrezikojnë edhe vendin e punës. Sipas të dhënave që disponon gazeta “Shqip”, në disa raste sistemi ka nxjerrë debitorë disa mësues që praktikisht nuk kanë qenë debitorë të energjisë elektrike, një tjetër arsye që ndikoi në shtyrjen e afatit, pasi mësuesit në fjalë janë detyruar të pajisen me një vërtetim të ri për të provuar që i kanë paguar rregullisht faturat e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre, veprim që gjithsesi ka kërkuar kohë përtej datës 5 janar. Burime në Ministrinë e Arsimit tregojnë se që prej muajit dhjetor e deri më tani mësuesit kanë dërguar dhe vazhdojnë të dërgojnë në drejtoritë arsimore përkatëse vërtetimet, që tregojnë se i kanë paguar faturat e papaguara të energjisë elektrike apo që kanë lidhur kontrata për pagesë me këste të shumave të parave të mbetura borxh ndaj OSHEE, prej ditësh, javësh, muajsh apo vitesh të tëra. Aktualisht në drejtorinë e financës në Ministrinë e Arsimit janë depozituar një sërë vërtetimesh të marra nga zyrat përkatëse të OSHEE, pasi kanë likuiduar pagesat e pashlyera të energjisë elektrike, por nuk raportohet ende numri në total i tyre. Ajo që dihet me siguri është se numri i tyre është i konsiderueshëm, ndërsa aktualisht po përgatitet një bilanc me të dhënat e mësuesve debitorë që kanë paguar faturat e energjisë, por edhe të atyre që pavarësisht urdhrit të MAS, për të paguar faturat e energjisë refuzojnë ta kryejnë këtë veprim. Drejtoritë dhe zyrat rajonale do të jenë ato që do të përgatisin të dhënat për t’ia dërguar më pas Ministrisë së Arsimit, e cila do të marrë edhe masat e nevojshme. Sqarohet se Ministria e Arsimit nuk ka dërguar urdhër me shkrim në Drejtorinë Arsimore Tiranë apo në drejtoritë dhe zyrat e tjera rajonale në mbarë vendin. Institucionet e sipërpërmendura janë njoftuar nëpërmjet postës elektronike nga Drejtoria e Financës në MAS, ku u bën thirrje drejtuesve të njoftojnë arsimtarët që të paguajnë faturat e prapambetura të energjisë elektrike, përndryshe do të merren masa drastike, deri në shkarkimin e tyre nga detyra. Ndërkohë, drejtorët e shkollave janë sqaruar se mund ta zgjedhin vetë metodën e komunikimit me mësuesit, me qëllim sigurimin e saktë të informacionit. Zyrtarisht thuhet se ky urdhër ka dalë bazuar në një kërkesë urgjente të Kryeministrit, kërkesë e cila është përcjellë në të 12 qarqet nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të MAS, Plarent Ndreca.

Statusi

Rama: Mos humbisni ofertën lehtësuese deri më 28 shkurt!

“Të paguash energjinë sot do të thotë të investosh për nesër! Për veten dhe për vendin. Kush nuk ka lidhur ende marrëveshje, të mos e humbasë ofertën lehtësuese deri në 28 shkurt. E pamë të gjithë se si moti i rënduar i fundvitit nxori në dukje edhe njëherë, kudo nëpër Shqipëri, gjendjen e mjerë, ku është katandisur në njëzet vjet sistemi i shpërndarjes së energjisë. Si mund të ishte ndryshe pas njëzet vjetësh vjedhje pafund dhe investime me pikatore!…”, shkruan Kryeministri Edi Rama, në një status në rrjetin e tij social Facebook. Bashkëngjitur kësaj thirrjeje, që do të jetë mundësia e fundit për pagesat e prapambetura të energjisë elektrike, Kryeministri vijon se duke u kthyer në rrugën e ligjit, duke ulur vjedhjet, rritur arkëtimet dhe nisur investimet reale në rrjet, ka filluar një ndryshim vërtet historik. “E sa më shpejt t’i japim fund vjedhjes dhe mospagimit korrekt të energjisë, aq më parë do të kemi jo vetëm një rrjet shpërndarjeje të rimëkëmbur, por edhe mundësi të reja për investime në sektorët e tjerë. Më shumë për arsimin, shëndetësinë e me radhë, me paratë që deri sot kanë shkuar për të mbuluar gropën e hajdutërisë çmendurake që zgjat prej dy dekadash – Jo pak, 150 milionë euro çdo vit! Kurajë!”, apelon dhe inkurajon Rama, qytetarët shqiptarë, nëpërmjet rrjetit social Facebook, që sipas tij tanimë duhet të çohen dhe të paguajnë çdo borxh që i kanë mbetur OSHEE-së jo vetëm për veten dhe familjet e tyre, por edhe për shtetin, i cili me grumbullimin e këtyre të ardhura premton investime dhe rritje të buxhetit në disa sektorë të rëndësishëm të jetës sonë të përditshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button