Ekonomia

Dështon Spitalla, skualifikohen kinezët dhe kompania italiane Rendur, ja letrat e refuzimit

bTenderi për zonën e lirë të Spitallës në një sipërfaqe prej 500 hektarësh për 99 vjet ka dështuar. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka njoftuar zyrtarisht dy kompanitë pjesmarrëse, atë kineze dhe italiane se janë skualifikuar. Në përgjigjen e dërguar Z. Zhou Xiaohe, Përfaqësues i Bashkimit të Përkohshëm të shoqërive “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co, njoftohen se oferta e tyre është skualifikuar për shkak të mangësive të shumta në dokumentet teknike dhe paraqitje dokumentash të panoterizuara (shih letrën në vijim). Në letrën e drejtuar kompanisë “RENDur” 4 sh.p.k, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e njofton atë se nuk ka mos plotësuar asnjë nga pikat si kusht për kualifikim (shih letrën në vijim).
Tenderi ndërkombëtar për zhvillimin e zonës teknologjike të Spitallës në qarkun e Durrësit u hap në qershor të vitit të kaluar. Përmes tij,  qeveria shpresonte të tërhiqte mbi 1 miliardë euro investime. Në fund të tetorit, vetëm dy kompani dorëzuan oferta. E para ishte konsorciumi i përkohshëm i kompanive kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd”, oferta e të cilëve parashikon një vlerë investimi në shumën e 1.5 miliardë USD për 9 vite dhe synonte hapjen e 90 mijë vendeve pune. E dyta ishte kompania italiane “RENDur4”, që nuk prezantoi një ofertë financiare.

Letra për kinezët
(Bashkimi i kompanive “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co)
Ju falënderoj për pjesëmarrjen në procedurën konkurruese për përzgjedhjen e zhvilluesit të Zonës Teknologjike të Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës, të zhvilluar më datë 28.10.2015 në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Procedura u krye në përputhje me Ligjin Nr. 9789 datë 19.07.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, i ndryshuar dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 646, datë 22.07.2015 “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”. Oferta juaj u vlerësua me kujdes, sipas kushteve dhe kërkesave të përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e ofertës të paraqitur nga ana Juaj. Vlerësimi i Ofertës u realizua me asistencën e shoqërisë “Deloitte Albania Sh.p.k”, e cila në zbatim të pikës 3, të nenit 6, të VKM-së nr. 646, datë 22.07.2015 “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit të Zonës Teknologjike dhe Zhvillimit Ekonomik” më datë 15 Dhjetor 2015 ka lidhur, kontratën me MZHETTS me objekt: “Ofrimi i Shërbimit të Konsulencës për MZHETTS për Vlerësimin e Propozimeve për zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në Spitallë, në qytetin e Durrësit”.

  1. Dokumenti i paraqitur nga shoqëria “Zhejiang Haiteng Investment Co”, “Certifikatë Regjistrimit të Kompanisë “Zhejiang Haiteng Investment Co”, që përfaqëson dokumentin analog të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit në Republikën e Shqipërisë, është lëshuar nga Administrata e Quzhou-t për Industrinë dhe Tregtinë më datë 16.04.2013, kjo e vërtetuar nga vërtetimi noterial i lëshuar nga zyra e noterit publik të Dongfang-ut më datë 09.10.2015. Në bazë të kërkesave të përcaktuara në Dokumentet Standarde të Konkurruese të publikuara nga MZHETTS për procedurën përzgjedhjes konkurruese të Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës, në Shtojcen 3 “Kriteret e kualifikimit dhe vlerësimit”, citohet se, “Të gjitha dokumentet e kërkuara në “Kriteret e përgjithshme të kualifikimit” duhet të jenë lëshuara nga Autoritetet përkatëse jo më vonë se 3 muaj nga data e hapjes së ofertave. Sa më lart, Certifikata e Regjistrimit të Kompanisë “Zhejiang Haiteng Investment Co” e paraqitur në konkurrim nga bashkimi i kompanive kineze nuk e përbush kriterin e mësipërm.

  2. Dokumenti i paraqitur nga shoqëria “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co”, “Certifikatë Regjistrimit të Kompanisë “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co”, që përfaqëson dokumentin analog të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit në Republikën e Shqipërisë, është lëshuar nga Administrata e Pekinit, për Industrinë dhe Tregtinë dega e Shijingshanit më 23.01.2015, kjo e vërtetuar nga vërtetimi noterial i lëshuar me datë 09.10.2015 nga zyra e noterit publik të Dongfang-ut. Në bazë të kërkesave të përcaktuara në Dokumentet Standarde Konkurruese të publikuara nga MZHETTS për procedurën përzgjedhjes konkurruese të Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës, në Shtojcën 3 “Kriteret e kualifikimit dhe vlerësimit”, citohet se, “Të gjitha dokumentet e kërkuara në “Kriteret e përgjithshme të kualifikimit” duhet të jenë lëshuara nga Autoritetet përkatëse jo më vonë se 3 muaj nga data e hapjes së ofertave. Sa më lart, Certifikata e Regjistrimit e Kompanisë “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co” e paraqitur në konkurrim nga bashkimi i kompanive kineze nuk e përmbush kriterin e mësipërm.

  3. Në Dokumentet Standarde Konkurruese të publikuara nga MZHETTS për procedurën përzgjedhjes konkurruese të Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës, në Shtojcën 3 “Kriteret Teknike dhe Profesionale” theksohet se, në rastet e bashkimit të operatorëve ekonomikë, kërkesat teknike dhe financiare duhet të përmbushen nga i gjithë grupi i marrë së bashku në përputhje me përqindjen e pjesëmarrjes në punë/shërbim sipas aktmarrëveshjes. Sipas “Kontratës së përkohshme të sipërmarrjes” të lidhur ndërmjet palës A e përfaqësuar nga shoqëria “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe palës B e përfaqësuar nga shoqëria “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co” e lidhur me datë 9 shtator 2015 përqindja e pjesëmarrjes për shoqërinë “Zhejiang Haiteng Investment Co” është 56.65 % dhe për shoqërinë “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co 43.35 %. Sa më lart, nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur, nga komisioni u konstatua se: nga ofertuesi “Bashkimi i shoqërive kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co”, plotësohet vetëm kërkesa që i përket kapaciteteve financiare, e plotësuar në përputhje me përqindjen e pjesëmarrjes. Ndërsa, përsa i përket kërkesave teknike, ato janë plotësuar totalisht nga shoqëria “Zhejiang Haiteng Investment Co” duke mos u ndarë në % sipas kontratës së përkohshme.

  4. Në Dokumentet Standarde Konkurruese të publikuara nga MZHETTS për procedurën përzgjedhjes konkurruese të Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës, në Shtojcën 3 “Kriteret e Përgjithshme për Kualifikim” theksohet se, në rastet e bashkimit të operatorëve duhet të paraqitet “Marrëveshja e noterizuar, sipas së cilës, bashkimi i operatorëve ekonomikë është krijuar zyrtarisht”; “Kontrata e përkohshme e sipërmarrjes” e lidhur ndërmjet palës A e përfaqësuar nga shoqëria “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe palës B e përfaqësuar nga shoqëria “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co”, nga Zyra e Noterit Publik të Bejing Dongfang më datë 17.09.2015 është kryer vetëm noterizimi i firmës dhe vulës se dy shoqërive dhe jo bashkimi i dy shoqërive.

  5. Në dokumentet të paraqitura nga shoqëria “Zhejiang Haiteng Investment Co”, “Mbi personelin tekniko profesional” dhe “Profili i kompanisë”, në të cilën përfshihen një sërë dokumentesh si: licenca, diploma etj., të lëshuara nga institucionet shtetërore dokumentacioni, janë kopje të panoterizuara ( noterizimi është vetëm për përkthimin). Në Dokumentet Standarde Konkurruese të publikuara nga MZHETTS për procedurën përzgjedhjes konkurruese të Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës, në Shtojcën 3 “Kriteret e teknike dhe profesionale” dokumentet e paraqitura duhet të jenë origjinalë ose kopje të noterizuara të tyre. Rastet e mosdorëzimit të një dokumenti, ose të dokumenteve të rreme e të pasakta, konsiderohen si kushte për skualifikim.

  6. Në dokumentet e paraqitura nga shoqëria “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co” “Mbi profilin e kompanisë” përfshihen dokumentet e listuara si: Certifikata e Besueshmërisë, Certifikata e Kodit të Organizates, të lëshuar nga Zyra e Kontrollit të Cilësisë dhe Karantinës, Rrethi Shijingshan, Pekin, Kinë dhe Licensë Biznesi Person Juridik Ndërmarrje dhe Vërtetim i Regjistrimit Tatimor lëshuar nga Zyra Shtetërore e Tatimeve Pekin, janë kopje të panoterizuara ( noterizimi ështe vetëm për përkthimin). Në Dokumentet Standarde Konkurruese të publikuara nga MZHETTS për procedurën përzgjedhjes konkurruese të Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës, në Shtojcën 3 “Kriteret e teknike dhe profesionale” dokumentet e paraqitura duhet të jenë origjinalë ose kopje të noterizuara të tyre. Rastet e mosdorëzimit të një dokumenti, ose të dokumenteve të rreme e të pasakta, konsiderohen si kushte për skualifikim.

  7. Nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave me shkresën nr.8188/3, datë 11.11.2015 i është kërkuar bashkimit të shoqërive “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co” sqarim në lidhje me termin e përdorur në plan biznesin e paraqitur nga ana e tyre “shpenzime toke”. Me shkresën nr. 8188/4, date 12.11.2015, në sqarimin që ka dhënë Ofertuesi Kinez, le të nënkuptoje se koston e shpronësimit të truallit privat nuk mbulohet nga zhvilluesi. Në Dokumentet Standarde Konkurruese të publikuara nga MZHETTS për procedurën përzgjedhjes konkurruese të Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës “Termat e References”/ në pikën C përcaktohet se, koston e shpronësimeve e mbulon zhvilluesi.

  8. Sipas analizës që i është bërë planbiznesit është vërejtur se, ka shumë paqartësi në lidhje me investimin që do të kryhet në këtë zonë, në lidhje me ndarjen e investimin për ndërtimin e infrastrukturës dhe ndërtimin e ndërtesave industriale. Gjithashtu, në planbiznes nuk jepet e qartë se, nga kush do të sigurohet financimi për ndërtimin e zonës dhe si do t’i mundësohet shlyerja e këtij financimi.

  9. Në Raportin Teknik është paraqitur një material jo i thelluar duke mos deklaruar një hulumtim për teknologjinë që do të përdoret, nuk është paraqitur asnjë plan teknik dhe inxhinierik i zonës, nuk është paraqitur plan zbatimi/ plan operacional dhe metodat për mirëmbajtjen e zonës. Përsa i përket investimit, jepen të dhëna shumë të përgjithshme. Nuk janë parashtruar investimet në drejtim të krijimit të kushteve në lidhje me krijimin e situatave emergjente në zonë. Në projekt-ide është paraqitur vizualisht kufiri rrethues i pronës, por nuk është shpjeguar asgjë për tipologjinë e këtij rrethimi.

  10. Ne raportin e ndikimit mjedisor, identifikimi i ndikimeve në komponentët e mjedisit nga zbatimi i planit të propozuar është kryer në mënyre sipërfaqësore dhe nuk shprehen qartë se cilat do të jenë këto ndikime, rrjedhimisht edhe masat e propozuara në këtë raport për shmangien apo minimizimin e ndikimeve në mjedis. Nëse mendoni se, Institucioni Përgjegjës ka shkelur gjatë procedurës konkurruese, Ligjin Nr 9789 datë 19.07.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, i ndryshuar dhe VKM Nr 646, datë 22.07.2015 “Për përcaktimin e Procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, atëherë keni të drejtë të filloni një procedurë ankimimi siç parashikohet në aktet e mësipërme ligjore dhe nënligjore. Edhe pse nuk mundëm të përdornim shërbimet tuaja në këtë rast, besoj se do të vazhdoni të jeni i interesuar në nismat tona.

Letra për “RENDur” 4 sh.p.k

Ju falënderoj për pjesëmarrjen në procedurën konkurruese për përzgjedhjen e zhvilluesit të Zonës Teknologjike të Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës, të zhvilluar më datë 28.10.2015 në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Procedura u krye në përputhje me Ligjin Nr. 9789 datë 19.07.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, i ndryshuar dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 646, datë 22.07.2015 “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”. Oferta juaj u vlerësua me kujdes, sipas kushteve dhe kërkesave të përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e ofertës të paraqitur nga ana Juaj.

Në bazë të kërkesave të përcaktuara në Dokumentet Standarde Konkurruese të publikuara nga MZHETTS për procedurën përzgjedhjes konkurruese të Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Spitallë, Durrës, në Shtojcën 3 “Kriteret e kualifikimit dhe vlerësimit” pika A “Kritere Administrativo Ligjore” nga ana Juaj është dorëzuar vetëm Ekstrakti Historik i lëshuar nga Qendra e Kombëtare e Regjistrimit duke mos plotësuar asnjë nga pikat si kusht për kualifikim. Nëse mendoni se, Institucioni Përgjegjës ka shkelur gjatë procedurës konkurruese, Ligjin Nr 9789 datë 19.07.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, i ndryshuar dhe VKM Nr. 646, datë 22.07.2015 “Për përcaktimin e Procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, atëherë keni të drejtë të filloni një procedurë ankimimi siç parashikohet në aktet e mësipërme ligjore dhe nënligjore. Edhe pse nuk mundëm të përdornim shërbimet tuaja në këtë rast, besoj se do të vazhdoni të jeni i interesuar në nismat tona.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button