Ekonomia

Kriza në industrinë minerale: Fillon mbyllja e minierave, 20 të tilla në Martanesh

aaaaaPas kompanive të nxjerrjes së naftës, edhe sipërmarrjet që shfrytëzojnë minierat kanë filluar të ulin nivelin e përpunimit, e madje të mbyllin bizneset. Në zonën e Martaneshit, llogariten gati 20 miniera që kanë mbyllur aktivitetin. Sipërmarrësit ankohen për përllogaritjet e pasakta e në kurriz të tyre të rentës minerale.. Industria minerale në vend prej muajsh përçon vetëm lajme të këqija në ekonomi, ndërsa reflekset e Ministrisë së Energjisë, si përgjigje për të kundërpeshuar sadopak këto probleme, duken ende “të vdekura”. Sipërmarrësit e minierave, të cilët zhvilluan një takim me ministrin e Ekonomisë pak javë më parë, nuk kanë asnjë lajm nga hapat e kërkuar nga Ministria e Energjisë, ndërsa lajmet që u vijnë nga tregu global i çmimeve janë gjithnjë e më të hidhura.
Në zonën e Martaneshit, numërohen rreth 150 miniera që nxjerrin e tregtojnë krom. Për shkak të uljes së çmimeve dhe barrës së rëndë të taksave, mbi 10% e tyre vlerësohet të kenë mbyllur aktivitetin këtë dimër. Kushtet e vështira të motit janë një prej arsyeve, të vëna në dukje nga çmimet e ulëta dhe tarifat aspak “tolerante”.
Rakip Koka, një prej sipërmarrësve kryesorë në këtë zonë, tregon se të tjera kompani po ulin investimet e nivelin e nxjerrjes së kromit. Ulja e çmimeve, më shumë se përgjysmë, ka nxjerrë në pah problemet me taksat. Sipërmarrësit kanë kërkuar së fundi të rishikohet përllogaritja e rentës minerare. Aktualisht, ajo llogaritet mbi një çmim reference më të lartë se çmimi i tregut mbi çmimin përfundimtar, ku përfshihet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Në sasitë e tregtuara nuk hiqet as niveli i lagështisë, i cili në dimër arrin në 10% të sasisë që tregtohet. Për të gjitha këto arsye, sipas tregtarëve, renta kalon nga 6% e çmimit në 9%.

Si ndryshon renta nga teoria në praktikë

Renta minerale e kromit si referencë e çmimeve sot është 6% e shumës totale të faturës me shumicë. Ky nivel rente nuk është në bazë të çmimit në tregjet ndërkombëtare (me të cilin tregtarët shesin sot). Çmimi i kromit bazë 40% ka zbritur në rreth 15 mijë lekë për ton. Por tregtarët vërejnë se për efekt të rentës, kromi u llogaritet në doganë në bazë të çmimit referencë të vitit 2012, të vendosur nga komisioni ‘ad hoc’. Çmimi i kromit bazë atëherë ishte 20,500 lekë për ton. Nëse me çmimin aktual, renta do të arrinte me 6123 lekë për ton, me çmimin e “vjetër” të referencës, çmimi i rentës arrin në 9180 lekë për ton. Për këtë arsye, tregtarët thonë se paguajnë 3 mijë lekë më shumë për ton, ose një nivel rente shtesë 2 pikë përqindje. Pra renta reale arrin nga 6% në 85%. Sipas tregtarëve, kjo diferencë ka më shumë se një vit që merret në mënyrë të jashtëligjshme. Ata kërkojnë që komisioni ‘ad hoc’ të mblidhet më shpesh dhe të ketë përfaqësues nga biznesi për të azhurnuar çmimet e referencës. Por barra e përllogaritjeve jo të sakta nuk ndalet këtu. E gjithë kjo bie në sy në kushtet e vështirësuara të tregut, për të cilat deri më tani, edhe vetë tregtarët duket të kenë qenë tolerant.
Renta mbahet mbi materialin bruto, duke mos hequr nga përllogaritjet nivelin e lagështirës. Sipërmarrësit thonë se, lagështia është 3-5% për kromin dhe 5-10% për koncentratin e tij. Kjo mbajtje e rentës, sipas tyre, bie në kundërshtim me ligjin dhe vetë referencën, e cila është për mineralin e thatë dhe jo rentën mbi ujë. “Ky fakt na detyron që në doganë ta përfshijmë lagështirën në faturë si të ardhur, por ne arkëtojmë vetëm vlerën e mineralit pa lagështirë në vendet ku eksportojmë”, thotë Koka. Për shkak të lagështisë, tregtarët llogarisin se paguajnë afërsisht 1% rentë shtesë. Përqindja e rentës shkon kështu në 9% të së gjithë vlerës totale dhe jo 6% siç është në ligj. Sipërmarrësit e Martaneshit vlerësojnë se kosto mesatare e prodhimit të kromit varion nga 12 mijë në 14 mijë lekë për ton. Renta ka shkuar në 9% ‘de facto’, pasi komisioni nuk ka azhurnuar çmimet e referencës.

Renta

6% – renta “de jure”
9% – renta “de facto”

Rentë edhe mbi TVSH?!

Një rast edhe më flagrant abuzimi me pagesën e rentës është kur shitja bëhet brenda vendit. Në ligjin nr. 9975 për Taksat Kombëtare, thuhet se mbahet renta minerare, duke shumëzuar vlerën e faturës tatimore me 6%. Pra renta mbahet edhe mbi vlerën e TVSH-së, një fakt që nuk njihet në vende të tjera.
Për t’i bërë gjërat teknike sa më funksionale, ekonomistët thonë se duhet të merret mendimi i grupeve të interesit në këto raste, pasi ata janë më të azhurnuar me informacionet e tyre mbi tregjet.

Fenomene

Çmimi i referencës së kromit për efekt taksash është ai i vitit 2012 (mbi 200 mijë lekë për ton) ndërsa çmimi real ka zbritur nën 15 mijë lekë për ton. Doganat nuk përjashtojnë lagështirën nga çmimi e renta, e nuk përjashtojnë TVSH-në kur kromi shitet brenda vendit.

Edhe kromi si bakri

Një prej lajmeve më të hidhura nga industria nxjerrëse erdhi në shtator, kur e vetmja kompani e nxjerrjes, pasurimit dhe eksportit të bakrit në vend, Beralb, mbylli aktivitetin. Numri i punëtorëve që mbetën pa punë ishte 300. Gjithçka për faj të çmimeve të ulëta që arritën në nivelin e kostove të prodhimit. Kjo shoi çdo lloj interesi për të prodhuar, edhe pse kompania ishte optimiste në fillim të vitit dhe kishte shumë investime. Drejt kësaj rruge duken edhe minierat e kromit. Vlera e çmimit (15 mijë lekë për ton) po i afrohet vlerës së kostos së prodhimit (12-14 mijë lekë për ton) duke rrezikuar të zhdukë tërësisht interesin e hapjes së minierave.

Kromi e bakri, në gjurmët e naftës

Çmimet e naftës në botë vijojnë të bien teksa inventarët e naftës bruto të SHBA-së arritën nivele rekord, shqetësimet rreth ngadalësimit ekonomik global rënduan mbi tregjet. Goldman Sachs vlerëson se çmimet do të vijojnë të jenë të ulëta dhe të paqëndrueshme deri në gjysmën e dytë të vitit. Nisur nga sinjalet që prodhuesit janë ende të gatshëm të pranojnë çmime të ulëta, në qoftë se kjo u jep atyre pjesë të tregut, Irani ofroi për Azinë naftën e tij të papërpunuar me zbritje përkundër rivalit të tij, Arabisë Saudite. Kontratat e së ardhmes për treguesin referencë të naftës së papërpunuar europiane, Brent, u tregtuan javës së kaluar me 30.44 dollarë për fuçi, me një rënie 40 cent.
Kontratat e së ardhmes për treguesin referencë të naftës së papërpunuar amerikane, WTI ishin në 26.88 dollarë për fuçi, 57 cent më ulët dhe jo shumë larg shifrës 26.19 dollarë për fuçi që arriti brenda ditës nivelin më të ulët në janar dhe që përfaqësonte shifrën më të ulët që nga viti 2003. Ulja e çmimit të naftës ndikoi në uljen e eksporteve tona vitin e kaluar dhe paralajmëron një ulje edhe më të fortë këtë vit. Prodhuesi më i madh i naftës, Bankers, ka paralajmëruar se nuk do të bëjë shpime të reja, ndërsa shumë kompani të tjera të përmasave më të vogla e që shfrytëzojnë vendburimet e naftës ose kanë tkurrur aktivitetin në nivele minimale, ose kanë dalë në shitje, duke hequr dorë tërësisht nga mundësia për të ushtruar aktivitetin. Në gjendjen e kompanive të nxjerrjes së naftës rrezikojnë të shkojnë edhe sipërmarrjet në sektorin e mineraleve të ngurta. Çmimet e ulëta rrezikojnë t’i çojnë në kolaps ato që u bënë prioritet investimesh të huaja e vendase, pak vite më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button