Arte

Pikëpyetje mbi historinë e fotografisë shqiptare

Nëse intuita të rrek e lodh, ta mbërthen hamendësinë dhe, nuk ta lëshon të vërtetën … kur të ta përshfaqë ç’fshihte, hidhesh gufant i lumturuar, fitimtar dhe Zot. Ndien gurgullimë nga brenda, një si melodi pëlqyese, një si ngopje shpirti, ta gris tymnajën dhe, në pamjen plot kthjelltësi, shpejton ta kapësh ç’kërkoje… Ja pra sesi: intuita cytëse më pat pëshpëritur paprerë: … ka ndodhur një mrekulli! Qenka ndalun çasti i ecunisë shkodrane. Me artin më të ri qenka ndalun: fotografinë … Për herë të parë qenka ndalun – në Shkodrën time. Ndër të parat herë qenka renditur – krahasuar edhe me botën tejtutje … e paska ndalun Jozef Székely … hungarezo-austriaku, vjenez, i caktuar me detyrën për ta ndalur. E paska ndalun për së pari jetësinë shkodrane, pa hile, pa mbrapakode … kështu e paska ndalun. Pa faj e pa gabime. E paska shënuar çastin e ndalun … E paska shënuar e vulosun adresimin dhe kohën … Shkodër, fundgushti 1863. Adresime pa të cilat fotografia e humbet memorien … çorodit dhe lodh përtejkohën. Jozef Szèkely i paska plotësuar detyrat. Paska mëshuar forcë sigurie mbi tavan të vulës: PHOTOGRAPHIE – VON DR SZÉKELY WIEN- 1. ELISABETHSTRASSE 2. Dhe, kjo thotë e vulos parësinë profesionale. E paska angazhuar AAS (Akademia Austriake e Shkencave), dhe kjo shty tutje rastësinë … kjo rrezon e duk parësinë dhe, gjithsesi, duk interesin për Shqipërinë time. Vendi dhe datimi adreson dhe saktëson kohën e ngjarjeve. Mbi truallin e shqipes, kësohere, rendit e vulos fillesat fotografike.

Dhe, fillesa fotografike mbi truallin shqiptar ndodhi më 1863. Fundgushti, 1863. E diel, pasdreke, 23.08.1863.

1 (1)Ndodhi herët, më saktë, njëkohshëm me botën fotografike të specializuar, që pat nisun të derdhej anembanë globit … ndodhi: kur, sosi në Kinë … asohere kur, amerikani Milton Miller, hapi studion (atelienë) e parë fotografike në Hong–Kong (1860). Kur fotografia eksperimentale nisi të ngutej edhe për në skutat e ngjarjeve, si fjala bie, punë ditësh, nja një muaj para Szèkely në Shkodër – korrik 1863 – dhe ca më pas, amerikani Tmothy H. O’Sullivan, fotografonte të pajetët e fushës së të vdekurve në Gettysburg, Pennsylvania … thënë më adresuar për shqiptarët: të vrarët e Luftës së Madhe Civile, amerikane. Luftë që e cyste e drejta e heqjes së skllavërisë. Për mbrojtjen dhe ligjin e së cilës, presidenti i namshëm Abraham Lincoln e pësoi me atentat (1865). Ca muaj më parë atentatit dhe, pak muaj mbas kohëqëndrimit të Jozef Szèkely në Shkodër, Matu Brani e fotografoi presidentin Lincoln (1864) – ndër rrallësitë e para, të ulej kohëpërgjatë burri i madh i shtetit, përballë fotografit të bezdisshëm …! – portret që e shikon sot mbarë bota, sapo merr në dorë monedhën pesëdollarëshe. Macahere pra, në kapërcyell të viteve 1850 dhe në fillesë të ’60-s kur, Rozhe Fenton – atje eksperimentoi me të vdekunit e palëvizshëm të luftës së Krimesë. Për së pari kështu në vakitë fotografike (1855). Avokati anglez, qëçmendej mbas sajesave fotografike, ngarkoi 36 pajisje të nevojshme, që peshonin mijëra kg, i hipi vaporit në Balaklava dhe, turravrap në Krimenë e Detit të Zi … Nga ku, të vdekunit e shtrirë, e ngrinë përjetshëm çastin e ndarjes nga gjallesa … pamje pa fjalë që i tmerruan njerëzit. Dhe, do thënë mëshuar edhe për tjetër gjë: të shtrirët e pafrymë … se, veprimi luftarak në lëvizje apo lëvizjen e madhe teknikisht, ende nuk e bënte fotografia. Jozef Szèkely fotografoi zyrtarisht në Shkodër edhe kur, Julia Margaret Cameron, gruaja e parë – me parësi të namshme edhe mes burrash kështu – kulmonte e ngjitej në shkallët e namit artistik me pamjet: “Mary Hillier, Elizabeth and Kate Kuhn” apo “Paul and Virginia”(1864), apo …(?!) Jozef Szèkely fotografoi artistikisht në Shkodër, asohere kur, mjeshtri i madh Nadar (Gaspard Felix Tournanchon), guxoi të fotografonte së pari që nga ballkoni (1858), “Gruaja me kostum” (1865), portretizoi, kohëshpërndarë në ato vite, serialin e madamave parisiane: Lafange, Delna, Jeanne Harding, ku do të veçojmë Georges Sand (Zhorxh Sand) – portretizuar më 1860-n gruan e manshme burrëruar me pseudonim … Mbase për të duk lirinë e zaptuar a për të fshehun nëpër romane dashunitë vetjake, me Shopen, Alfred de Muse, a kudiunë … Dhe, dua të jeni të bindun se, mjeshtri Nadar atje në Paris, nuk i portretizoi parisienet – dhe as të veçantën Georges Sand – hiç më mirë e më bukur sesa dr. Jozef Szèkely këtë shkodranen time, këtu …

* * *

U rreka nja 20 vjet ta rrëmoj e latoj ç’më gërricte … Diçka prisja, tjetër nga ç’thuhej,enepse nuk dija ç’pres(?). Veçse, paskam ngjeshun shpirtin, tamam për këtë grua. PërNuse-n shkodrane, me kostum katolik. Jo për kostumin. As për xhinglat e bizhuterive … As për atë qëndrim të një vetëbesimi dinjitoz – siç tha Mark Cohen kur i fshiu mjegullnajën shekullore. Për madhinë e përvuajtjes – them unë – në lodhjen kohëgjatë, durim xhanplasun … nja, 140 vjet. Nuseurtë … e heshtun, përzhytun nën perdepluhurin që fsheh e zbeh vlera. Duke pritun goxha, përherë mendjeshinjestër përtej humbëtisë … Dhe, paska pritun tejdurueshëm, derisa kolegu Mark Cohen (Kohen) më mesazhoi përgëzueshëm në fundvitin 2003.

Për ringjalljen tënde Evi … për veçantinë e mrekullisë më foli, plot entuziazëm u shpreh. Sapo të pat nxjerrë nga gërmadhat, të ç’pluhurosi dhe hiç nuk mburrej për veprën e vlerë. Foli veçse një herë dhe, Cohen, heshti, si të qe doktori që e kreu operimin. Mua, ama, m’i xixi xixat, m’u trand shpirti Evi … të pashë, kur mezi prisje të më shohësh. Dhe, qe puqie njëherësh, qenë shpirtrat që nisën kurajshëm breshëri rrezimesh. Ti përçoje krenari … qe, rraskapitun, dëshirëplasun, goxha kohëgjatë, deri përtej kushsa jetëve. Por, e pathyeshme, qëndrestare, mbi çdo përmasë hutimi. Ngase, nuk e pranoje rënien. Ti kërkoje shpëtim dinjitoz … Kishe harxhuar aq shumë rrezim të magjishëm, rrezim xhani … Derdhun e përpirë nga humbëtira, derdhun më kot për në prehër të pritjes. Edhe pse s’e pranon rënien, gjithsesi, s’bërtet me krenari. Dukesh vërtet e nënshtruar, e mundun, fatterse, nën pluhun e rrënoja. Fatngjashëm dhe sipangjashëm me nusen e Goikos në Legjendën e përfolun botërisht të Kalasë shkodrane Rozafat. Që e murosi mjeshtri i mureve Radi, si fli a kurban, se, ua prishte natën Zana perri … Ngase, duhej një fli për mbarësinë… ç‘rrekeshin aq mundimshëm të ndërtonin ditën të tre vëllezërit dhe usta Radi, rrënohej flurthi natën. Dhe, nusja e Goikos e përjetoi dhembshëm murimin. Kur pa fundin (edhe pse s’e mori vesh tradhtinë …), luftoi për ç’mund të shpëtonte, kërkoi t’i linin syrin dhe gjoksin zbuluar për të parë dhe ushqyer Gjonin vocrrak, tharmin shpirtplasës të nanës si nanat … Ti, ndryshe Evi, ndonëse disi fatngjashëm, prapë, dy veçanti: dy nuse namshekujsh në panteon të Shkodrës me plot nuse … Goikoja, jehonmadhe, që ende nga përtej shekujt deri në mileniume … vijon të rrjedhë bardhësi dhe jetë nga gjoksi bukuri. Ti, në humbëtirë … gjithsesi, disi ndryshe. U mbylle fatcaktuar pa e ditun se po mbyllesh, siç nuk e di kurbani therorinë. Ndryshe nga nusja e Rozafës, ti, u fatcaktove në urti … pa edhe namin se humbe diku në harresë. Derisa të mbështolli, përcolli a volli koha (a Cohen …), m’u në prehër të kohës time. Derisa mbive, sikur, bulëzove shëndetshëm, pa më kthim. Dhe ja: u puqëm. Më në fund mirësia qe me ne. Qe lumni hanamirë takimi. Qe shkëndijë xixë puqja … shtysë e vlim i brendshëm, një si parandiejë pëlqese që, eci e u rrit deri në plotësi. Qesh lodhun duke hamendësuar … ku mund të jesh, në ç’humbëtirë të pat flakun e fshehun fati?! Gjithsesi, ja, përgjatë më së fundi, ashtu, duke u parë sy më sy … U thamë shpirtrave: ngopuni(!). Dhe, rrekem ende të ta mbledh fuqinë, dua të ta rikurdis kurajën. Të ngrihesh përherë Zonjë mbi çdo humbje. Akordet fijendiera të shpirtit po rrekem t’i tufëzoj … Po i latoj dhe stolis me asisoj kordonë ylberi që m’i qëndisi shpirti. Dhe, ç’meriton, po ta jap. Po të vendos në kryeqoshe… Të emërova: Eva e fotografisë shqiptare. Shkronjagdhendun, tashmë, në përjetësi … Eva fillesë e shkencës dhe artit tim. Evi pri vërteti …(!) Amësi dhe ecuni e amësive të mia … në frymë dhe ëndrra.

… Shkodrania ime! …

… me vështrim sypatrembur … inteligjente … portret depërtues … i një gruaje të aftë … me vullnet të fortë … me qëndrim vetëbesimi dinjitoz … – tha ç’tha Mark Cohen. Sapo qe diplomuar me master në farmakologji, ai, kolegu ynë, dr. Jozef Szèkely – i thashë. – Qe rinor, me vrullin e vullnetit si kurrë. I gatoi mjeshtërisht edhe ç’i lypte kolodio e lagështaty, në dystin e suportit të xhamtë … Gatoi mjeshtërisht edhe sesi mund të zgjohej e ringjallej shpirti nën dozimin e barnave … nën pushtetin e rreptë të një mjeshtri: dr.farmakolog … Dr. Jozef Szèkely i mjeshtëroi të dyja. Zbërtheu mirësi shpirti në efekte lumturie … asohere, kur modeli ndërgjegjësohet dhe rri qetë e plot dashje përpara fotoaparatit … përgatiti dhe voli pa të meta produktin e solucionit kimikat që, prej nja njëzet vjetësh, rrekej të figuronte dhe ndalte pamjen si e si më mirë. Dhe, dr. të nderuar, unë i shtova yje në të dyja diplomimet … Ngase, u binda: qe plotësisht i lëshuar në pushtetin e magjisë së mjeshtrive … në çdo çast të pesë orëve të asaj pasdreke të së dielës me dell artisti. Aty, në oborrin e Konsullatës që riparohej, mbase, edhe k’sohere, pa lartuar murin me komshiun … aqsa, çerekmuri pra, kapërcyell që nëpërkëmbej pa hiçhile … ajri paqtore, pa zemëratë, mjedis që s’donte kunja e kufij me banesën ngjitur … Dr. Jozef Szèkely rastisi ku duhej, dhe asohere pra, në pasdreken e së dielës, disi të hirtë … me purpurin e vellos së nderun nën qiell e mbi qytet, me atë tis ndritimi të shpërhapun … pa theksime hijesh, kohë xixëcytëse për fotografi. Veçanërisht, boll përputhëse me arritjet teknike të deriatëhershme. I lodhun nga kotësia e pritjes, përzhytun disi pa dashun në shtykohe muhabeteve me llokma idesh dhe bixhoz uist koti, pa hiç vlerë e shpërblim kesh … tamam nga përse-ja e vonesës së Georg fon Han-it – Jozef Szèkely, e vu re ndritimin e ëndërruar tamam asohere kur po shtryqej në oborr, mbas një dreke gostimiku … me peshk krap në tjegull të nxehtë, me marka vene honesenga dhe, raki meraku nga rrush tajge, kokrra vezake – faqebuçko – verdh’ekuq … që, edhe asoçasteve, vilavareshin në caracin e oborrit të komshisë. Szekely zbriti dhe hapi çanta, kurdisi tripodë aty, në fund të shkallëve, ftoi ç’iu gjend pranë: amvisa, komshia apo përkujdestaria e Konsullatës, iu lut ta ndihmonte dhe, më vonë, nëse mund të qe e gatshme të rrinte paksa përballë, pa lëvizun … si një shenjim sprove për kushediçfarë. Pra: një shenjë shënjimi, një kufi cak, një disi flu në formësimet trunore, njëfarësoj ndihmëtareje, me qëndrim krejt normal që, s’sajonte gjest turpi me qeder … gjithsesi. Shkodrania e mirë, që qe mësuar të përballte tanë sfidat e mirësjelljes me çdo të huaj, s’mori vesh tamam se në ç’rol do të shërbente. Gjithsesi, nuk mohoi, nuk tha jo, nuk mund të thoshte dot jo. Nuk tha dot jo edhe ngase, meqë kuptoi – ashtu, gjest e gjuhëçapaçule – se kjo lloj shërbese duhej më vonë … do të qe e mundun të bisedonte dhe qartësohej edhe me Zonjën plot hire dhe mirësi, në vilën e së cilës qe zonjë e zot kuzhine dhe punëve të tanë mjedisit. Kështu nisi vallia … ashtu si kot. Një shenjë modelimi, apo pozante. Që u sajua shkathtë e bukur dhe, triumfalisht, e vulosi përjetësia. U madhua goxha edhe në bindjen time, themel piedestali u çimentua, tamam fillesë fatlume, asoçasti, aty, nën qiellin shkodran me diell syll … Shkodrania dukagjinase dhe nusja shkodrane, “ngriu …”, “ngriu …” përsëri nusja, përaqsa iu desh t’i“ngrinte …” mjeshtri, që u kurdis pasionant për plot pesë orë … 5 orë iu deshën Dr. Jozef Szèkely për “orkestrimin e dasmës” së madhe. Qe vallja nismë në Shkodrën e shqiptarëve. Një daulle lajmëtare, pa bezdi, ashtu përsmari … tjerasoj, me dasmë e nusendryshe. Një fillesë çudivaki, vakisun në Shkodrën e vakive… Një biçim çakçasti, që çimentoi themel përjetësie. Se … Doli nga sepeti kostumi i nusërisë. Doli, si kurrë tjeraherë. Dolën nga terri i heshtun xhingla e qëndisma që madhonin bukuri, nënshtruese ëmbëlsisht nën vështrimin e kujtdo. Qëndisma e bizhuteri që ofronin e thoshin hershmëri, tregonin mëveten e origjinës, identitet e shkodranizëm katolik. Veshun e stolisun për në ditën e madhe, nusja e dasmës, kandriti në dritë të kandritshme – siç fliste Fishta – u madhua në Eva Kambëzanë … e fotografisë shqiptare. Çorri perçe terri, doli e mbërriti në shkëlqesën e dritës shqiptare, Eva … Nusja e dasmës së madhe … Dasma … pa kamën n’koshiq … pa koçi me katër kuaj… pa kalarime fisnikësh me atllarë e binjira … pa i cinare burrash ke çinari i Zef Zorbës … pa xhingërima, gjerdanë me inxhi e flori … pa xhingla-mingla paje, zhurmante … Dasma ndryshe! … Me nuse në vetmi. Hallexheshë, dëstuar injoruese mbi halle, mendimtare ëndrrangopun, gjithsesi, përzhytun në myti. Ulun pa gajle në qylymin e rastësishëm. Për, gjoja, ca si pushim, mbështetun përanash në çantën e bagazheve të fotografit … bërrylin e djathtë mbi çantë, me kokën e rënduar në shpinën e gishtrijve të përthyer. Nuse, me plot vetëbesim, e gatshme për në udhëtimin e madh. Udhëtimin famoz, gjithsesi. Deri edhe tek unë. Dhe, tej meje, përtej në jetësi … Faleminderit dr. Jozef Szèkely! Kape një çast dhe mirëpërcaktove saktësinë e një adresimi të kohësisë. Dhe kurrë s’tu tha … dhe kurrë s’e more vesh, se ylli i fatit të përzgjodhi bujarisht për një fillesë mrekulli …(!) Faleminderit nuse Evi! … Ti, sigurisht, nuk e di, por, po ta them: në veçantinë e asoçasteve dritëyjesh, grimcuar dhe hapërndarë tis njënjëshëm nën perdepurpurin që ndante tokën nga qielli … u përzgjodhe parësia e vendit ku linde dhe linda … U pagëzove Eva e fotografisë shqiptare … dhe, diku humbe e, seç paske pritun kurajshëm për t’u ringjallun në Evi e ngopësisë që më jetësoi … Ndodhi aty, në Shkodër, në dasmën … fatlume të së dielës, në pasdreke, me 23.08.1863.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button