Kronika

Flet mësuesja që rrahu nxënësin: E qëllova se bëri zhurmë gjatë gjithë mësimit. Ministrja e Arsimit e pezullon (Video)

Rreth orës 15:00 të dites se djeshme mësuesja, banuese në qytetin e Shkodrës, u shoqërua në ambientet e policisë. Ajo deklaroi se nuk kishte dijeni për videon, ndërsa u justifikua me faktin se nxënësi kishte bërë zhurmë gjatë orës së mësimit.

foto-nga-videoBurimet zyrtare të Policisë së Shkodrës thanë se është bërë dhe ballafaqimi i saj me nxënësin 13-vjeçar dhe prindërit e tij. Mësohet se nga familja e fëmijës nuk është bërë denoncim, por policia i ka komunikuar mësueses akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, duke u bazuar te nisja e procedimit në gjendje të lirë, kryesisht.

Pas videos së publikuar në rrjetet sociale, ku mësuesja e matematiës në shkollën “Prek Gjoni, në Bajzë të Malësisë së Madhe, shfaqet duke ushtruar dhunë ndaj një nxënësi të fillores, ministrja e Arsmit, Lindita Nikolla, ka pezulluar nga detyra mësuesen Suela Pirani.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit shprehet e keqardhur nga ngjarja e dhunës e transmetuar në media dhe në rrjete sociale, duke thënë se institucioni që ajo drejton në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit, ka verifikuar videon, nga ku rezulton se “mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është znj. Suela Pirani, mësuese prej 13 vitesh e lëndës së matematikës”.

Në një njoftim për mediat mbrëmjen e së premtes, thuhet se ngjarja ka ndodhur ditën e enjte datë 22.01.2015, gjatë orës të matematikës në klasën e VII-të shkollës 9 vjeçare “Prek Gjoni”, në Bajzë të Malësisë së Madhe.

“Pas verifikimit, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër dhe drejtoria e shkollës ka pezulluar menjëherë nga detyra mësuesen Pirani, si dhe është bërë kallzim pranë organeve përkatëse. Dënoj ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit. Ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denocojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës”,-thuhet në deklaratën e ministres së Arsimit. Ndërsa theksohet se ;Dhuna nuk ka vend në shkollat tona.

Më herët, pas publikimit të videos në rrjetet sociale, reagoi edhe Prokuroria, duke filluar procedim penal në gjendje të lirë ndaj mësueses.

Prokuroria njofton se filloi procedimin penal në gjendje të lirë për Suela Piranaj, nga lagjia “Partizani” në Shkodër, pasi duke qenë mësuese matematike tek shkolla “Prek Gjoni”, ka dhunuar nxënësin me iniciale E.C në Bajzë të Malësisë së Madhe.

Organi i akuzës bën me dije se ndaj mësueses së matematikës ka filluar procedimi penal për “Shpërdorimi të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ndërkaq, paraditen e së premtes, një video u publikuar në rrjetin social “Facebook”, ku shfaqej një mësuese që dhunon një nxënës të fillores.

Në rrjetin social thuhet se video është bërë në shkollën e Koplikut.

Në sekuencën prej 10 sekondash duket se mësuesja qëllon katër herë me pëllëmbë nxënësin si dhe i shkul veshin pasi ai ka bërë zhurmë në klasë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button