Kronika

Berat, kërkoi favore seksuale; pezullohet gjyqtari

Një gjyqtar i Gjykatës së Beratit është pezulluar nga detyra pasi ka kërkuar favore seksuale. Bëhet fjalë për gjyqtarin Shyqyri Çobo, i cili u kallëzua nga shtetasja me iniciale I.T. në polici.

Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon kallëzueses, ku, pasi e njofton për gjetjen e një avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.

Në vijim, nga kqyrja e aparatave dhe tabulateve telefonikë, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e frikësuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë.

Për këtë arsye, shtetasja I.T. i është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka realizuar kqyrjen e telefonave, nga të cilët ka rezultuar se për një periudhë gati 3-mujore para kallëzimit, gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst.

Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari konstatohet qartë tendenca e tij për të bindur kallëzuesen që të krijonin një lidhje intime.

I pyetur si person nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuari e ka mohuar faktin se mesazhet e tij kanë pasur si qëllim kërkimin e favoreve seksuale dhe se nuk ka pasur raporte jashtëgjyqësore me të pandehurën.

Por, nga provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se shtetasi Shyqyri Çobo ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në Gjykatën e Beratit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button