Ekonomia

Valbona, zinxhiri i turizmit që po mbyt varfërinë

Blerina Hoxha

Zhvillimi i vrullshëm i turizmit malor në zonën e Valbonës po nxit zinxhirin mbështetës për sektorin, duke ndihmuar qytetin verior të dalë nga varfëria. Zhvillohen fermat e kafshëve, bletaria dhe sektori i transportit. Por moratoriumet për ndërtimet dhe pyjet kanë bllokuar investimet në zonë, teksa kërkesat janë më të larta se kapacitetet akomoduese.

aaOra shënon 16:30. Është koha kur zbarkojnë te Fusha e Gjësë në Valbonë turistët nga Tirana, të cilët kanë udhëtuar me traget. Hyrja e hotelit është zënë nga një radhë e gjatë. Një tjetër autobus mbërrin dhe situata nis e rëndohet. Njëri nga kamerierët të këshillon, se tani është e pamundur të takosh Mirashin, i zoti i bujtinës më të madhe në Valbonë. Sheshi është i tejmbushur me njerëz që janë në ankth, në pritje të akomodimit nëpër dhoma. Duket se përveç prenotimeve ka edhe turistë që nuk kanë prenotuar më parë. Ndërtesa e re në anë të hotelit, të vjetër që u vu në punë dy vite më parë, nuk po mjafton. Edhe pse tani Mirashi ka rreth 150 dhoma, sërish janë pak. Oferta vendase, krahas turistëve të huaj, tashmë tradicionalë për zonën, është rritur ndjeshëm. Por e keqja tani është se askush nuk mund të ndërtojë më. Tropoja dhe Valbona bëjnë pjesë në ato rrethe që ndërtimet e reja janë pezulluar, për shkak të mungesës së planeve rregulluese. Mirëpo koha nuk pret dhe turistëve që vizitojnë Valbonën u duhet shërbyer. Nëse bllokimi i ndërtimeve zgjat, pikës më atraktive e turizmit malor rrezikon t’i dëmtohet imazhi.

Rritja me ritmet 30%

aaaIsai, që kur është kthyer nga emigracioni në Britaninë e Madhe, u është përkushtuar shërbimeve të turizmit aty afër kullës së vjetër prej guri ku ka lindur. Jeta jashtë vendit i ka dhënë përparësi në komunikimin e disa gjuhëve të huaja dhe një kulture ekstra, që i ngjit mjaft mirë me të huajt. Është paska i tensionuar, sepse nuk po mundet të akomodojë një grup miqsh nga Izraeli që tashmë janë si të shtëpisë. Fluksi i kërkesave është në rritje, 8 dhomat që ai ka në dispozicion për turistët janë të pamjaftueshme. Tani atij i duhet t’i rehatojë tjetërkund miqtë izraelitë, por duket se e ka të vështirë. Bashkë me familjen, vëllain, motrat dhe nipërit ai është përkushtuar në biznesin familjar. Rritja nga viti në vit e xhiros është me 30%, por nuk mjaftojnë për të zgjeruar aktivitetin sipas kërkesës. Isai ka gjithsej katër kabina druri dhe në kullën e vjetër ofron 4 dhoma me qira. Në lëndinën përballë ndodhet kampingu, ku janë akomoduar me çadra të huajt që nga Gjermania, Çekia etj. Por ka ende shumë punë. I duhet të shtojë akomodimin dhe të përmirësojë shërbimet. “Me kësmet verën tjetër, instaloj edhe katër kabina dhe punësoj edhe tre-katër punonjës të rinj jashtë familjes”. Vëllai, Hajredini, sapo ka përfunduar dy dhoma krejt të veshura me dërrasë pishe, në të cilat do të rrinë punonjësit, të cilët është shumë vështirë t’i gjesh në zonë.

Çmimet për shërbimet që ofrojnë bujtina e Isait janë të lira. Për dy net, bashkë me fjetjen dhe tre vaktet, katër persona nuk harxhojnë më shumë se 10 mijë lekë. Nga ana tjetër, çmimet e lëndëve të para janë rritur. Mishi këtë vit kushton 20% më shumë, taksat janë rritur dhe ato që teprojnë nuk mjaftojnë për planet e investimeve të reja.

aaaa Ekonomia e Tropojës e lidhur me Valbonën

Hajredini, një ditë më parë, ka blerë 10 qengja në fshatrat përqark për t’u përgatitur për fundjavën. Të shtunën ka punë shumë. Këtë javë kanë prenotuar 20 gra nga Berati, 10 të rinj çekë kanë ngulur çadrat në livadhin para kullës. Matanë në cep, buzë një burimi, një familje gjermane është akomoduar në një makinë furgon, ndërsa te veranda jashtë po drekojnë rreth 20 të rinj nga Kukësi. Banorët e zonës hyjnë dhe dalin, teksa shoqërojnë miqtë e tyre për vakte dhe kafe.

Hajredini thotë se me biznesin e tij e kanë të lidhur jetesën edhe rreth 50 familje të Tropojës. Secila bujtinë në Tropojë furnizon me të ardhura dhjetëra familje të tjera. Tropoja është dora e zgjatur për banorët e qytetit verilindor, që është pjesë e qarkut më të varfër në vend. Turizmi në zonë ka nxitur mbarështimin e bagëtive autoktonë. Lopët e vendit, dhitë dhe delet racë e moçme janë një biznes me fitim. Tregu është i garantuar madje me çmim të lartë. Rritja e numrit të vizitorëve nga dita në ditë po nxit lulëzimin e fermave blegtorale. Banorët e atjeshëm kanë nisur të jetojnë mirë dhe po u përshtaten kërkesave të turizmit për të rritur fitimet. Turistët vijnë për natyrën e bukur, por edhe për ushqimin e shijshëm, thotë Isai.

Bujtinat e Valbonës e kanë kuptuar se, cilësia e ushqimit është avantazhi i tyre, ndaj vazhdimisht kërkojnë të furnizohen me gjalpë, djathë, mish, qumësht dhe mjaltë të zonës. Për pasojë, bletaria ka nisur të marrë hov. Pothuajse çdo familje ka koshere. Akili, një 24-vjeçar që sapo ka mbaruar Institutin Bujqësor në Tiranë, mendon të merret me bletari. Babai po e orienton në këtë zanat. Tani ka 20 koshere, por mendon t’i shtojë më shumë. Tropoja dhe veçmas Valbona ka një bimësi të rrallë dhe të shumëllojshme, ka edhe shumë gështenjë që janë burim i madh i mjaltit kurativ. Vitin e kaluar, një kilogram mjaltë kushtoi 3000 lekë. Të ardhurat nga mjalti e kanë ndihmuar babain e Akilit të ngrejë një shtëpi të re në fshat dhe të bëjë disa investime në tokën pranë shtëpisë.

Gëzimi është një tjetër banor që 20 vite më parë kishte lënë Tropojën si shumë bashkëfshatarë të tij, për t’u zhvendosur në rrethinat e Tiranës. Por kur ai ndërtoi shtëpinë e re në një fshat në mes të Tiranës dhe Durrësit nuk kishte menduar kurrë se do të rikthehej në vendlindje. Teksa çdo verë ai vizitonte të afërmit, ju shtua bindja se, duhet të rikthehej. Ka ngritur një stallë moderne me 300 kokë dhi, për të cilat ka punësuar tre veta. Bulmetin dhe mishin ia marrin te dera e shtëpisë bujtinat e Valbonës. Të tjerët që nuk kanë pasur mundësi të hapin bujtina, janë angazhuar në zinxhirin mbështetës, si bujqësia, blegtoria dhe shërbimet. Marangozët e vjetër, po rikthejnë profesionet. Lokalet janë me orendi artizanale. Tavolina të rrumbullakëta në formë sofre i prodhonin një nga vendasit. Sektori i transportit në zonë po zhvillohet gjithashtu për shkak të turizmit malor. Dy tragete bëjnë linja të rregullta në liqenin e Fierzës.

 Merr jetë artizanati

aaaaaAnës rrugës, përgjatë Luginës nga qendra e Valbonës për te burimi, një kabinë e re druri të bën kureshtare. Sapo afrohesh nisin të qartësohen veshje të zonës të punuara me dorë. Disa kartolina të qëndisura “Welcome to Valbona”, portofola të punuar në tezgjah, qëndisje dhe disa lloje çajesh me bimë të zonës që shiten në qese të punuara me dorë, janë të ekspozuara. Dafina Gjeloshaj është shitësja dhe rastësisht është në ditën e parë të punës. Tezga ka vetëm dy orë që është hapur dhe ajo është emocionuar. Një shoqatë i ka ndihmuar gratë e zonës që të organizohen për të ringjallur punën artizanale. Në këtë projekt janë angazhuar gratë në nevojë me shumë fëmijë dhe pa të ardhura të tjera alternative. Dafina shpjegon se më vonë do të prodhojnë reçelin e thanës dhe do të nisin paketimin dhe shitjen e çajeve të zonës, të cilat janë mjaft të kërkuar nga turistët. Ajo ka dëgjuar se gratë e Malësisë së Madhe po fitojnë mirë me punën e dorës, por në Tropojë ringritja e traditës është në fillesa, por ajo është entuziaste. Vajzat e reja e kanë me shumë qejf tezgjahun dhe tani po organizohen. Kjo zonë, deri para gjashtë vitesh kur turizmi ishte në fillesa, ka qenë shumë e varfër. Aksesi në zonat urbane ka qenë i vështirë, dimri i tejzgjatur i ka çuar disa herë në mbijetesë, por tani turizmi ka ndryshuar gjithçka, – thotë Dafina. Burri i saj është i punësuar te bujtina ngjitur dhe ajo vetë sot ka ditën e parë të punës në dyqanin e suvenirëve. Djali, rreth të pesëmbëdhjetave pranë saj, gati mbaroi së shituri një shportë të madhe me dardha. Por nxjerr edhe të ardhura të tjera nga bagëtitë. Në shtëpi mbarështon lopë e dhi dhe bulmetin e tyre e shet te bujtina ku punon i shoqi.

Moratoriumet vënë bllokadën

Moratoriumet për mbrojtjen e pyllit dhe bllokimin e ndërtimeve të reja deri në miratimin e planit rregullues ia kanë prerë hovin Valbonës. Të gjitha bujtinat janë në pritje të një zgjidhje nga qeveria. Ndërsa kërkesat për fjetje shtohen, investimet në shtimin e kapaciteteve të akomodimit janë bllokuar. Isa Selimaj thotë se në disa zona, çështja e pronës është e zgjidhur. Secili nga banorët e ka tokën të trashëguar, të regjistruar dhe me hipotekë, por ai thotë se qeveria duhet të avancojë me planin urbanistik dhe me vijën e verdhë se puna nuk pret. Ai tregon me gisht një copë toke të rrethuar me kangjella, me disa kolona gjysmë të ngritura në anë të restorantit të tij. Është i kushëririt, të cilit i është pezulluar ndërtimi në tokë të tij. Pothuajse të gjithë janë në pritje të planit rregullues, pasi kërkesa është në rritje çdo ditë. Për shkak të kësaj situate, akomodimi pa prenotuar më parë është shumë i vështirë. Por ky është një shqetësim për shqiptarët pasi për të huajt ky problem nuk ekziston.

Ata përgjithësisht pushojnë në kampingje kundrejt 7 eurove për një copë vend në livadh me internet, tualet në dispozicion dhe energji elektrike. Me të huajt punohet mirë, – thotë Isai. Ata dinë çfarë kërkojnë, ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë që kur vizitojnë Valbonën, habiten pse nuk ka hotele luksoze shumëkatëshe.

Moratoriumi i pyllit është tjetër pengesë. Hajredini, kuzhinieri i një prej bujtinave, thotë se po përdor eshkë për pjekjen e hellit dhe për gatim. E blen në Gjakovë edhe pse pyllin e ka deri në oborr. “I shikon ata drunjtë e thatë atje, – tregoi ai, duke drejtuar gishtin nga shpati atyre pranë. – Nuk i prishin punë njeri të përdoren. Këto janë masa fatale. Në drurin e zonës e kemi jetik. E përdorim në ndërtim dhe për ngrohje, – thotë Hajredini, i cili e konsideron të palogjikshëm moratoriumin për pyjet.

Energjia mbetet problem, interneti shumë i shtrenjtë

Ka kaluar pak nga ora 9:00 e mbrëmjes dhe argëtimi ka arritur kulmin në bujtinën “Tradita”. Tre grupe të huajsh janë duke shijuar një valle tradicionale të cilën po e kërcejnë disa gra nga Jugu i vendit. Dritat ikin. Djemtë e vrapojnë për tek gjeneratori që vë në punë ndriçimin. Njëri nga kamerierët është krejt i qetë. Ikja e dritave në Valbonë është rutinë. Të gjithë kanë gjeneratorë, por në fund të muajit faturat janë të kripura. Pas një çerek ore, dritat rikthehen dhe gjithçka rinis. “Dritat dhe internetin i kemi të shtrenjta, – thotë Hajredini. – WiFi, janë si buka dhe uji për turistët. Sapo mbërrijnë kërkojnë kodin e internetit. Paguajmë 100 euro në muaj për internetin dhe shërbimi është i dobët”.

 HEC-et, kërcënimi tjetër

Tre HEC-e që janë planifikuar të ndërtohen nga Dragobia deri poshtë i kanë acaruar tej mase banorët e Valbonës, të cilët e kanë kuptuar fort mirë rëndësinë që ka paprekshmëria e natyrës për qëndrueshmërinë e turizmit. Ata shpresojnë që objektet të mos ndërtohen, teksa pohuan se punimet nuk po avancojnë. “Kemi protestuar dhe do të protestojmë deri në pikën e fundit që ato hidrocentrale të mos ndërtohen” – thotë Astriti, një banor i zonës. Lumi i Valbonës është unik në Europë dhe si tillë, mbrojtja e tij duhet të jetë ndërkombëtare. I kemi sensibilizuar edhe ambasadat e huaja që të ndikojnë në pezullimin e këtyre objekteve, – pohojnë banorët, të cilët janë gati të përfshihen edhe në konflikt direkt me investitorët.

 Valbona organizon turizmin e brendshëm

Valbona është nga të paktat destinacione që bashkë me Thethin është në anën tjetër të Alpeve. Agjencitë turistike e kanë përfshirë Valbonën në ture të posaçme. Një natë dhe dy ditë bashkë me ushqimin dhe fjetjen kushtojnë 59 euro për person. Në këtë paketë, agjencitë ofrojnë udhëtimin me traget që nga Komani në Fierzë dhe ofron pamje mahnitëse, akomodimin në hotel, vaktet dhe guidë në luginë falas. Kthimi bëhet ditën tjetër, nga Kosova nëpërmjet Rrugës së Kombit ku mund të vizitohen qytetet karakteristike të Kosovës, Gjakova dhe Prizreni. Aktualisht Valbona ofron një kapacitet akomodues deri në 600 shtretër, teksa qindra pushues të tjerë përdorin kampingjet në natyrë. Turi i Alpeve është tashmë aq popullor sa edhe udhëtimi i bregut nga Llogoraja. Shtigjet që lidhin Valbonën dhe Thethin janë aksesueshme dhe me një sinjalistikë të përkryer. Gjithashtu të gjitha shtigjet e tjera të zonës janë zbuluar dhe shënjuar nga Maria, një amerikane që pasi ka vizituar Valbonën ka vendosur të mos ikë më prej andej.

 Valbona, pjesë e “Maja e Ballkanit”

Valbona dhe Theshi matanë janë pjesë e turit që ofron “Maja e Ballkanit”, një projekt që është zhvilluar nga GIZ, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe që pak kohë më parë u vlerësua edhe në Abu Dhabi, me çmim për kategorinë “Administrimi i destinacionit”. Në një kohë kur turizmi po kërkon të tërheqë me destinacione të veçanta, përvoja me adrenalinë dhe natyrisht me kosto të ulët, Shqipëria, nëpërmjet këtij projekti duket se ka mësuar si të ecë në “shtegun” e duhur për ta bërë edhe turizmin malor të frekuentuar. Për zëvendësdrejtorin e zyrës së GIZ në Tiranë, Ismail Beka, shtegu “Maja e Ballkanit” kalon nëpër rajonet malore më tërheqëse të Ballkanit Perëndimor deri në lartësi që shkojnë 2,300 metra mbi nivelin e detit. Në këto maja duket sikur koha ka ndalur. Për 20 vjet me radhë, ato kanë qenë më shumë pjesë e “legjendave” dhe të paktë kanë qenë ata që kanë arritur t’i prekin dhe t’i shijojnë nga afër këto bukuri. Është pikërisht kjo kulturë autentike, me shumë adrenalinë brenda, që e bën përvojën mes shtigjeve ndërkufitare të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi vërtet unike. Një fakt, i cili tërhoqi jo pak vëmendjen e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC) i cili gjatë Samitit të 13 Botëror ndau edhe çmimet për “Turizmin e së Nesërmes”. Shtegu “Maja e Ballkanit” konkurroi për kategorinë e menaxhimit të destinacionit kundër dy të nominuarve të tjerë “Sentosa Development Corporation” nga Singapori dhe “Tourism Council” nga Butani. Zonat shqiptare që përfshihen në këtë projekt janë Thethi, Valbona, Rragami, Çeremi, Bjeshkët e Dobërdollit.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button