Ekonomia

Prezantohet projektbuxheti 2023, Ibrahimaj: Parashikojmë rritje ekonomike 2,6%; Sektori i shërbimeve gjeneruesi kryesor

Ibrahimaj tha se projektbuxheti 2023 materializon 2 objektiva kryesore, zbutjen e krizës globale, duke mbështetur shtresat në nevojë të shoqërisë dhe atë të energjisë elektrike, duke mos ndryshuar çmimin e energjisë. Objekti i dytë është vijimi i konsolidimit fiskal të financave publike. Buxheti gjithashtu materializon një sërë projektesh investimesh.

Gjatë prezantimit të buxhetit Ibrahimaj pohoi se parashikohet rritje ekonomike 2.6% për 2023, me rritje nga sa ka parashikoi FMN në vizitën e muajit tetor. Ministria e Financave parashikon që rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi, investimet dhe sektorët e industrisë, veçanërisht shërbimet.

“Goditja globale nga kahu i ofertës për furnizimin me energji dhe mallra të tjerë bazë e shkaktuar nga fillimi i luftës Rusi -Ukrainë, ka pasur dhe do të vijojë të ketë efekte negative në ekonominë tonë. Deri tani ekonomia e ka përballuar mirë këtë goditje, veçanërisht duke e parë atë në kontekstin e problemeve që po kalojnë shumë shtete.

Rritja ekonomikë në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte relativisht e fortë, 4.2% e gjeneruar nga kërkesa e brendshme konsumi, investimet, dhe kërkesa e huaj neto. Papunësia ra më tej me 11.3%, ndërsa punësimi u rrit 4.3% nga viti në vit. Deficiti i llogarisë korrekte u ngushtua me 10% nga viti në vit, si pasojë e rritjes së fortë të ,mallrave dhe shërbimeve dhe remitancave. Kemi pasur rritje me 35% në flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Për vitin 2022, kemi rishikuar për lart projeksionin e rritjes ekonomike në 3.7% nga 3.2% që parashikonim në fillim të luftës. Në të njëjtin parashikim konkludoi edhe FMN në fund të misionit të tij, rreth 2 javë më parë.

Për vitin 2023, bazuar në skenarin tonë bazë parashikojmë rritje reale prej 2.6%. Rritja do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet, por në masë marzhinale pritet të kontribuojë pozitivisht edhe kërkesa e huaj neto e mbështetur nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Ndërkohë parashikimi i FMN për vitin tjetër është 2.2%.

Nga optika e kërkesës agregate rritja reale ekonomike për vitin tjetër parashikohet të gjenerohet nga rritja reale e konsumit final prej 1.3%, e investimeve 4.5% dhe eksportet neto do të rriten 3.6%. Ndërsa nga oferta agregate parashikohet që rritja reale e produktit të brendshëm bruto të jetë e shtrirë në bazë të gjerë ku pritet rritje në kahun pozitiv të gjithë sektorëve të ofertës, si: bujqësi, industri, ndërtim dhe shërbimeve. Sektori i shërbimeve pritet të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes ekonomike me kontribut 1,3 pikë përqindje, pra gjysmën e rritjes ekonomike të parashikuar për vitin e ardhshëm.

Projeksionet për GDP-në nominale janë përqasur me ato të perspektivës ekonomike globale të FMN në tetor 2022, të publikuar pak ditë më parë. Çështja kryesore makroekonomike gjatë kësaj periudhe, si për ekonominë tonë dhe kudo tjetër ka qenë inflacioni i lartë i shkaktuar kryesisht nga goditja në ofertën globale të disa mallrave bazë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se inflacioni në ekonominë tonë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, apo me mesataren e BE-së, ka qenë dukshëm më i ulët”.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon gjithashtu se gjasat më të larta janë që inflacioni të ulet ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm, veçanërisht nëse një pjesë e Europës do të hyjë në recension, qoftë ky teknik apo i plotë. “Në skenarin tonë bazë, parashikojmë një normë mesatare inflacioni prej 3.6% për vitin e ardhshëm, me një tendencë rënëse gjatë vitit dhe duke arritur në rreth 3% në fund të 2023”, nënvizoi ministrja e Financave.

Ibrahimaj theksoi se bazuar mbi këto parashikime makroekonomike dhe objektivin e palëkundur të uljes së borxhit publik, të ardhurat totale buxhetore për vitin 2023 parashikohen të arrijnë 631.7 miliardë lekë ose rreth 29% e PBB-së nga 28,2% në vitin 2022. Sipas saj në rritje parashikohen të jenë edhe shpenzimet buxhetore, në një vlerë prej 687.2 miliardë lekë, me një rritje në vlerë absolute prej 26.5 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2022.  Ministrja e Financave nënvizoi se për 2023 borxhi publik do të ulet në 69%.

“Për sa i përket zhvillimeve të financave publike, situata deri më tani është plotësisht nën kontroll dhe ne mbetemi mjaft vigjilentë për ta monitoruar në vazhdimësi dhe për të parashikuar probleme të ndryshme që mund të dalin dhe për të përgatitur skenarë alternativë përshtatjeje përpara se ato të ndodhin.

Në vlerësimet tona të fundit, sipas skenarit tonë bazë, presim që deficiti i përgjithshëm fiskal për të gjithë vitin 2022 të jetë edhe më i ulët se kufiri ligjor i rishikuar, ndoshta në rreth 3.3 – 3.5 % të PBB-së.

Ne presim që borxhi publik të bjerë nën nivelin prej 69% të PBB-së deri në fund të këtij viti nga 73.2% që ishte një vit më parë, duke vazhduar kështu qartësisht trajektoren rënëse të rifilluar që nga viti i kaluar.

Ndërkohë për vitin që vjen, pritet që borxhi publik total (bruto) të vijojë të bjerë me të paktën 1 pikë përqindje nga niveli që do rezultojë në fund të 2022, pra sërisht në përputhje të plotë me rregullin fiskal të frenimit të borxhit që kemi në ligjin organik të buxhetit.

Në të njëjtën kohë, investimet publike për vitin 2023 parashikohen të jenë rreth 5.5% e PBB-së, ndërkohë që deficiti i përgjithshëm fiskal për vitin që vjen targetohet në 2.6% të PBB-së. Pra, që do të thotë një balancë korrente fiskale pozitive prej rreth 2.9% e PBB-së”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button