Te ndryshme

Kur “selfie” në kabinën e pilotit, shkakton katastrofën

Realitet

 Janë imazhe spektakolare, por tepër të rrezikshme: Pilotë që bëjnë foto me dritaren e hapur të kabinës së avionit dhe i shpërndajnë më pas në internet. Por pasioni në dukje shumë i dashur për shumë njerëz, për aviatorët profesionistë është i ndaluar

hqdefaultSmartfonët janë shoqëruesit tanë të vazhdueshëm në çdo udhëtim që bëjmë. Mirëpo me këtë është i lidhur edhe një potencial i madh rreziqesh, sidomos në trafikun rrugor. Rritja gjithnjë e më e madhe e smartfonëve në timon është në vetvete një rrezik tejet i madh sigurie. Mjafton dërgimi i një sms-je, shkrimi i një statusi në Facebook, e “hataja” ndodh shumë shpejt.

Sipas të dhënave të shumë shoqatave të shoferëve, tërheqja e vëmendjes nëpërmjet pajisjeve moderne të komunikimit në automjete ndërkaq luan një rol vendimtar në çdo dhjetë aksidente që ndodhin në rrugë. Kështu, sipas nënpresidentit të shoqatës gjermane ADAC, Ulrich Klaus Becker, rezulton se “kush e nget makinën në një rrugë fshati me 100 km/h dhe e shkëput vetëm një sekondë vëmendjen nga timoni, mund të humbasë rreth 27 metra rrugë nën vëmendje, çka mjafton plotësisht që të përplasesh me ndonjë pemë apo të dalësh nga rruga”.

Mirëpo këto gjëra nuk po ndodhin vetëm në kabinën e një autoveture, kamioni etj., në rrugë, por edhe në ajër, në kabinën e një avioni. Në muajin maj të vitit që shkoi, u rrëzua një avion sportiv, i tipit “Cessna 150”, në afërsi të Watkins në shtetin federal amerikan të Kolorados. Të dy pjesëtarët e bordit vdiqën. Shkaku i rrëzimit deri para pak kohëve nuk mundi dot të zbulohej. Pas një hetimi të Autoritetit të Sigurisë Ajrore në SHBA, gjërat u bënë të qarta: një “selfie” ishte ajo që e kishte shkaktuar rrëzimin fatal. Shkrepja me shumë gjasa, sipas raportit në fjalë, ia kishte marrë mendjen pilotit dhe kishte shkaktuar humbjen e kontrollit të avionit, bëri të ditur autoriteti në fjalë.

Përdorimi i smartfonëve në kabinat e pilotëve i ndaluar, por…

Piloti 29-vjeçar, Amritpal Singh, përdori një kamera “GoPro”, për të realizuar shkrepje gjatë fluturimit. Ky aplikacion nuk ishte shkaktar për aksidentin, por dokumentoi disa fluturime para rrëzimit të avionit. Në raportin hetimor me këtë rast thuhej: “Imazhet e bëra me ‘GoPro’, treguan se piloti dhe disa pasagjerë po bënin foto të vetes me aparatet e tyre smartfonë dhe gjatë fluturimit të natës, po përdornin funksionet blic të kamerës në startin e fluturimit, ngjitje dhe gjatë udhëtimit”.

Nuk është i vetmi rast i këtij lloji. Në vitin 2009, pilotët po merreshin aq shumë me njërin nga laptopët e tyre në kabinë, gjatë një fluturimi të “Northwest Airlines” nga San Diego për në Minneapolis, saqë harruan aeroportin e destinacionit të tyre, duke u larguar me 100 milje.

Pilotëve u ra ndër mend për pozicionin e tyre vetëm atëherë kur një stjuardesë pyeti se në cilën orë do të duhej të ulej avioni.

Pas një paniku të vogël dhe disa peripecirash, në fund avioni u ul në destinacion me katër orë vonesë. Rasti në fjalë shkaktoi një debat të madh mediatik, e u ngrit madje edhe një komision hetimor.

Shkrepjet bëhen, megjithëse kërkohet përqendrim i madh nga pilotët

Ka zgjatur vetëm katër vjet derisa Autoriteti Ajror Amerikan “Federal Aviation Administration” (FAA), të ndalonte përdorimin e smartfonëve në kabinat e pilotëve. Por atë çfarë disa pilotëve nuk ua ndalon dot gjatë fluturimit, është të luajnë me celularët e tyre. Nën hashtagun #pilotlifeose #avgeek, pilotët postojnë shpesh në Twitter foto nga kabina e tyre: nisje spektakolare, ulje në aeroporte apo dhe “selfies” mbi re.

Piloti Federico Bossi postoi në profilin e tij në Twitter madje edhe një video të nisjes së tij me një “Airbus-319” në aeroportin “Malpensa” të Milanos.

Revista online “Quartz”, në një artikull me titull “The pilots of Instagram” (Pilotët e Instagramit) bëri një përmbledhje të shkrepjeve që kishin bërë pilotët: janë pamje që të lënë pa frymë, shumë të bukura e interesante të perëndimit të diellit, reve e qiejve dhe të panoramave të mbuluara me dëborë.

Mirëpo këto pamje u bënë të qarta në fazat, në të cilat në fakt kërkohet përqendrimi maksimal i pilotit. Në artikull, Tom Hoban, një pilot me përvojë, kapiten i një “Airbus A320” të shoqërisë “American Airlines”, citohet të thotë se “është e vështirë për njerëzit të kuptojnë se gjatë 30 minutave të para, je aq i zënë, sa mezi ia del”.

Sipas rregulloreve të FAA (por edhe të shumë autoriteteve të tjera ndërkombëtare) gjatë nisjes dhe zbritjes së avionit, të gjithë pasagjerëve në bord – përfshirë këtu edhe vetë pilotët – u ndalohet rreptësisht përdorimi i pajisjeve elektronike.

Agjencia Europiane për Sigurinë Ajrore (EASA) jep vetëm një këshillë në këtë rast. “Për shkak të rrezikut në rritje të interferencave dhe të potencialit të lartë për t’i tërhequr vëmendjen stafit nga detyrat e veta, pajisjet personale elektronike, nuk duhet të përdoren në kabinën e pilotëve”, thuhet në njërën prej tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button