Te ndryshme

Përkujtimi: Parisienët largojnë me art dhimbjen pas sulmeve

Parisienët ia kanë dalë që falë artit t’i rikthehen jetës normale, shëtitjeve të zakonshme dhe paqes multikulturore. Në përpjekje për të shëruar lagjen e tyre, banorët e njësisë numër 10 të kryeqytetit francez patën një ide gjeniale. Ata ftuan artistët e rrugës që të pikturojnë në një mur të gjatë, afër dy kafeneve të cilat u sulmuan nga terroristët në nëntorin e shkuar. Mesazhet e përcjella, ngjyrat përkëdhelëse, frymëzimi fëmijëror dhe abstraksioni e patën efektin e tyre. Frika në “Rue Albeirt” nuk ekziston më dhe uniteti i shpirtit francez nuk është thyer.

“Unë isha shumë e frikësuar dhe ndihesha vetëm”, tha artistja Diana Kami, nismëtare e projektit dhe që jeton me vajzën e saj në lagjen e goditur parisiene. Anëtarët e IS-it më 13 nëntor vranë 130 persona, shumë prej viktimave banorë të njësisë. Pak ditë pasi ndodhi ngjarja, pasi la vazjën në shkollë ajo kishte një dëshirë të papërmbajtur për të bërë art. Instinktivisht u drejtua për në rrugën “Alibert” dhe zgjodhi për të vizatuar murin, telajoja më e preferuar dhe e përdorur më shpesh nga artistët francezë. Ky vend është disa hapa më tutje kafeneve “Le Petit Cambodge” dhe “Le Carillon”, të shënjestruara nga militantët.

Puna e Kami-së u vu re nga disa nëna të tjera, të cilat sapo kishin çuar fëmijët në shkollë. Të gjitha u bënë bashkë dhe i kërkuan bashkisë që t’i lejonte ta pikturonin të gjithë murin.

“Donim me patjetër të bënim diçka”, tha një prej tyre, Gaelle Giffard, që investoi 500 euro për të mbuluar kostot e bojës.

Rezultati i gjithë kësaj është “Dessine-Moi un Bouquet”, iniciativë komunitare që fton artistët e rrugës, po ashtu edhe banorët e fëmijët që ta mbulojnë gjithë fasadën e murit me piktura si një formë përgjigjeje ndaj terrorizmit.

Një prej nënave tha se muri, që vendasit e quajnë “Muri i Dashurisë”, ka tek ajo efekt qetësues, aq sa tani nuk ka problem të ecë vetëm rrugëve. Kurse të vjetrit thonë se ngjyrat dhe vizatimet u sjellin paqe. Zonja Kami vetë pikturoi një pyll, me degët e pemëve të shpërhapura. “Në natyrë gjahtari e mbron veten në pyll. Dhe pema është jetë. E kam bërë të mbrojë lagjen”.

“Fëmijët e Francës”

Banori i vjetër i lagjes, Ernesto Novo, 51 vjeç, pikturoi “Nëna rrezatuese”. Imazhi ka për qëllim t’u japë kurajë të mbijetuarve dhe të largojë stresin, traumën dhe shokun e asaj mbrëmjeje tragjike. Ai gjithashtu përcjell mesazhin se “që të gjithë jemi fëmijë të Francës, sekulare dhe etnikisht të ndryshme”. Duke pikturuar portrete të personazheve të famshme si: Martin Luther King Jr, Rosa Parks, Nina Simone dhe Bruce Lee, ai përcjell mesazhin e unitetit në këto kohë të vështira.

“Jehonat e Delacroix-it”

Jo Di Bona, grafist nga lagjja periferike parisiene “Villeparisis”, ndjeu se për të qe e rëndësishme të pikturonte në “Murin e Dashurisë”. Për murin, 40-vjeçari përshtati pikturën e 1830-s të Eugène Delacroix e titulluar “Liria udhëheq njerëzit”. “Fytyra e figurave është gati e paqartë, detajet e ekspresionit janë errësuar me qëllim, në mënyrë që imazhi të përfaqësojë të gjithë francezët.

“Një xhungël betoni”

Gérard Laux, një ish-punonjës printimi 62-vjeçar emrin e artit e ka Mosko. Ai thotë se këtë mur e shikon me vizatimet e fëmijëve, plot me jetë. “Për këtë arsye pikturat e mia plot dritë, me kafshë të krijuara me delikatesë mendoj se kanë kuptim me vizatimet e pakufi të fëmijëve”.

“Felix, Sonic dhe Betty Boop”

Për Sara Chelou, pikturimi në mur ishte në mënyrë për të rimarrë një pjesë të Parisit që ajo gjithnjë e ka perceptuar si të sajën. “Ky është muri im, vendi im, lagjja ime”, deklaroi 47-vjeçarja. Ajo eksploron temat e barazisë, rezistencën dhe përjashtimit në projektin e saj. Ky është një kombinim politik dhe rrymë kulturore pop që të mashtron ndërsa të zbavit. Në mur ajo përdor ngjyra të ëmbla për të pikturuar figurat amerikane të pop-it si macja Felix, Sonic iriqi dhe Betty Boop”. “Dikur bëja art rruge për politikë, por tani e kuptoj që ka rëndësi të bësh art për të kujtuar. Është si të vendosësh lule në një vend, ku shumë njerëz mund të ndërveprojnë”.

“Nuk ka simbole”

Damien Collignon, një dizjaner 35-vjeçar dhe producent videosh bëri një krijesë të papërcaktuar që e quajti “kafshë madhështore, trime dhe të bindur. “Këto ngjyra janë fiks për këtë rast. Mos u përqendroni shumë te kjo pjesë. Nuk kam futur simbole. Thjesht dua të tregoj se unë u qëndroj afër të gjithë atyre njerëzve që vuajnë”.

“Ji vetvetja”

Flo, emri i gjatë i të cilit është Florent Dechartres, u lind në Parisin verior dhe jeton dy rrugë më tutje rrugës “Alibert”. Ai tregon se frymëzimin e mori nga fëmijët e lagjes, që shpesh vizatonin në mur. “Mendova se gjëja më e mirë për të bërë ishte të zbukuroja punën e mëparshme dhe naive të fëmijëve. Në këtë mënyrë unë shpreh vlerësimin për ato që ata bëjnë”, tha 39-vjeçari.

“Një gjuhë universale”.

Fusible, artisti 26-vjeçar që në 2006 mbërriti në Francë nga Guadalupe, vendosi të pikturojë fjalën “liri”, duke e ditur mirë kuptimin që ajo ka në mendjet e sulmuesve. “Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa të ndihesh i lirë. Është turp që jo çdokush në botë nuk mund ta ndiejë njësoj. “Unë zgjodha të shkruaja në anglisht, si gjuhë universale. Kurse ngjyrat e kuqe, blu dhe e bardhë nuk kanë të bëjnë as me flamurin francez, e as me atë amerikan. “Arti kuptohet nga të gjithë”. Mënyra më e mirë për të kapërcyer kufijtë, qofshin mendorë, moralë apo ideologjikë. Por situata po përkeqësohet. Sulmi ndaj ‘Charlie Hebdo’ plagosi lirinë e shprehjes, kurse ato të 13 nëntorit goditën lirinë e të jetuarit.

“Një ide shprese”.

“Si ilustrues, unë veten time e shpreh më mirë nëpërmjet dizajnit dhe jo me anë të fjalëve”, tha 34-vjeçari që pëlqen ta thërrasin BishoPParigo. Puna e tij, një krijesë hibride gjysmë peshk e gjysmë zog me krahë të hapura dhe sy të mbyllura, i rrethuar nga zemra dhe i pikturuar me ngjyra delikate roze dhe të kuqeje, reflekton dëshirën e tij për të përçuar shpresë. Vajza 6-vjeçare e ndihmoi gjatë punës dhe kjo e bëri të kuptojë që duhet të përcjellë sa më shumë butësi.

“Francez mbi gjithçka tjetër”

Për të vajtuar vdekjen e një mikeshe në sulmin gjatë koncertit të “Bataclan”, artisti 30-vjeçar, Resone, pikturoi një vajzë me sy të mbyllura si një shenjë qetësie dhe paqeje”. Ai dëshironte që të përcillte solidaritet me miqtë myslimanë dhe pyeti një femër të mbuluar që ta ndihmonte të shkruante në arabisht. “Fjalët që zgjodhi ishin “dashuri dhe bashkim”, edhe pse me theks të vendosur keq. “Sa e trishtë që ne bëhemi bashkë vetëm kur ndodhin raste kaq tragjike. Kjo më mërzit”, tha Resone që me origjinë është nga Antilet, por francez mbi të gjitha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button