Ekonomia

Vendet e BE-së, partnerët kryesorë të tregtisë me Shqipërinë

Aktiviteti eksportues i vendit vijon të mbështetet kryesisht në partnerë tregtarë si Italia, Malta, Kosova, Spanja, Greqia dhe Turqia.

bashkimi-evropianNë raportin e publikuar së fundi nga Banka e Shqiperise, vihet re se, gjatë muajve tetor e nëntor, eksporti i mallrave në vlerë u rrit me rreth 0.5% në nivel vjetor. Sipas të dhënave të detajuara të tregtisë së jashtme në mallra, kontributin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë zgjerimi vjetor i eksportit të kategorisë “Tekstile dhe këpucë” me rreth 20.2%.

Në këtë kategori përfshihen mallrat për eksport me material porositësi. Kontribut tjetër të rëndësishëm pozitiv dha edhe kategoria “Ushqim, pije dhe duhan”, eksporti i të cilës ishte rreth 23% më i lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Brenda kësaj kategorie, rritja e përshpejtuar e eksportit të mallrave bujqësore udhëhoqi ecurinë e regjistruar. Në anën tjetër, eksporti i produkteve të kategorisë “Materiale ndërtimi dhe metale” është zvogëluar në nivel vjetor, i ndikuar prej rënies së çmimit të metaleve në tregjet ndërkombëtare.

Kontributin më të madh negativ në ecurinë e eksporteve në vlerë prej rreth 7 pikësh përqindjeje, e dha rënia e përshpejtuar e eksportit të kategorisë “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”. Në këtë kategori, zvogëlimi i përshpejtuar i çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare29 ka ndikuar si në rënien e vlerës, ashtu edhe në vëllimin e naftës së eksportuar.

Në anën tjetër,sipas BSH-së, origjina e produkteve të importuara prej vendit tonë vijon të mbetet më e larmishme, ku vendet e BE-së zënë peshën kryesore ndaj totalit.

makiAktiviteti importues shënoi një rritje prej rreth 9.3% në terma vjetorë gjatë muajve tetor e nëntor. Përcaktuesi kryesor i kahut të ecurisë vjetore të importeve totale ishte zgjerimi me rreth 27% i importit të mallrave të përfshira në kategorinë “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”. Dinamikë të ngjashme ka shfaqur edhe eksporti i kategorisë “Materiale ndërtimi dhe metale”, i cili u zgjerua me rreth 18% në bazë vjetore.

Ecuria e importit të këtyre kategorive jep një pasqyrim të tërthortë të ecurisë së konsumit dhe të investimeve në vend përgjatë tremujorit të fundit të vitit. Pritshmëritë për vijimësinë e aktivitetit dinamik në industritë që punojnë me material porositësi për muajt në vazhdim përforcohet nga ruajtja e prirjes rritëse të importit të mallrave bazë që lidhen me prodhimin në këto industri.

Ndërkohë, ndonëse importi në terma vjetorë i energjisë elektrike është rritur për këto dy muaj, importi në total i kategorisë “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” është zvogëluar. Ashtu si edhe tek performanca e eksporteve, rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka rezultuar në import më të ulët në vlerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button