Ekonomia

Karburantet-MF: Kur prishet kasa fiskale, ndalohet shitja

Pikave të tregtimit të karburanteve u ndalohet shitja e karburantit, në rast të prishjes së kasës fiskale. Ky është ndryshimi në ligjin ‘për kasat fiskale’, miratuar nga Këshilli i Ministrave në fund të muajit prill.

Sipas ligjit të mëparshëm lejohej për tre ditë shitja e karburantit pa kasë fiskale, me kushtin e hedhjes së të dhënave pas rregullimit të kasave. Por, kjo dispozitë, sipas ministrisë së Financave, është keqpërdorur .

Për këtë, ajo sqaroi të mërkurën të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e tregtimit të hidrokarbureve se, vendimi i Këshillit të ministrave i datës 29 prill, e ndryshoi këtë pikë duke hequr “3 ditëshin“. Në rast se prishet kasa, ndalohet shitja e karburantit, përcakton vendimi i ri i qeverisë.

“Më parë, grosistëve dhe shitësve me pakicë i jepej një afat 3-ditor që të shisnin karburant pa lëshuar kupon tatimor, në rast se i prishej kasa. Pas tre ditësh, me rregullimin e kasës, duhet të hidheshin të dhënat në sistem. Në rast se difekti nuk rregullohej brenda tre ditësh, ndalohej shitja e karburantit. Kjo dispozitë është keqpërdorur dhe abuzuar nga grosistët, të cilët shisnin shpesh 3 ditë pa lëshuar kupon, nën justifikimin e prishjes së kasës”, sqaroi ministria e Financave.

Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave përcakton se kur dispenseri ose pajisja fiskale difektohet dhe del nga regjimi automatik, dispenseri nuk mund të punojë dhe subjekti nuk mund të shesë pa kupon tatimor deri në momentin e asistimit nga shoqëria e autorizuar që ky subjekt ka një kontratë mirëmbajtje.

“Koha e gjatë për 72 orë deri në momentin e rregullimit të pajisjes fiskale jepte shkas për abuzim, duke tregtuar karburant pa kupon tatimor. Shpesh herë pajisjet fiskale prisheshin qëllimisht nga subjektet apo teknikët e autorizuar për të tregtuar pa kupon tatimor dhe pa matur sasinë e tregtuar gjatë kohës prej 72 orë. Me këtë ndryshim tashmë nuk mund të tregtohet karburant pa kupon tatimor dhe procesi i tregtimit duhet të ndërpritet kur pajisja nuk funksionon”, bëhet e ditur në njoftimin e MF-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button