Te ndryshme

A do ta ndjekë Europa, Francën në ligjin për mbetjet ushqimore?

Një ligj francez, që i ndalon supermarketet të shkatërrojnë ushqimin e pashitur dhe i detyron ata ta japin për bamirësi, i ka zemëruar shitësit me pakicë, që thonë se po bëjnë përpjekjet e tyre për këtë çështje

Sipas ligjit, dyqanet më të mëdha se 400 metra katrorë kanë kohë deri në korrikun e 2016-s të firmosin kontrata me shoqata bamirësie dhe depo ushqimore për të dhënë falas prodhimin e pashitur.

Ligji erdhi pas një fushate të drejtuar nga një politikan i ri i krahut të djathtë, Arash Derambarsh, i cili thotë se e mori shtysën kur pa shumë njerëz pa shtëpi teksa kërkonin në koshat e plehrave të supermarketeve dimrin e shkuar.

Derambarsh, këshilltar lokal i një periferie të Parisit, filloi fushatën e tij duke mbledhur ushqimin e pashitur dhe duke ua dhënë atë personave në nevojë. Më pas, ai nisi një peticion online, që ndikoi në krijimin e vrullit për ligjin e ri.

Ndonëse gjerësisht shoqatat bamirëse e mbështesin ligjin, ato janë gjithashtu të shqetësuara se do të marrin më shumë nga sa mund të përballojnë.

“Shpresoj të mos përkthehet në një kupë të helmuar”, thotë Olivier Berthe, president i bamirësisë “Restorantet e Zemrës”.

“Ne nuk mund të detyrohemi të pranojmë dhurata, për të cilat nuk kemi nevojë. Ne nuk mund të bëhemi kazanë plehrash.”

Jacques Bailet, president i Rezervave Ushqimore të Federatës Franceze (FFBA), gjithashtu thotë se ka rrezik që shoqata e bamirësisë nuk do ta përballojë dot fluksin.

“Organizatat do të kenë nevojë për më shumë staf, më tepër rafte, më shumë dhoma frigoriferike. Por që t’i bëjmë këto, na duhen para dhe paraja është e paktë në këto ditë”, thotë ai.

FFBA mbledh 35 për qind të dhurimeve të saj nga supermarketet dhe Bailet i përgëzon dyqanet për bashkëpunimin e tyre. Nga ana tjetër, vetë supermarketet ndihen të zemëruar që janë portretizuar si shpërdorues të ushqimit.

“Është e gabuar që të drejtohet faji te supermarketet e mëdha kur ne përfaqësojmë vetëm pesë për qind të ushqimit që shkon dëm në Francë. Në fakt, ne jemi shembull, ku 4500 dyqane kanë nënshkruar kontrata me lidhje”, thotë Jacques Creyssel nga Federata për Tregtinë dhe Shitjen e Pakicë.

Në hipermarketin Leclerc në Templeuve pranë Lilles, menaxheri Thomas Pocher thotë se për çdo shtatë klientë që i vijnë në dyqan, ai jep për bamirësi një vakt.

Dyqani krijon 250 tonë mbetje ushqimore çdo vit dhe ka kontrata me shoqatat lokale të bamirësisë. Kreditet e taksave, të cilat lejojnë dyqanin të kompensohet për vlerën e humbur të mallrave, janë një inkurajim.

Pocher mendon se ligji i ri është diçka e pakuptimtë, që e kanë gatuar politikanët, që të mos i vrasë ndërgjegjja dhe se supermarketet duhet të lejohen të zgjidhin sipas dëshirës problemin e ushqimeve të tepërta.

“Këtu në Templeuve ne kemi nënshkruar një kontratë me fermerët vendas për të bërë një shumëllojshmëri supash nga perimet që nuk janë të cilësisë së lartë. Kjo është diçka që nuk e kemi shitur më parë dhe kemi një shef që e ka krijuar supën, të cilën njerëzit e pëlqejnë shumë”, thotë ai.

“Nëse i detyron supermarketet të dhurojnë, kjo krijon shumë probleme. Së pari, ka shumë produkte që do të preferoja të mos i dhuroja, sepse janë të pakonsumueshme. Së dyti, çfarë ndodh në supermarketet e vogla ku nuk ka staf zyre që do të plotësojë dokumentacionin?”, pyet menaxheri, i cili është skeptik për ligjin e Francës.

Sipas tij, mbetjet ushqimore janë shumë të rëndësishme, por nuk duhet të lihen në duart e të Gjelbërve ose ekologjikëve apo njerëzve që duan të ndryshojnë shoqërinë. Si biznesmen, ai mendon se mund të bëjë shumë edhe vetë.

Derambarsh ka edhe kritika të tjera. Disa anëtarë socialistë të Parlamentit janë zemëruar me të që mori vëmendjen mediatike, ndërkohë që ata kanë punuar për këtë çështje prej vitesh.

Disa theksojnë se nga 7.1 milionë tonë ushqimesh teprice në Francë çdo vit, sipas Ministrisë së Ekologjisë, 67 për qind çohet dëm nga vetë konsumatorët, 15 për qind nga restorantet dhe 11 për qind nga dyqanet dhe distributorët.

Derambarsh, djali i dy prindërve iranianë të dëbuar, i cili ka lindur në Paris më 1979-n dhe ka shpenzuar katër vite të fëmijërisë në Iran, i ka shpërfillur kritikat se idetë e tij janë të thjeshta.

“Kur isha i vogël, vendosa që kur të rritesha do të bëja diçka për ta përmirësuar shoqërinë”, thotë ai.

Tani ai i ka kthyer sytë nga Europa.

Pas suksesit të peticionit francez, ai po qarkullon një tjetër peticion online në Bashkimin Europian. Shpresa është që të mbledhë një milion firma nga të paktën shtatë vende, të cilat do të jenë të mjaftueshme për të nxitur iniciativën e shtetasve europianë – një apel zyrtar te Komisioni Europian për të filluar një legjislacion që do të ndalojë supermarketet të çojnë dëm tepricat në BE.

Aktualisht ai ka mbi 630 000 mbështetës. Nëse arrin një milion, komisioni duhet ta marrë në konsideratë iniciativën, ndonëse mund të vendosë të mos veprojë.

*Burimi: BBC

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button