Ekonomia

Udhëzimi, kushte të veçanta për transportin e udhëtarëve

Mjetet e transportit të udhëtarëve do të duhet të përmbushin një sërë kushtesh për të ofruar shërbimin urban dhe ndër urban. Vetëm për plotësimin e kushteve higjeno – sanitare, Ministria e Transportit i ka lënë operatorëve që ofrojnë këëtë shërbim në dispozicion një vit kohë, të gjitha kushtet e tjera do të duhet përmbushen me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2015 numri i mjeteve të transporti në total u llogarit në 522,066 ose rreth 6% më shumë se në vitin 2014. Në fund të vitit të kaluar po sipas të njëjtit burim numri i autobuzëve dhe mikrobuzëve u llogarit në 6,423, ose rreth 375 mjete më shumë se periudha paraardhëse.

Udhëzimi i Ministrisë i cili ka hyrë në fuqi tashmë përcakton se këto mjete duhet të kenë kushte specifike në të kundërt do t’i nënshtrohen sanksioneve që janë përcaktuar me ligjin e ri për transportin publik.

“Autobusët e transportit ndërkombëtar dhe brenda vendit të udhëtarëve, në linja të rregullta, si dhe në shërbimet e transportit të rastit/turistik të udhëtarëve, duhet të jenë të pajisur me sistem kondicionimi dhe qendër zëri, në përputhje me tipin e miratuar. Çdo ndenjëse e autobusit duhet të jetë e pajisur me rripin e sigurimit. Autobusët e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve në linja të rregullta, duhet të kenë dhe tualet (WC, lavaman të vogël dhe solucion pastrimi), në përputhje me tipin e miratuar, si dhe të jenë në gjendje funksionale”, thuhet në këtë dokument.

Gjithashtu këto mjete duhet të plotësojnë kushtet bazë të sigurisë në udhëtim dhe të komoditetit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm ka të bëjë me faktin se në mjetet e transportit publik nuk do të lejohet më reklamimi i subjekteve të ndryshme tregtare.

Në jo pak raste nga autoritetet përkatëse është vënë në dukje se këto mjete shpesh nuk përmbushin kushtet bazë për transportin e udhëtarëve, duke shkaktuar pakënaqësi te marrësit e këtij shërbimi. Edhe të huajt që vizitojnë Shqipërinë e vënë shpesh në dukje mungesën e standardeve në trasportin publik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button