Ekonomia

Impianti i përpunimit të ujërave të përdorura, Veliaj: Përfitojnë 350 mijë banorë të Tiranës

Rreth 350 mijë banorë të Tiranës përfitojnë nga projekti i impiantit të përpunimit të ujërave të përdorura, i cili u inspektua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.

“Nga ky projekt do të përfitojnë 350 mijë banorë të Tiranës, pra gjysma e popullsisë zyrtare, që merr shërbime në qytet dhe besoj se vjen në një kontekst ku pas përmbytjeve, të gjithë jemi bërë pak më të ndjeshëm për infrastrukturën që kemi trashëguar”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se pas më shumë se 50 vitesh, po ndërhyhet për kanalizimet dhe pastrimin e ujërave të zeza. Sipas tij, një problem që shkaktohet në Tiranë, ndikon menjëherë edhe dikë që bën plazh në Durrës.

“Që të mos kapemi më në befasi, duhet të kujdesemi që projekte të tilla të monitorohen dhe të nxisim kompanitë e përfshira në të, që të shtojnë ritmin, në mënyrë që viti 2018 të na gjejë me gjysmën e banorëve të Tiranës të sistemuar”, tha Veliaj. Ai theksoi se projekti është jashtëzakonisht ambicioz, është impianti i dytë, pas atij në Zagreb, më i madhi në Europën Juglindore dhe që zgjidh një pjesë të madhe të problematikës.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, vlerësoi se impianti i ujërave të përdorura për Tiranën është shumë i rëndësishëm në aspektin mjedisor dhe shërbimit ndaj qytetarëve. “Vepra është një mundësi e madhe punësimi. Gjëja më e rëndësishme është që produkti do të jetë shumë cilësor dhe do u shërbejë aktualisht, sipas të dhënave teknike dhe sipas projektit, rreth 350 mijë banorëve të Tiranës, por mundësia është që me një ndryshim teknologjik që jemi duke e diskutuar me kontraktorin, kjo vlerë të dyfishohet”, u shpreh Haxhinasto.

Projekti parashikon ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të ndotura, në zonën e pellgut të lumit të Lanës, dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në zonën e Kasharit. Kapaciteti i impiantit mbulon 350.000 banorë ose afërsisht përpunon një prurje 75.000 m3/ditë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button