Ekonomia

Eficenca pa eficencë e energjisë

Shqipëria, deri në vitin 2018, duhet të kursejë energji në masën 9%. Por me gjasë, ky angazhim rrezikon, pasi po vonohet ngritja e institucioneve që do të duhet të drejtojnë strategjinë e vendit në këtë fushë. Ekspertët rekomandojnë se zvarritjeve duhet t’u jepet fund, për të siguruar standarde dhe modele kursimesh

 

 

Nga Elona Bedalli

Gati një vit pas miratimit të ligjit për eficencën e energjisë, aktet nënligjore nuk janë ende gati. Gjithashtu është vonuar ngritja e institucioneve që do të bëjnë zbatimin e tij. Këto vonesa cilësohen si të dëmshme, nga ekspertë të fushës, duke qenë se edhe për Bashkimin Europian, fjala kyçe për vitin 2017 do të jetë eficenca e energjisë.
Si një vend me statusin e kandidatit për në BE, Shqipëria ka si detyrim përafrimin e legjislacionit në të gjitha aspektet e çështjeve sociale, ekonomike, përfshirë energjinë dhe mjedisin. Strategjia aktuale e BE-së e vlerëson eficencën e energjisë dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme, si një prioritet për zhvillimin ekonomik dhe të përgjithshëm të çdo vendi. Si anëtarë të Komunitetit të Energjisë dhe angazhimeve të tjera të marra prej saj, Shqipëria duhet të ndjekë këtë prirje dhe të përgatisë periodikisht planet kombëtare të veprimit, monitorimin dhe raportimin mbi realizimin e objektivave të energjisë së rinovueshme, eficencës së energjisë dhe reduktimit të emetimeve të gazrave me efekt serë. Objektivi konkret afatmesëm i vendosur nga qeveria shqiptare në këtë kontekst, është ulja e konsumit të energjisë prej 9% deri në vitin 2018.
Akademia e Studimeve Politike, me mbështetjen e Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (SORIS), në kuadër të projektit “I-M-P-akt – Koalicioni qytetar për ndikimin, monitorimin dhe promovimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë” realizoi një studim ku janë paraqitur fazat në të cilat është zbatimi i ligjit për eficiencën e energjisë dhe ku jepen disa rekomandime në lidhje me problematikën që është vërejtur deri tani.
Drejtori i kësaj Akademie, z. Erjon Tase, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të ndryshme dhe angazhimit të shoqërisë civile në krijimin e një terreni të përshtatshëm për zbatimin e reformave ambicioze, por të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe integrimit europian të vendit
Një nga bashkautorët e këtij studimi, ing. Hysni Laçi, gjatë paraqitjes së këtij raporti, vuri në dukje se vonesat kanë ardhur për shkak të: pamjaftueshmërisë së burimeve njerëzore, mbështetjes së mangët nga donatorët, si me ekspertizë apo financiarisht; një pjesë e akteve duhet të përgatiten nga Agjencia për Eficencën e Energjisë, pas krijimit të saj; mungesës së vullnetit politik me nivelet e vendimmarrjes.
Ndërsa sipas Gjergj Simakut, drejtor i Drejtorisë për Burimet Energjetike të Rinovueshme dhe Eficiencës së Energjisë është avancuar me një pjesë të kornizës ligjore që mbështet zbatimin e ligjit. Kjo e fundit, sipas Simakut, është sfida kryesore. Në vitin 2017, tha z. Simaku, në Bashkimin Europian, eficienca e energjisë do të jetë çështje primare, duke u ndjekur më pas nga energjia e rinovueshme.
Plani i ri, si një nga detyrimet që sjell ligji i miratuar në vitin 2015 nuk ka përfunduar hartimin, ndërsa është në fazën e mbledhjes së komenteve nga ana e institucioneve. Në ligj nuk ka një afat të përcaktuar për miratimin e tij.
Sfidë mbetet edhe krijimi i Agjencisë së Eficencës së Energjisë, si dhe Fondit të Energjisë.
Sipas rekomandimeve të këtij studimi është e nevojshme që të shtohen burimet njerëzore vendase dhe të nxitet përfshirja e ekspertizës së huaj, që nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe shpesh është bërë pengesë për ngritjen e institucioneve të reja.
Një tjetër rekomandim ka të bëjë me mbështetjen financiare, e cila vlerësohet se në buxhetin 2017 është parashikuar në nivele mbijetese, duke lënë jashtë vëmendjes çdo mbështetje tjetër për investime nga subjektet e tjera apo veprimtari në sigurimin e masave të konsumit të energjisë.
Gjithashtu, studimi thekson se mekanizmi i monitorimit të vazhdueshëm të axhendës së eficencës së energjisë nuk mund të lihet vetëm në dorë të organizmave ndërkombëtare.
Sipas z. Simaku, në vazhdim pritet finalizimi i Fondit të Eficencës, ku aktualisht janë në dispozicion 10 mln lekë që do të akordohen si fillim nga qeveria shqiptare.
Ai sqaroi se Fondi, së bashku me Agjencinë, do të bëjë të mundur ngritjen e skemave detyruese për konsumatorët e mëdhenj (3 mln kv/orë). Do të jenë audituesit e eficencës (të licencuar) të cilët do të bëjnë të mundur identifikimin e këtyre konsumatorëve, të cilët do t’u nënshtrohen gjobave nëse nuk zbatojnë detyrimet e dala nga ligji.

Çfarë është bërë deri tani

Nga monitorimi i zbatimit të ligjit për eficencën e energjisë, si dhe nga informacioni i marrë nga personat përgjegjës për eficiencën e energjisë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (MEI), si dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), përkatësisht z. Gjergj Simaku, drejtor i Eficencës së Energjisë dhe Burimeve të Rinovueshme në MEI dhe znj. Alma Saraçi, shefe e Sektorit të Eficencës së Energjisë në AKBN u konstatua edhe ecuria e krijimit të institucioneve bazë.
Më konkretisht, sa i përket krijimit të Agjencisë së Eficencës së Energjisë (AEE), MEI ka përgatitur aktualisht strukturën e Agjencisë, përfshirë përshkrimin e punës për çdo anëtar të stafit, nevojën për buxhetin vjetor, statutin dhe po identifikohen ambientet ku mund të vendoset ky institucion i ri. AEE, së bashku me agjencitë rajonale, parashikohet të ketë një staf prej 50 vetësh. Zyrat e AEE parashikohen të vendosen në një godinë të ndërtuar ose rinovuar me masa të eficencës së energjisë. Kosto e parashikuar për realizimin e këtij qëllimi është rreth 40 milionë lekë. Ndërkohë, nevoja për buxhetin vjetor të këtij institucioni për vitin 2017 është parashikuar të jetë rreth 1 milion euro.
Sa i përket Fondit të Eficencës së Energjisë (FEE), në parashikimin e buxhetit për vitin 2017, Ministria e Energjisë ka parashikuar 12 milionë lekë për Fondin. Burime të tjera financiare pritet të sigurohen nga donatorë të ndryshëm. MEI ka përgatitur VKM për kriteret për emërimin e Këshillit Drejtues dhe Drejtorit Ekzekutiv të Fondit, si dhe statutin dhe manualin e procedurave të fondit.
Në lidhje me Planin Kombëtar të Veprimeve të Eficencës së Energjisë (PKVEE), drafti për periudhën 2016 – 2020 është përgatitur dhe po mblidhen komentet nga institucionet, të cilat janë të përfshira apo preken nga ky plan. Nuk ka afat të përcaktuar në ligj për hartimin e tij.
Në mënyrë që të nisë zbatimi i ligjit për eficencën e energjisë dhe masave të parashikuara për përmirësimin e situatës në këtë sektor, nevojitet që të përgatiten aktet nënligjore dhe kuadri përkatës rregullator. Sipas autorëve të këtij studimi, ing. Hysni Laçi dhe ing. Aheron Hizmo, këto vonesa rrezikojnë që të mbajnë pezull krijimin e institucioneve të reja (Fondin dhe Agjencinë) edhe për shumë muaj të tjerë përgjatë vitit 2017.
Sipas tyre, zbatimi në praktikë i legjislacionit të miratuar mbi standardet më të mira europiane vazhdon të mbetet një sfidë jo vetëm në fushën e energjisë për vendin tonë.
Megjithatë bazuar edhe në përvojat e vendeve të tjera, Bashkimi Europian ka krijuar një varg mekanizmash për t’iu ofruar asistencë, por edhe për t’i monitoruar përpjekjet e vendeve aspiruese për krijimin e kornizës përkatëse ligjore dhe harmonizimin e saj me vendet e BE-së. Rolin e institucionit asistues dhe monitorues në fushën e politikave energjetike e luan Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, me seli në Vjenë. Gjithashtu asistenca teknike e GIZ-ORFEE për Ministrinë e Energjisë, mund të jetë e vlefshme për hartimin e metodologjisë për monitorimin, vlerësimin dhe verifikimin e kursimeve të energjisë, si rezultat i zbatimit të masave të planifikuara të eficencës së energjisë.

 

energji korent poc pag_optRekomandimet

Me qëllim përballjen e të gjitha këtyre sfidave për hartimin e akteve nënligjore brenda afateve të përcaktuara, ngritjen e institucioneve të parashikuara si dhe krijimin e premisave për zbatimin e masave të parashikuar për eficencën e energjisë, nga ekspertët rekomandohet që:
• Të shtohen burimet njerëzore vendase dhe të nxitet përfshirja e ekspertizës së huaj nëpërmjet donatorëve, për plotësimin e të gjitha akteve nënligjore dhe rregulloreve të tjera, të cilat mbajnë pezull ngritjen e institucioneve të reja dhe nisjen e zbatimit të ligjit për eficencën e energjisë. Përfshirja e ekspertëve nga bota akademike apo biznesi privat në hartimin e këtyre dokumenteve rregulluese të nivelit të dytë, mund të jetë një tjetër mundësi për përshpejtimin e axhendës dhe arritjen e afateve të parashikuara.
• Kërkohet një angazhim më i madh i vendimmarrësve në institucionet qendrore (Këshilli i Ministrave, Ministria e Energjisë, Ministria e Zhvillimit Urban etj.) dhe bashkërendim mes tyre për të çuar përpara axhendën dhe detyrimet e përcaktuara nga ligji. Për shkak të fokusimit tek reforma në sektorë të tjerë, ka një mungesë të vëmendjes së duhur për fushën e Eficencës së Energjisë. Ngritja e grupeve ad-hoc ndërinstitucionale me përfshirjen edhe të aktorëve të tjerë në këtë sektor, mund të nxisë kapërcimin e këtyre vonesave dhe neglizhencave nga vendimmarrësit.
• Mbështetja financiare në buxhetin e vitit 2017 për ngritjen e Fondit të Eficencës dhe Agjencisë për Eficencën, është parashikuar në nivele mbijetese për logjistikën dhe buxhetin e pagave për këto institucione, duke lënë jashtë vëmendjes çdo mbështetje tjetër për investime nga subjekte të tjera apo veprimtarinë e parashikuar në sigurimin e masave të kursimit të energjisë. Në këto rrethana, është e domosdoshme që mbështetja e nevojshme financiare të plotësohet nga financimet e organizmave ndërkombëtare donatorë dhe institucionet e ndryshme financiare private. Angazhimi i këtyre burimeve dhe mekanizmave të tjerë financiarë rajonalë dhe europianë kërkon një angazhim serioz nga politikëbërësit dhe Këshilli i Ministrave.
• Krijimi i mekanizmave të monitorimit të vazhdueshëm të axhendës së Eficencës së Energjisë do të ndihmonte në nxitjen e respektimit të afateve ligjore dhe presionit pozitiv për të gjithë aktorët e ngarkuar nga ligji. Ky monitorim nuk mund të lihet në dorë vetëm të organizmave ndërkombëtarë si Komuniteti i Energjisë, por kërkon një angazhim të vazhdueshëm të programeve të donatorëve dhe aktorëve të shoqërisë civile.

Çfarë është bërë (?)

-Në fillim të dhjetorit u miratua nga Këshilli i Ministrave ngritja e Agjencisë Kombëtare të Eficiencës së Energjisë (e parealizueshme deri në fund të vitit)
-Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka nisur konsultimet për rregulloren e audituesve të energjisë
-Nuk ka asnjë zhvillim për Fondin Kombëtar të Eficiencës
-Nuk u arrit të zhvillohej faza e dytë e planit kombëtar për eficiencën (NEEAP) as këtë vit

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button