Ekonomia

Dëmshpërblimi për ish të përndjekurit/ Rihapet aplikimi për kategoritë që nuk kanë marrë asnjë këst

Ish-të përndjekurve që mbetën jashtë procesit të verifikimit të dosjeve të dorëzuara në 2009, me kalimin e projektligjit të ri në Parlament, u jepet edhe një shans i dytë për të marrë këstet e dëmshpërblimit që u takojnë për dënimet e vuajtura gjatë regjimit komunist.

Ky projektligj, përcakton një afat të ri për dorëzimin e dosjeve me dokumentet e kërkuara për qindra ish të dënuar politik, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë dëmshpërblimin. Deri më tani janë rreth 320 dosje që pritet të përfitojnë nga ky draft, zbatimi i të cilit do të nisë brenda këtij viti.

Konfirmimi është bërë ditën e djeshme nga vetë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, teksa raportonte në komisionet parlamentare mbi procesin e dëmshpërblimit për kategoritë që nuk kanë marrë ende asnjë këst.

Pas diskutimeve të zhvilluara, Komisioni i Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë kanë miratuar projektligjin për hapjen e afatit të aplikimit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, kategoria parësore që u përjashtuan nga procesi pasi kishin dorëzuar dokumentet tej afateve të përcaktuara.

Aktualisht jemi duke shpërndarë këstin e shtatë. Gjithashtu jemi duke e mbyllur me të gjithë të përndjekurit e tjerë politik ndarjen e këtij kësti, në mënyrë që brenda muajit qershor të kemi përfunduar edhe ndarjen e këstit të tetë për të gjitha kategoritë përfituese.

Ndërkohë që me ndryshimet ligjore që po prezantojmë në komision, hapet mundësi që brenda harkut kohor të vitit tjetër, dhe këta 320 të përndjekur politik të kategorisë parësore që shtohen rishtazi në listën e të përndjekurve politik, të kenë mundësinë që të marrin dëmshpërblimin e tyre financiar. Fondi në këtë rast është 919 milion lekë”, vuri në dukje ministri Klosi.

Ndërkohë që për kategoritë e tjera po vijon shpërndarja e këstit të shtatë, teksa paralelisht po veprohet edhe me dhënien e kësteve të tjera të prapambetura, për të gjithë përfituesit që kanë pasur mangësi në dosje, apo problematika të tjera të evidentuara nga dikasteri i financave.

Lidhur me numrin real të përfituesve gjatë këtyre katër viteve, ministri Klosi ka bërë me dije se: “Në vitin 2014 janë paguar rreth 5100 persona me rreth 1.8 miliard lekë. Një vit më pas në 2015 janë paguar rreth 6800 persona me 2 miliardë lekë nga të cilët në këstin e katërt dhe të pestë janë dëmshpërblyer 2700 persona, duke marrë parasysh faktin që shumica e tyre kanë përfituar edhe 3 këste brenda një periudhe kohore 1 vjeçare.

Ndërsa gjatë vitit 2016 rreth 5 500 persona, me rreth 2 miliard lekë të fondit në dispozicion. Po ashtu edhe gjatë vitit 2017 po shpërblejmë të gjithë të përndjekurit politik të kategorisë parësore”.

Për të mos vonuar marrjen e kësteve të dëmshpërblimit, të gjithë përfituesit e kategorisë parësore, duhet të dorëzojnë në dikasterin e financave dokumentet e kërkuara. Bashkangjitur shkrimit gjendet e detajuar dosja e dokumenteve që duhet të dorëzojë secila prej 6 kategorive përfituese të këstit të shtatë.

Dosja që duhet të dorëzojnë 6 kategoritë përfituese për mbylljen e këstit të 7

  • Për kategorinë e parë parësore, ish të dënuarat politike gra që jetojnë, si dhe për kategorinë e dytë parësore, ish të dënuarit politikë që jetojnë mbi 75 vjeç, si dhe për kategorinë e gjashtë parësore që janë ish të dënuarit politikë që jetojnë që kanë moshë nën 75 vjeç, dokumentet që duhet të dërgojnë janë : Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit, si dhe numër llogarie bankare në lekë në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit tonë. Personat që depozitojnë numrin e llogarisë bankare duhet që të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitohet kësti i radhës, të jetë ende aktiv.
  • Për kategorinë e tretë parësore që janë ish të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, dokumentet që duhet të dërgojnë janë: “Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit, numër aktiv i llogarisë bankare në lekë, vendimi i KMCAP, (KEMP-i epror), i cili vërteton humbjen e plotë të aftësisë për punë, origjinale. Vendimi duhet të jetë plotësuar saktë, me shkrim të lexueshëm dhe pa korrigjime, si dhe duhet të ketë të shkruar emrin dhe mbiemrin e të gjithë anëtarev të KMCAP bashkë me nënshkrimin e tyre dhe vulën e komisionit. kjo kategori duhet të dorëzojë edhe Epikrizë për sëmundje onkologjike, malinje dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuara nga: Qendra Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitali Universitar “Mbretëresha Geraldinë”, Spitali Universitar “Koço Glozheni”. Kjo epikrizë përgatitet nga mjeku që trajton të sëmurin, nënshkruhet me emrin dhe mbiemrin e mjekut kurues. Shefi i Shërbimit vërteton saktësinë e diagnozës dhe e nënshkruan këtë document dhe në fund, epikriza firmoset nga drejtuesi i institucionit shëndetësor me vulën përkatëse.
  • Për kategorinë e katërt parësore që janë ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha kanë pasardhës të radhës së pare në moshë të mitur dokumentet që duhet të dërgojnë janë: “Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit, numër aktiv i llogarisë bankare në lekë certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur, certifikatë personale të fëmijës apo fëmijëve të mitur.
  • Për kategorinë e pestë parësore që janë ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur dokumentet që duhet të dërgojnë janë: “Certifikatë vdekje e ish të dënuarit politikë, certifikatë e trungut familjar të ish të dënuarit politikë ku të përfshihen fëmijët e mitur, certifikatë personale për trashëgimtarë të radhës së parë të ish të dënuarit politikë që nuk jeton, dëshmi trashëgimie për ish të dënuarit politikë, origjinale ose kopje e noterizuar, vendim Gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna apo babai nuk jetojnë më, numër aktiv të llogarisë bankare, si dhe dokumentet e identitetit të kujdestarit ligjor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button