Politika

Dita e Europës, Vlahutin: Ne do t’ju tregojmë gjithmonë të vërtetën qoftë apo jo e ëmbël

Aktiviteti për “Dita e Europës”, këtë vit u organizua (sot) në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, në kalanë historike të këtij qyteti.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin u shpreh se “së bashku ne krijojmë një shoqëri më të mirë për të gjithë. “Është e lehtë që të luftojmë e të shkatërrojmë, gjithkush mund ta bëjë këtë, por duhet kurajo e vërtetë të bëhen zgjedhje me përfitim për të gjithë. Dhe një cikël i ri do të fillojë, që do ta rrokë vendin tuaj dhe do ta bëj pjesë të BE-së. Ju keni bërë një rrugë shumë të madhe gjatë 25 viteve dhe keni ndërmarrë disa reforma. Një ndër to është reforma në drejtësi”, tha Vlahutin.

“Ju nuk do të jeni vetëm në BE. Ne do të jemi gjithmonë miqtë tuaj dhe si miqtë e mirë, ne do t’ju tregojmë gjithmonë të vërtetën qoftë apo jo e ëmbël. Zgjedhjen e keni ju, por edhe përgjegjësia është e juaja”, shtoi Vlahutin.

Kurse Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Ballkani ka sot mbase më shumë se asnjëherë tjetër nevojë për Europën, por edhe BE nuk ka pasur kurrë më shumë se sot nevojë për Ballkanin”. Kryeministri Rama përshëndeti aktivitetin “Dita e Europës”, i cili këtë vit u organizua në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. I cilësuar nga Kadare se “qyteti i pjerrët”, organizimi i këtij aktiviteti në Gjirokastër, për Ramën, lidhet për koicidencë me pjerrësinë ku sot gjendet vetë Europa. “Sot ne jemi në një udhëkryq, Unioni më i suksesshëm në historinë e kombeve është në një udhëkryq. Në Francë sot është heshtje zgjedhore në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale, ku dy alternativat nuk mund të ishin më të kundërta. Njëra me vizionin për të ardhmen e Unionit dhe tjetra për t’u kthyer 400 vjet prapa në doktrinën e kombit shtet. Shpresoj që gjithçka nesër në Francë të flasi për riafirmim të Europës që duam, por fakti që ka një alternativë të dytë shkatërrimtare për Europën që duam, dhe që sidoqoftë do të votohet nga miliona francezë, nuk e përmbys pikëpyetjen mbi vetë të nesërmen e BE-së”, tha Rama.

Unioni është një ngrehinë e papërkryer, tha Rama, duke shtuar se hynë tek ata persona që joperfeksionin lëndues të Unionit sot, e shohin vetëm si paplotshmëri të një projekti që në vetvete është fantastik dhe nuk mund të braktiset kurrsesi.

Screenshot_23“Sot Europa jeton gjeneratën e parë që nuk ka njohur asnjë luftë dhe mbase vetë BE është një arsye themelore për këtë. Por sidoqoftë sot më shumë se asnjëherë është njëkohësisht e qartë se ngritja e mureve për të mbajtur jashtë ata që kanë pasur fatin të lindin në Europë, nuk është një alternativë, sepse Europa i ka provuar edhe më parë muret e postoblloqet dhe dështimet kanë qenë spektakolare ashtu si edhe plagët”, vijoi Rama.

Rajoni i Ballkanit që u pa si fuçi baruti ku qëndron ulur Europa, sipas Kryeministrit shqiptar, sot ka shumë më shumë nevojë se kurrë për tu lidhur me Europën. “Jemi në një fazë të re në marrëdhëniet në rajonin tonë. Ballkani ka sot mbase më shumë se asnjëherë tjetër nevojë për Europën, por edhe BE nuk ka pasur kurrë më shumë se sot nevojë për Ballkanin”, tha Rama.

Screenshot_16Duke u ndalur te situata politike në Shqipëri, Kryeministri Rama u shpreh se “edhe në Shqipëri ne sot jemi në një udhëkryq që është përcaktuar nga vullneti për të hyrë në një fazë të re dhe për të ndërtuar një drejtësi të re, që pa BE do të ishte krejtësisht e pamundur”. “Pavarësisht rezistencës, barrikadave dhe mureve që kemi përpara si një pengesë për të filluar zbatimin e reformës në drejtësi, është e qartë që në këtë udhëkryq patjetër që do të fitojë e ardhmja dhe nuk do të imponohet dot e shkuara. Do të fitojë Europa në zemrat dhe vullnetin e shqiptarëve dhe jo kundërvënia ndaj saj, si shprehje e frikës nga e ardhmja dhe tmerrit nga drejtësia”, shtoi Rama.

Pesha e së shkuarës në këtë rajon, sipas Ramës, është shumë më e rëndë se kudo tjetër në Europën ish komuniste, ndaj të gjitha përpjekjet tona për tu afruar me Europën janë në vetvete përpjekje për tu shkëputur nga pesha e së shkuarës. “Kjo është sfida për të cilën ne jemi plotësisht të përkushtuar dhe shpresoj shumë që edhe këtë periudhë udhëkryqi në historinë tonë të brendshme politike, ta kapërcejmë me njerzillëk. Cilësia e një demokracie nuk matet me sa shumë njerëzit bien dakord, por se sa njerëzisht jetojnë mosdakordësinë mes tyre”, tha Rama.

Ai shprehu bindjen se “në 18 qershor, shqiptarët do të japin një mesazh të qartë e të fortë për të gjithë, se rruga jonë është Europa dhe zbatimi i reformave që na bëjnë vend europian është i pashmangshëm dhe nuk mund të shtyhet para në kohë”.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button