Politika

Meta takon Escobar: Përmbushim detyrimet e partneritetit me SHBA

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta priti sot në një takim zëvendësndihmëssekretarin e SHBA për Çështjet Europiane dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Meta u shpreh se theksoi gjatë takimit rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Sipas tij, “për Shqipërinë, aleanca me SHBA-së është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit”.

“Vlerësova komunikimin e hapur për të gjitha çështjet që diskutuam në takim. E falënderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO-s në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike. Vlerësova se angazhimi i SHBA-ve në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve”, u shpreh Meta, ndërsa informoi mbi temat e këtij takimi.

Kreu i Partisë së Lirisë theksoi se zgjedhjet e 14 majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japin fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejnë demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.

Ai nënvizoi po ashtu vendosmërinë e Partisë së Lirisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA.

Meta shprehu vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button