Strasburgu kthen mbrapsht 3 kandidaturat e qeverisë
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rrëzoi sot listën e qeverisë me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Burime për Opinion.al thanë se kandidaturat nuk janë pranuar për mosrespektim të procedurave të përzgjedhjes.
Ata ishin ish-kryeprokurorja Ina Rama, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi dhe juristi Gent Ibrahimi. Këta tre emra u dërguan pak javë më parë si kandidatë për gjyqtar i Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Komisioni përzgjedhës i kandidaturave u ngrit nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Ishte ky komision që dërgoi emrat e Ramës, Berberit e Ibrahimit në Strasburg. Ende nuk dihet procedura që do të ndjekë qeveria shqiptare për përzgjedhjen e kandidatëve të rinj, tashmë që Strasburgu ktheu mbrapsht emrat e lartpërmendur.