Kronika

Rikthehet importi i mbetjeve, Shalsi: Tani i kontrollojmë më mirë

Vendimi i parë që Edi Rama firmosi si kryeministër i Shqipërisë ishte ai i ndalimit kategorik të importit të mbetjeve. Por tre vjet më pas, një grup prej 3 deputetësh të Partisë Socialiste, të kryesuar nga Eduard Shalsi kanë propozuar një draft, i cili e rikthen importin e mbetjeve.

“Dhe ne do ta diskutojmë në komision. Sigurisht që qeveria është në dijeni. Qëndrimi është që të lejojmë industritë e riciklimit të sjellin jo mbetje por lëndë të parë sekondare. Nuk ndryshon gjë për mbetjet e rrezikshme e ato jo të rrezikshme që ligji ndalon për t’u asgjësuar e depozituar në Shqipëri”, deklaron Shalsi.

Ndalimi i plehrave ishte një nga premtimet kryesore të socialistëve në fushatën e 2013-s, i cili pati dhe përfitime jo të vogla elektorale për të majtën. Por Shalsi mohon që ky të ketë qenë një kalkulim elektoral.

“Në 2013 Shqipëria kishte nevojë për një masë drastike sepse na duhej të investigonim shqetësimin që të huajt kishin vazhdimisht dhe e publikonin në mediat e tyre: çfarë hynte në Shqipëri? A kishte siguri në dogana? Sot janë pjekur kushtet që të lejohet futja e lëndës së parë sekondare, që do të bëjë të mundur mbijetesën e këtyre kompanive”, thotë Shalsi.

Deri tani nismat e deputetëve socialistë gjithmonë kanë marrë miratimin e maxhorancës si ishte rasti i ligjit të KLD apo ai i Inspektoriatit të Pasurive. Kjo duket një arsye më shumë për t’u shqetësuar nga ambeintalistët.

“Në këtë pikë ne gjëja e parë që do të bëjmë është të hymë në zyrën e kryeministrit dhe të kërkojmë llogari dhe nëse qeveria avancon me një kërkesë të tillë ne do të rikthejmë opsionin e referendumit. Qytetarët janë shprehur qartë kundër importit të mbetjeve, pasi kjo do të ishte katastrofike për mjedisin shqiptar”, deklaron Andi Tepelena nga Aleanca kundër importit të plehrave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button