Kronika

Shqipëri-SHBA: Konsultimet bilaterale në fushën e mbrojtjes

Në vijim të angazhimeve bilaterale, në fushën e mbrojtjes me SHBA-të, gjatë ditës së sotme u zhvilluan konsultimet bilaterale mes palëve. Delegacioni shqiptar kryhesohej nga ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, e cila në fjalën e saj të hapjes, nënvizoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në në përgjithësi dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në veçanti. Më tej gjatë fjalës së saj ministrja Kodheli përmendi rezultatet e arritura nga ky bashkëpunim në dy vitet e fundit. Në këtë kontekst, ajo u ndal tek angazhimet e përbashkëta si operacionet, edukimi, trajnimi dhe stërvitjet, modernizimi, transformimi, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes.

Më tej, znj. Kodheli u ndal edhe tek kompleksiteti i ambjentit të sigurisë në zonën Euro-Atlantike, ku Aleanca është duke u përballur me rreziqe dhe kërcënime nga drejtimi lindor dhe jugor i saj.

Në këtë kuadër, ajo u shpreh se Shqipëria ndihet krenare për kontributin domethënës që jep me trupa dhe personel në mbështetje të implementimit të Planit të Gatishmërisë për Veprim të NATO-s. Duke u ndalur tek rëndësia e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes ndërmjet dy vendeve tona, ministrja Kodheli tha se është në një stad të shkëlqyer. “Shqipëria mbetet e angazhuar për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen. Disa nga fushat e evidentuara nga ana jonë janë pjesëmarrja në operacionet e përbashkëta, zhvillimi i paketës së kapaciteteve të FA-së, rritja e mundësive për edukim dhe trajnim të personelit ushtarak dhe civil. Dhe së fundmi, lufta e përbashkët kundër terrorizmit”. – ka përfunduar ministrja Kodheli.

Nga ana e tij, zv. Asisenti i Sekretarit të Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, z. Michael Carpenter, falenderoi palën shqiptare për punën e përbashkët të shkëlqyer, si në kontekstin bilateral ashtu edhe në atë multilateral.

Gjithashtu, ai nënvizoi se bashkëpunimi SHBA–Shqipëri është një bashkëpunim mjaft i frytshëm dhe solid. Duke folur për Ballkanin Perëndimor, ai falenderoi Shqipërinë për rolin konstruktiv që ka luajtur dhe vazhdon të luaj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, në rajon dhe më gjerë.

Në përfundim, z.Carpenter theksoi se SHBA-të mbeten të gatshme të mbështesin Shqipërinë nëpërmjet programeve të shumta në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Në vijim konsultimet vijuan në adresimin e disa çështjeve specifike si: situata politike dhe e sigurisë në rajon, bashkëpunimi në kuadër të planit bilateral në fushën e mbrojtjes, luftën kundër terrorizmit etj.

Gjithashtu gjatë takimit u trjatua edhe propozimi i vendit tonë për ngritjen e një Qendre Ekselence të NATO-s në luftën kundër fenomenit të luftëtarëve të huaj dhe shqyrtimi i mundësive për pjesëmarrje me asete të Forcës tonë detare, në operacionin e NATO-s në detin Egje, duke asistuar në krizën e migracionit.

Në mbyllje të takimit, të dy delegacionet ranë dakort për të vijuar bashkëpunimin, mbështetur dhe në rekomandimet dhe gjetjet e konsultimeve të sotme.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button