Rajoni

Greqi, Davutoglu takohet me Samaras dhe Papoulias

Për gati një orë e gjysmë, kryeministri grek Antonis Samaras dhe homologu i tij turk, Ahmet Davutoglu, i cili ka mbërritur në Athinë për një vizitë dyditore me disa ministra të kabinetit dhe afaristë nga Turqia, kanë diskutuar gjithë gamën e marrëdhënieve dypalëshe.

1417813095samaras-davutogluBurime qeveritare kanë vlerësuar pozitivisht bisedën e dy kryeministrave, në një moment kur marrëdhëniet midis dy vendeve kalojnë për të disatën herë një fazë të vështirë, përsa i përket objektivit kryesor të tyre: problemit qipriot dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike të Qipros në Egjeun lindor, pasi Turqia kërkon që një pjesë e saj, e pasur me hidrokarbure, t’i përkasë edhe pjesës veriore të ishullit, të pushtuar disa dekada më parë prej saj.

Mediat greke theksojnë se në takimin e dy udhëheqësve janë konfirmuar pikat e konvergjencave të mëtejshme të të dy fqinjëve. Në fillim të vizitës së tij, Davutoglu ka takuar Presidentin Karolos Papoulias dhe komentet për bisedën e tyre para kamerave janë diskutuar shumë në mediat e të dy vendeve.

“Jemi fqinj zoti Davutoglu dhe do të mbetemi fqinj. Por për këtë duhet të mbetemi fqinj të mirë”, tha Presidenti grek Karolos Papoulias.

“Keni shumë të drejtë zoti President. Mund të ndryshojmë çdo gjë, por pozicionin gjeografik nuk e ndryshojmë dot. Dhe është një gjë e mirë që jemi fqinj, sepse historikisht ka pak fqinj, të cilët kanë kaq shumë të përbashkëta kulturore dhe marrëdhënie të mira”, tha kryeministri turk Ahmet Davutoglu.

Davutoglu i ka përmendur më pas Papoulias se e kishte ftuar në Turqi kur ishte ministër i Jashtëm dhe ia ka përsëritur ftesën tani si kryeministër. Ndërsa Presidenti grek i është përgjigjur në mënyrë diplomatike, pasi e ka falënderuar, se kanë kaluar 62 vjet nga vizita e fundit e kreut të shtetit turk në Greqi.

Përveç çështjes qipriote, pothuajse çdo ditë regjistrohen në zonën ajrore midis dy vendeve dhe në ujërat e Egjeut, incidente që tensionojnë marrëdhëniet e dy vendeve, pasi Athina dhe Ankaraja nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për moskufizimin e zonave detare.

Një pengesë tjetër në marrëdhëniet dypalëshe është edhe minoriteti musliman i Trakës, për të cilin Ankaraja pretendon se është pakicë kombëtare turke, ndërsa Athina jo vetëm që nuk e pranon, por kërkon nga ana e saj edhe hapjen e shkollës teologjike të Halkit në Turqi.

Vizita e kryeministrit turk do të vazhdojë deri pasditen e së shtunës, pas takimit me kreun e opozitës Aleksis Tsipras.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button