Politika

Raportuesja për Shqipërinë në Bundestag: E shohim Shqipërinë në BE, por situata në vend nuk ndihmon

Katrin Staffler, raportuese për Shqipërinë në Bundestag thotë se parimisht “e shohim Shqipërinë në BE”. Deputetja e CSU-së, e cila prej fillimvitit është raportuesja e re e CDU/CSU-së në Komisionin e BE-së së Bundestagut në një intervistë për Deutche Welle shprehet gjithashtu se në Shqipëri reformat kanë ngecur në vend për shkak të situatës së vështirë në të cilën ndodhet vendi. “Dhe kjo nuk e ndihmon situatën”, tha ajo.

Staffler do ta bëjë vizitën e saj në Shqipëri në gjashtëmujorin e ardhshëm. Në intervistën me DW-në, ajo thotë se Gjermania nuk duhet të ndërhyjë në politikën e brendshme të Shqipërisë, pasi çdo dialog duhet të kalojë nga BE.

E pyetur për situatën politike me protestat e opozitës dhe djegien e mandateve,  Staffler tha se është një situatë e vështirë, sepse zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2021.  “Kjo nuk do të thotë që Parlamenti ose Presidenti të mos hapin rrugën për të krijuar kushtet e duhura për të vazhduar rrugën e reformave. Sepse unë mendoj se reformat kanë ngecur në vend për shkak të situatës së vështirë në të cilën ndodhet vendi. Dhe kjo nuk e ndihmon situatën”, u shpreh ajo.

“Mendoj se qeveria gjermane nuk ka pse të ndërhyjë në konflikt si e tillë. Ne jemi të përfshirë në BE dhe mendoj se çdo dialog duhet bërë në radhë të parë nëpërmjet Bashkimit Evropian”, u shpreh Staffler.

Në lidhje me hapjen e negociatave në qershor, zyrtarja gjermane u shpreh se fillimisht “duhet të presim raportin e ri të Komisionit të BE-së për Shqipërinë, para se të bëjmë deklarata të parakohshme”. “Natyrisht, e shohim me vëmendje situatën në vend dhe e marrim me mend se në cilin drejtim do të shkojë raporti. Por vendimet do t’i marrim pas raportit”, u shpreh ajo.

E pyetur për qëndrimin e Komisionit Europian që tha se janë plotësuar kushtet, duke u pozicionuar pro hapjes së negociatave, Staffler tha se njëkohësisht, “KE tha se ka edhe shumë gjëra të tjera që duhen rregulluar”.

“Reforma e drejtësisë është një pikë shumë e rëndësishme. Vërtet që vetingu ka shënuar një hap përpara, por duhet pritur derisa të përmbyllen të gjitha verifikimet. Sepse vendet vakante duhen zënë me personel. Unë shpresoj që aty të punësohen njerëz kompetentë”, u shpreh ajo.

“Nuk flas dot për të gjithë në parti. Por nga diskutimet del në pah se parimisht ne e shohim Shqipërinë në BE, nëse ajo i plotëson kushtet”, tha Staffler.

“Pyetja është se kur do të dalë progres-raporti dhe pastaj mund të flasim më tej. Nëse kjo ndodh para zgjedhjeve, në rregull. Vendimtare nuk është data e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, por data e progres-raportit të Komisionit”, përfundoi ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button