Politika

Zgjedhjet e 6 marsit, Rama: Fituam 5 bashki me rezultate përtej parashikimeve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Partia Socialiste fitoi 5 nga 6 bashkitë në garë, me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona”.

Rama tha se “zgjedhjet e djeshme i dhanë Partisë Socialiste as më shumë e as më pak se sa prisnim”.

“5 nga 6 bashkitë në garë, me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona. Urime fituesve dhe faleminderit të gjithë atyre që u angazhuan për këtë rezultat, po mbi të gjitha faleminderit zgjedhësve, të cilët dje ushtruan pushtetin e tyre vendimmarrës në interes të komunitetit”, tha Rama.

Por, Kryeministri tha se, “ajo që po ndodh në më pak se dy orë vijë ajrore nga Shqipëria, e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje”.

“Sa hap e mbyll sytë bota ku jetonim ka rindryshuar përsëri. Por ndryshe nga ndryshimi i përkohshëm që na ka imponuar pandemia, ky rindryshim duket se nuk do të jetë aq i përkohshëm. Lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e ndikimit të saj kudo, në tregjet e mëdha e të vogla, ku jeta e përditshme po shtrenjtohet orë e minutë nën bombat e pasigurisë që lufta mbjell kudo”, tha Rama.

“Sa hap e mbyll sytë filmat me Luftën e Tretë Botërore, armët atomike, shkretimin e vendbanimeve, ia kanë lënë vendin realitetit të jetës sonë, ku duket sikur s’ka më asnjë çmenduri të pamundur dhe sikur as vetë fundi i botës, nuk mund të përjashtohet si një nga skenarët e mundshëm”, shtoi ai.

Ndërkohë, vijoi Kryeministri, ne kemi fituar Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Vorën e Rrogozhinën, me rezultate përtej parashikimeve më optimiste.

“Por sot lartësia e sfidës është ku e ku më shumë marramendëse, se sa mirëqeverisja e këtyre bashkive dhe se sa të gjitha sfidat qeverisëse deri fare pak ditë më parë. Ia dolëm me tërmetin dhe me pandeminë, e gabimisht menduam se më e keqja kaloi. Kjo që sapo na ka dalë përpara është më e keqja fare. Duhet me se s’bën t’ia dalim edhe kësaj. Të bashkuar, jo të ndarë”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button