Ekonomia

Shqipëria, parajsa e bizneseve greke deri në 2010-n dhe si “shpëtoi” Banka e Kursimeve

aPas viteve ’90, kompanitë greke ia dolën në Shqipëri të investojnë në pika kyçe strategjike dhe mjaft fitimprurëse në Shqipëri, ky më kryesoret janë bankat dhe telekomunikacionet, duke joshur dhe një sërë biznesesh të tjera në zinxhirin e shërbimeve mbështetëse. Një drejtues i një banke greke thoshte dikur që Shqipëria është një minierë floriri. Kjo strategji në fakt u ndoq në gjithë rajonin.
Ata që i kanë ndjekur mediat dhe zhvillimet me Greqinë në vitet 2000, e kanë në memorie një plan grek për dominimin ekonomik të rajonit. Nëpërmjet blerjes së ndërmarrjeve publike në vendet e Ballkanit Perëndimor të porsadala nga regjimet totalitare, Greqia synonte të kishte në zotërim një rrjet rajonal bankash, telekomunikacionesh dhe një lidhje infrastrukturore, ku të shiste mallrat e veta në tregjet thuajse të virgjëra të rajonit. I konsideruar gati si një plan “Marshall” nga heretikët grekë, ai nisi të funksionojë. Banka e Pireut, e njohur në Shqipëri si Tirana Bank, zgjeroi praninë edhe në të paktën pesë vende të rajonit.

Në veçanti, ky grup operon në Rumani nëpërmjet Piraeus Bank Rumania me 140 degë, në Bullgari përmes Piraeus Bank Bulgaria me 83 degë, në Shqipëri përmes Tirana Bank me 53 degë, në Serbi me 42 degë të Piraeus Bank Beograd, në Ukrainë me 37 degët e Piraeus Bank iCB, në Qipro me 14 degë të Piraeus Bank Qipro, në Egjipt me 41 degë. Por në Shqipëri, edhe për shkak të afrisë më të madhe gjeografike dhe mungesës së tregut, operatorët grekë bënë revolucionin duke qenë të parët që zhvilluan sistemin bankar privat duke hapur filiale krahas bankave shtetërore shqiptare, BKT dhe Bankës së Kursimeve sot (Raiffeisen Bank).

Greqia “dështoi” në fillim të viteve 2000 në planin e saj për të privatizuar ish Bankën e Kursimeve, që në atë kohë kishte gati gjysmën e aktiveve të sistemit, për shkak të këmbënguljes së autoriteteve shqiptare për të mos rritur më ekspozimin e sistemit ndaj Greqisë, ndërkohë që vendi u përfshi në atë kohë nga një valë e pashpjegueshme paniku, që çoi në tërheqjen e depozitave. Që në atë kohë, në argumentet e tyre për moslejimin e privatizimit të Bankës së Kursimeve nga një bankë greke, autoritetet i trembeshin faktit se një krizë në shtetin fqinj do infektonte dhe sistemin financiar shqiptar. Nëse grekët do ia kishin dalë planit të tyre për të blerë Bankën e Kursimeve, sot ekspozimi ndaj krizës do të kishte qenë shumë më i madh, me gati gjysmën e aktiveve që do të ishte në pronësi të bankave me kapital grek.

Në Shqipëri duket se, plani grek avancoi më shumë nëpërmjet investimeve të mëdha strategjike, sidomos telekomunikacioneve. Pas privatizimit të kompanisë celulare, AMC në vitin 2000, Vodafone hyri dy vjet më pas përmes filialit të saj grek. Dy kompanitë për vite me radhë iu gëzuan situatës oligopol, që solli rritje të shpejta dhe normave të larta të fitimit, që arritën deri në 50-60%, por 2009-s, me rritjen e konkurrencës normat e fitimit ranë, ndonëse vijojnë ende të mbeten të larta.
Edhe sot pas 15 vitesh, edhe pse shteti grek po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri për sa i përket stokut të Investimeve të Huaja Direkte për vitin 2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Greqia ka një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40% në raport me një vit më parë, ku vendin kryesor e zënë telekomunikacionet. Nëse shteti grek vijon në bjerë më shumë në krizë, efekti do të ndihet dhe në investimet e huaja në Shqipëri, qoftë në fluksin e ri të investimeve, ashtu dhe në daljen e të ardhurave nga investimet në formën e transferimit të fitimeve, që është rritur ndjeshëm vitin e fundit, teksa bijat do tentojnë t’u vijnë në ndihmë mëmave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button