Kosova

Të rinjtë e Kosovës kërkojnë të jenë të barabartë me ata të Evropës

Tryeza katër ditore “Modeli i Bashkimit Evropian Kosova 2016”, e cila ka për qëllim të përçojë mesazhin e të rinjve dhe qytetarëve të Kosovës në Evropë për liberalizimin e vizave, nisi sot punimet në Prishtinë.

Në këtë tryezë marrin pjesë të rinj nga Kosova dhe vendet e BE-së.

Kryetarja e komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatçija, në fjalën e saj tha se “fatkeqësisht studentët kosovarë, të cilët flasin një numër të madh të gjuhëve të huaja e shohin Evropën vetëm në internet apo në televizion.Ky takim do të përçojë mesazhin që nuk mundet në gjeografinë e Evropës të jetë vetëm një vend në të cilin është e kufizuar liria e lëvizjes”.

“Ne si shtet dhe si institucione pas nënshkrimit të MSA-së dhe pas kalimit para dy ditësh në Komisionin për Integrimin Evropian të programit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes për Stabilizim Asocimit na pret një punë jashtëzakonisht e madhe. E pret një punë e madhe edhe komisionin parlamentar, kuvendin, institucionet, por pret një punë e madhe edhe të gjithë ju të rinj”, tha Sahatçija.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Xhevdet Bajrami, u shpreh se “të rinjtë e Kosovës e meritojnë të jenë të barabartë me të rinjtë e Evropës dhe botës”.

Duke i përshëndetur për iniciativën Bajrami, tha se ” në këtë konferencë të rinjtë do të mësojnë për procedurat legjislative të BE-së, si dhe në përfundim të saj do të hidhet një votim për një rezolutë për liberalizimin e vizave për të rinjtë e Kosovës”.

Gjatë katër ditëve të kësaj tryeze do të trajtohen tema të ndryshme që kanë të bëjnë me integrimet evropiane siç është migrimi apo edhe liberalizimi i vizave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button