Ekonomia

Komunikimi i Bankës Qendrore – Guvernatori mban prezantim në takimin e Stambollit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin e Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit i zhvilluar në Stamboll.

Guvernatori Sejko mbajti një prezantim në panelin me temë “Komunikimi i bankës qendrore për rritjen e efektshmërisë së politikave: forcimi i njohurive dhe ndërtimi i besimit”. Gjatë prezantimit, ai theksoi se ndërtimi i besimit të publikut te institucioni i bankës qendrore është një proces i gjatë dhe i vështirë, por rritja e transparencës dhe komunikimi i vazhdueshëm janë faktorë kyç për suksesin e këtij procesi.

Guvernatori Sejko, përmes ilustrimit me shembuj konkretë, ndau me të pranishmit eksperiencën e Bankës së Shqipërisë në komunikimin e politikës monetare dhe politikave të tjera të saj, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Guvernatori shpjegoi objektivat, parimet dhe kanalet kryesore mbi të cilat Banka e Shqipërisë mbështet komunikimin me publikun, duke u kujdesur mbi të gjitha që informacioni të jepet në kohë dhe të jetë sa më i thjeshtë dhe i qartë.

Një element i rëndësishëm, i cili tashmë është kthyer në një nga përgjegjësitë e bankave qendrore është dhe edukimi financiar i publikut. Sipas Guvernatorit, Banka e Shqipërisë prej vitesh përpiqet të shpjegojë arsyet që qëndrojnë pas vendimmarrjes së saj, nëpërmjet një sërë programesh edukuese, të cilat janë përshtatur sipas nevojave për informacion të grupeve të ndryshme të interesit. Këto përpjekje kanë si qëllim afatgjatë, krijimin e një shoqërie që kupton, reagon e krijon pritshmëri në përputhje me vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button